LAJMI I FUNDIT:

Ndalet ekonomia kineze

Ndalet ekonomia kineze

Ekonomia kineze gjatë 2014, është rritur me hapin më të ngadaltë të 24 viteve të fundit. Kjo e dhënë negative ka ardhur kryesisht falë rënies së çmimeve në sektorin e pasurive të paluajtshme që ka detyruar edhe kompanitë apo qeveritë lokale të përballen me një barrë të rëndë borxhi.

Analistët tashmë ngrenë pyetjen nëse banka qëndrore e Kinës do të ndërhyje me masa agresive për të nxitur rritjen, siç mund të jetë injektimi i miliarda dollarëve në sistemin bankar.

Ekonomia e dytë më e madhe në Botë, gjatë vitit 2014 është rritur me 7.4 për qind. Kjo shifër shënon gjithashtu edhe dështimin e objektivit të qeverisë, i cili fliste për një rritje në normën e 7.5 për qind. Që prej vitit 1990 kjo mbetet edhe e dhëna më negative për sa i përket hapit të rritjes së ekonomisë kineze. Në vitin 2013 kjo shifër u regjistrua në 7.7 për qind. Pritshmëritë e analistëve flisnin për një mos arritje të objektivit të rritje prej 7.5 për qind gjatë vitit të shkuar.


Disa burime projektonin një rënie edhe më drastike në normën e rritjes, por duket se performanca disi pozitive në muajt e fundit të vitit i ka dhënë një kthesë mjaft domethënëse ekonomisë kineze. Gjithsesi, ekspertët bien dakord se epokës së ekonomisë kineze në ritme galopante i ka ardhur fundi. Ata shprehen gjithashtu se diçka e tillë nuk përkthehet aspak në fundin e ekonomisë kineze apo dominimit të saj global.

Qeveria kineze ndërkohë vazhdon ti mëshojë faktit, se reformat mbeten prioriteti kryesor. Një ngadalsim i mëtejshëm i kësaj ekonomie edhe gjatë vitit aktual, do të përkthehej në një rënie globale, duke pasur parasysh rolin që ajo ka në panoramën botërore. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon një rritje në nivelin e 6.8 për qind për vendin gjatë 2015. /Telegrafi/