LAJMI I FUNDIT:

NATASHA

NATASHA

Nga: Vladimir Nabokov
Zgjodhi dhe përktheu: Vladimir Petani

Në shkallë, Natasha u ndesh me fqinjin matanë korridorit, Baron Volf. Ai po u ngjitej disi me mundim shkallëve të drunjta e të zhveshura, duke ledhatuar me dorë parmakët e korridorit e duke fishkëllyer ëmbël nëpër dhëmbë.

“Për ku kështu me kaq nxitim, Natasha?”

“Për në farmaci, për të përmbushur një recetë. Doktori sapo ishte këtu. Babai është më mirë.”

“Ah, lajm i mirë ky.”

Ajo i shkoi pranë fluturimthi veshur me mushamanë e saj fëshfëritëse, pa kapelë.

Duke u mbështetur mbi parmak, Volf ktheu kryet ta shihte. Për një grimë sytë i rrokën nga sipër pjesën rrëzëllitëse vajzërore në flokët e saj. Ende duke fishkëllyer, ai u ngjit në katin e fundit, flaku mbi shtrat çantën e bërë qull nga shiu, e pastaj tërësisht e me plot kënaqësi lau dhe fshiu duart.

Më pas ai trokiti në derën e Krenovit plak. Krenovi jetonte në një dhomë matanë korridorit me të bijën, e cila flinte mbi një nim, një nim me susta mahnitëse që vërtiteshin dhe fryheshin si xhufka metalike nëpër pelushin e squllët. Ishte po ashtu edhe një tavolinë, e palyer dhe e mbuluar me gazeta të njollosura boje.

Krenovi i sëmurë, një plakaruq i kruspullosur me një këmishë nate që i mbërrinte gjer te thembrat, u turr sërish me kërkëllimë drejt shtratit dhe tërhoqi lart çarçafin shi kur koka e madhe e rruar e Volfit ia behu te dera.

“Futu brenda, kënaqësi që të shoh, hajde brenda.”

Plaku po merrte frymë me zor dhe dera e tryezës së natës mbeti gjysmë e hapur.

“Dëgjova se jeni shëruar plotësisht, Aleksej Ivaniq” – tha Baron Volf, duke u ulur ndanë krevatit e duke u rënë me shpulla gjunjëve.

Krenovi tregoi dorën e tij të verdhë e veshtullore dhe tundi kryet.

“Unë nuk e di se ç’ju ka rënë në vesh, por unë e di fare mirë se nesër do të vdesë.”

Ai lëshoi një tingull si tapë shisheje nga buzët e tij.

“Gjepura” – ia preu gjithë hare Volfi dhe nxori nga xhepi i ijës një kuti të argjendtë cigaresh.

“Të bezdisë po ta ndez?”

Ai luajti për një kohë të gjatë me çakmakun, duke kërcitur vidën e dhëmbëzuar. Krenovi i mbylli sytë përgjysmë. Qepallat e tij qenë kaltëroshe si membranë bretkose. Qime të hirta i mbulonin mjekrën e dalë përpara. Pa i hapur sytë, ai tha: “Kështu ka për të ndodhur. Ata vranë dy djemtë e mi dhe na flakën mua dhe Natashën nga foleja jonë e lindjes. Tani na duhet të shkojmë dhe të vdesim në një qytet të huaj. Sa idiotësi, kur i mendon thellë të gjitha…”

Volfi nisi të fliste me zë të lartë e të qartë. Ai foli se si Krenovi ende kishte një kohë të gjatë për të jetuar, shyqyr Perëndisë, dhe se si gjithkush do rikthehej në Rusi në pranverë, së bashku me shtërgët. E më pas ai vazhdoi të tregonte një ndodhi nga e kaluara e tij.

“Ishte vite më parë kur unë endesha nëpër Kongo” – po thoshte, dhe trupi i tij i madh, disi kaba u anua paksa.

“Ah, Kongoja e largët, miku im Aleksej Ivaniq, egërsi kaq të largëta, kupton… Përfytyro një fshat, gra me gjokse të varur, dhe vezullimi i ujit, i zi si korbi, mes kasolleve. Atje, poshtë një peme gjigante, një farë kiroku, rrinin fruta portokalli si topa llastiku dhe natën nga brenda trungut dilte një si zë deti. Unë pata një bisedë të gjatë me një prijës lokal. Përkthyesi im ishte një inxhinier belg, një njeri tjetër kureshtar. Ai u betua, me që ra fjala, se më 1895, ai kishte parë një ikthjozaur në moçalet jo larg prej Tanganikës. Prijësi ishte i lerosur me kobalt, i zbukuruar me unaza dhe i fryrë me një bel si xhelatinë. Shiko ç’ndodhi…”

Volf, duke shijuar ngjarjen e tij, buzëqeshi dhe fërkoi kokën në ngjyrë blu të zbehtë.

“U kthye Natasha” – ia preu Krenovi qetë dhe i vendosur, pa i ngritur qepallat.

Duke u skuqur paksa në çast, Volfi i hodhi sytë përreth. Një grimë më vonë, diku larg, kërkëlliti brava e derës kryesore, e pastaj ca hapa fëshfëritën përgjatë mesores. Natasha hyri nxitimthi, me sy rrezëllitës.

“Si ndihesh, babi?”

Volf u ngrit dhe tha, me një shpërfillje të shtirur: “Yt atë është shumë mirë dhe unë nuk kam asnjë ide përse ai rri në krevat… do t’i tregoj për një magjistar afrikan…”

Natasha i hodhi një buzëqeshje të atit dhe nisi të çmbështillte ilaçet.

“Po bie shi” – tha ajo me një zë të butë: “Moti është i llahtarshëm.”

Ashtu siç ndodh rëndom, sapo flitet për motin, të tjerët kundruan jashtë dritares. Kjo krijoi një damar blu të hirtë në qafën e tkurrët të Krenovit. Pastaj ai e shtriu kokën sërish përmbi nënkresë. Me buzët e zgjatura, Natasha numëroi pikat ndërsa qerpikët llogarisnin kohën. Flokët e saj të zi të lëmuar qenë bërë rruaza-rruaza prej shiut dhe poshtë syve shiheshin hije të mrekullueshme blu.

Si u kthye në dhomën e tij, Volf u ecejak në të për një kohë të gjatë, me një buzëqeshje të pështjelluar e të lumtur, duke u lëshuar rëndë-rëndë herë mbi një kolltuk, herë mbi buzë të shtratit.

Më pas, për ndonjë arsye, ai hapi një dritare dhe këqyri mirë e mirë poshtë në oborrin e errët, gurgullues. Në fund ai rrudhi njërin sup me vrull, vuri kapelën e gjelbër, dhe doli jashtë.
Plaku Krenov, i cili po rrinte i mbledhur shuk mbi nim teksa Natasha po i ndreqte krevatin për natën, vërejti me shpërfillje,

“Volfi doli të hajë darkën.”

Më pas ai psherëtiu dhe e shtrëngoi edhe më batanien rreth vetes.

“Gati” – tha Natasha: “Eja shtriu, babi.”

Krejt përreth ishte qyteti i mbrëmjes së lagësht, rrëketë e zeza të rrugëve, kubetë e lëvizshme e vezulluese të çadrave, dritat rrëzëlluese të vitrinave që derdheshin përmbi asfalt.

Së bashku me shiun nata nisi të rrjedhë, duke mbushur thellësitë e oborreve, duke regëtirë në sytë e prostitutave shalë-holla, që ecejakeshin lart e poshtë në kryqëzimet e populluara.

Dhe, diku lart, dritat rrathë-rrathë të një reklame shndrisnin me ndërprerje si një bosht vërtitës rrëzëllues. /Revista “Palimpsest”/