LAJMI I FUNDIT:

Nacionalizmi shqiptar: A është rruga e vetme e realizimit të aspiratave shqiptare?

Fransoa Miterran, ish president francez kishte thënë me një rast se ”Nacionalizmi do të thotë luftë, ndërsa patriotizmi nder”. Nëse nisemi nga ky gjykim do të shihet se ai bënte një ndarje mes këtyre dy koncepteve. Por De Gol kishte dëshmuar se ai ishte nacionalist i bazuar tek patriotizmi Risheljan dhe tek interesat kombëtare franceze.

Shqiptarët nacionalizmin si doktrinë e kanë përjetuar shumë herët. Mirëpo nacionalizmi shqiptar në përgjithësi mund të thuhet se fillon me periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe me Rilindjen Kombëtare. Ky nacionalizëm ndikoi në sensibilizim të çështjes kombëtare shqiptare të pazgjidhur.


Ka autorë që deklarojnë se zgjimi i vonshëm i vetëdijes kombëtare dhe nacionaliste tek shqiptarët vonoi zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan. Ata shtojnë se shqiptarët në kërkim të identitetit të tyre të vonuar u vonuan në krahasim me kombet e tjera. Po ashtu ata mëtojnë të thuan se përçarja fetare vonoi krijimin e identitetit kombëtar shqiptar.

Kësaj teorie shumë më vonë do t`i ndihmonin edhe akademikët shqiptarë Rexhep Qosja dhe Ismail Kadare, të cilët duke u nisur nga debati i tyre i panevojshëm mbi identitetin kombëtar të shqiptarëve filluan të hapnin dilema tek shqiptarët, duke nxitur një lloj ndarje me shqiptarëve në baza fetare. Ky lloj debati nuk kishte nevojë të hapej aspak, sepse identiteti kombëtar shqiptar ishte dhe mbeti edhe më tej i konsoliduar, ndërsa aspiratat shqiptare për integrim në familjet euro-atlantike është aspiratë e pazëvendësueshme.

Debati Qosja-Kadare, me gjithë kredibilitetin e dyshes së famshme, ishte i dëmshëm dhe i panevojshëm. Nuk ishte koha për këtë hapje debati, sepse kjo dilemë është më se e qartë. Shqiptarët janë një komb të cilët nuk e përkufizojnë kombin mbi bazën e fesë por mbi bazën e gjuhës dhe ndjenjës së përkatësisë së njëjtë.

Kësisoj këta shkrimtarë të mëdhenj shqiptarë i dhanë mundësi pseudoanalistëve të ndryshëm të nxisin gjuhë dhe identitete të fragmentarizuar ndër shqiptarët, të bazuara në provincializëm.

Historikisht shqiptarët nuk kanë pasur kurrfarë divergjencash në lidhje me besimet e tyre fetare. Ata kanë krijuar ndjenjën e vëllazërisë duke u bazuar në gjuhë, flamur dhe atdhedashuri, e jo në besimet fetare. Andaj le të shpresojmë se ky lloj debati nuk do të shërbejë për thellimin e ndasive, por për një reflektim më të gjerë dhe thënien troç të gjërave të bazuara në argumentim shkencor, e jo në ëndrra miope.

Akademikët duhet të shpalosin gjëra në favor të integrimit të ndërsjellë ndërshqiptarë, e mandej në favor të integrimit në familjen evropiane, e jo në debate mbi identitetin kombëtar të shqiptarëve të bazuar në provincializëm (tezë që shkon në favor të doktrinave sllave) ose të debateve mbi origjinën e figurave historike si Skënderbeu, Nënë Tereza etj. Dëshmitë janë të forta se këto figura nuk janë mite por realitete.

Shqiptarët të gjetur përballë këtyre sprovave të panevojshme kanë nevojë për konsolidim kulturor, rishikim të pozitave gjeostrategjike, intensifikim të kontakteve permanente ndërshqiptare dhe ndërkombëtare, integrim kulturor mes veti, sepse duhet të kenë të qartë se ata kanë identitet dhe gjuhë të pastër, komb të pastër jo të bazuar në fe, në aspekt etnik e jo fetar, kanë identitet evropian të theksuar me vite, jo vetëm në bazën gjeografike, por edhe në atë historike, kulturore dhe gjuhësore, nuk duhet të krijojnë identitete të bazuar në fe, në pushtues, në rajone apo në diçka tjetër, por të shikojnë realizimin e aspiratave të tyre në drejtim të integrimit në Evropën e Bashkuar, pa përbuzur të tjerët, pa u mohuar përbërja dhe diversiteti fetar i shqiptarëve, që nuk ka qenë kurrë pengesë për shqiptarët në drejtim të përforcimit të kombit shqiptar dhe gjuhës shqipe, sepse për interesat kombëtare feja e shqiptarit ka qenë dhe mbetet shqiptaria, ndërsa nacionalizmi shqiptar nuk duhet të eksponohet në drejtim të bërjes një shtet i vetëm, sepse një shtet i vetëm jemi, por formalisht i kemi kufijtë, por ky nacionalizëm duhet të bazohet në intensifikim të kontakteve ndërshqiptare dhe ndërkombëtare, ruajtjen e pastërtisë së gjuhës shqipe, mos sajimi i identiteteve apo gjuhëve rajonale, unifikimi kulturor, gjuhësor dhe politik.

Në Shqipëri shtetarët dhe akademikët duhet të jenë koshient se roli i shtetit shqiptar duhet të jetë i pashmangshëm në drejtim të përkrahjes pragmatike të shqiptarëve jashtë shtetit amë, Tirana-Prishtina-Shkupi-Tetova-Presheva-Ulqini të intensifikojnë këmbimet e ndryshme kulturore, kombëtare, ekonomike, gjuhësore, shkencore, politike. Shqipëria duhet të frenojë ambiciet e ndryshme për shikim të shqiptarëve në sensin pezhorativ, si dhe t`i mbarte gjeneratave dhe brezave se shqiptarët janë jo vetëm ata prej Shqipërie, por njësoj edhe ata prej Kosove, Maqedonie, Mali të Zi dhe Presheve.

Kosova nuk duhet të shikojë shpikje të sajesave fiktive komb apo gjuhë kosovare, sepse kjo nuk përkon me realitetin historik apo edhe atë real aktual, sepse Kosova është shtet, qytetarët quhen kosovarë, por nuk duhet që termin e shqiptarëve etnik ta zëvendësojë me kosovarë, sepse kosovarë llogariten edhe serbët, edhe boshnjakët, edhe romët dhe pakicat tjera. Shteti Kosovë nuk duhet të shërbejë si model i krijimit të kombit kosovar, sepse ky komb është krijuar shumë më përpara shtetkrijimit, ai është pashmangshmërisht shqiptarë dhe i pandarë si i tillë.

Edhe pse në serbo-kroatisht serbët e Kosovës quhen kosovci( njëjës kosovac), ata identifikohen si serbë, ndërsa nuk ka nevojë të quhen shqiptarët e Kosovës, kosovarë, vetëm se për të mos u ngatërruar gjoja se me shqiptarët prej Shqipërie. Fundja le të ngatërrohet ky koncept, sepse flasim një gjuhë, i përkasim një historie dhe kemi qenë të pandashëm shpirtërisht edhe atëherë kur kemi qenë më së vështiri, e jo tani më kur proceset janë në favor të drejtësisë, pra në favor tonin.

Shtetarët nga Maqedonia, politikbërsit shqiptarë, partitë politike shqiptare duhet të jenë më persistent dhe deciziv në drejtim të kërkesave për mosanashkalim të tyre, sepse Maqedonia si shtet nuk mund të mbijetojë pa shqiptarët. Është dëshmuar kjo. Politikanët shqiptarë duhet të mbajnë kontaktet me vëllezërit e tyre të një gjaku nga viset e tjera shqiptare, të dëshmojnë se janë pjesë e shtetit të Maqedonisë jo vetëm figurativisht por edhe realisht, përmes insistimit në negociata për çështjen e emrit të Maqedonisë, drejt realizimit të Marrëveshjes së ”harruar” të Ohrit dhe implementimit praktik të saj, drejt përfshirjes së shqiptarëve në institucionet e shtetit dhe pjesëmarrjes më masive të tyre në sistem, duke e ruajtur kohezionin e tyre kombëtar dhe duke mos cenuar kohezionin e të tjerëve. Por, assesi nuk guxojnë të quhen ”maqedoncat” apo ata të Maqedonisë. Sepse jemi dhe do të mbesim shqiptarë sepse flasim shqip, ndërsa flamuri kombëtar i yni është po ai i njëjti me gjithë shqiptarët e viseve të tjera.

Thirrjet në librin e Koço Danaj, “Kryengritje e pambaruar” për ”Kryengritje të pambaruar” nuk guxojnë të interpretohen si thirrje që flasin për një kryengritje të sërishme për ta mbaruar, por për rikujtimin e qeveritarëve shqiptarë se kanë për obligim kërkimin e asaj që i takon, pjesëmarrje të duhur në shtet, të mos anashkalohen nga etnocentrizmi maqedonas, si dhe të bëhen pjesë e debatit mbi emrin, sepse kjo situatë pengu, do të mbajë Maqedoninë larg familjes së NATO-s dhe UE-së. Kjo për shqiptarët do të thotë vonesë në realizim të çështjeve të tyre kombëtare, si dhe përpos që do të ishim të vonuar në krahasim me vëllezërit tanë nga viset tjera shqiptare do të jemi të prirë drejt margjinalizimit të skajshëm dhe në Rubikonin e etnocentrizmit maqedonas.

Kontaktet ndërshqiptare duhet të intensifikohen përmes debateve akademike shkencore, profesorëve universitarë nga të gjitha viset, në drejtim të ngritjes së një kuadri të mirëformuar shkencorë që do të dinte ti bëjë ballë sfidave të kohës dhe problemeve aktuale, të dijë të mbajë raporte fqinjësore të mira, të dijë të mbajë kontakte me ndërkombëtarët, që edhe gjuha shqipe të futet në Ansamblin e Multilinguizmit evropian.

(Autori është profesor i gjuhës frënge në Universitetin e Europës Juglindore dhe magjistër i Studimeve të Diplomacisë)

Në trend

Më shumë
Arratiset Enver Sekiraqa, policia ka informuar të gjitha vendkalimet kufitare

Arratiset Enver Sekiraqa, policia ka informuar të gjitha vendkalimet kufitare

Drejtësi
Kryeprokurori special flet për rastin e Enver Sekiraqes

Kryeprokurori special flet për rastin e Enver Sekiraqes

Drejtësi
Blero përlotet pasi dëgjon zërin e Afronës në studio, e pranon publikisht: Më kanë tradhtuar

Blero përlotet pasi dëgjon zërin e Afronës në studio, e pranon publikisht: Më kanë tradhtuar

Magazina
Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Boks
Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Auto
Real Madridi shpreh interesim për top yllin e Liverpoolit – nuk bëhet fjalë për Alexander-Arnold

Real Madridi shpreh interesim për top yllin e Liverpoolit – nuk bëhet fjalë për Alexander-Arnold

La Liga
Kalo në kategori