LAJMI I FUNDIT:

Mustafa kërkon komision për cilësinë e grurit

Mustafa kërkon komision për cilësinë e grurit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka thirrur sot në takim drejtorin e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV) dhe ka kërkuar sqarime në lidhje me raportimet mbi cilësinë e grurit dhe mbi nivelin e kontrollit si në kufi, ashtu edhe në depot në vend.

Mustafa kërkoi nga drejtori i AUV-së që menjëherë të themelohet një komision i pavarur me profesionistë, të cilët do të marrin mostra për analizë në mënyrë të pavarur.

Sipas njoftimit të Qeverisë, mostrat duhet të dërgohen në institute kredibile shkencore në vendet e Bashkimit Evropian me qëllim që të sqarohen dyshimet e ngritura dhe të sigurohemi që qytetarët e Republikës së Kosovës konsumojnë produkte të cilësisë më të mirë dhe të pranueshme me standardet ndërkombëtare.


Gjithashtu, Kryeministri ka kërkuar informacion nga Administrata Doganore e Kosovës për mënyrën dhe procedurat e importimit të drithërave të importuara.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të ndërmerr masa të domosdoshme që të sigurojë zbatimin e plotë të standardeve për ushqimet, si dhe masa tjera ndaj çdo organi që shkelë këto procedura. /Telegrafi/