LAJMI I FUNDIT:

Mospërfshirja e grave në tregun e punës, pengës në zhvillim

Mospërfshirja e grave në tregun e punës, pengës në zhvillim

Vetëm një në dhjetë gra në Kosovë është e punësuar dhe një në dhjetë gra do të dëshironte të gjente punë. Tetë në dhjetë gra nuk janë të punësuara e as nuk kërkojnë punë, për shkak se janë të dekurajuara dhe janë të zëna duke u kujdesuar për fëmijët dhe të moshuarit. Është ky vlerësimi i Institutit Demokracia për Zhvillim (D4D), nga një hulumtim, ku sipas tyre, përfundime të tilla paraqesin gjendje alarmante të grave në tregun e punës.

Sipas këtij instituti pjesëmarrja e grave në tregun e punës është 20 për qind, derisa ajo e meshkujve 60 për qind. Instituti Demokraci dhe Zhvillim sot gjatë një prezantimi ka treguar edhe faktorët e kësaj gjendje, që sipas tyre janë personal dhe kulturor. Ata vlerësojnë se niveli i shkollimit, obligimet familjare dhe banimi në zonat rurale ndikon që numri i grave në tregun e punës të jetë më i vogël.
Instituti Demokraci dhe Zhvillim ka publikuar një doracak përmes së cilit tregon se mospërfshirja e grave në tregun e punës është pengesë kryesore për zhvillimin e vendit. Aty kanë paraqitur të nxjerrat e tyre nga hulumtimi dhe kanë dhënë edhe rekomandime për politika të ndryshme.

Ardiana Gashi, konsulente Bankën Botërore, tha se pjesa e grave që janë jo aktive në tregun e punës, diku 72 për qind e grave që nuk janë aktive në tregun e punës, nuk kanë shkollë ose e kanë vetëm shkollën fillore të përfunduar. Kështu, sipas saj, politikat për me i punësuar këto gra duhet të mbështeten në trajtime të ndryshme për këto gra.


Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka folur me nostalgji për kohën kur ishte ministër i Bujqësisë. “Ne kemi pasur një studim me të cilin thuhej se 29 për qind e fuqisë punëtore në sektorin e bujqësisë janë gra me punësim të përhershëm, të rregullt, dhe nëse e marrin edhe punësim sezonal shkon diku në 42 për qind, 24427 me orar të plotë, 58 mijë e 706 me gjysmë orari, 118 mijë e 188 me punësim sezonal. Unë besoj që këto të dhëna do të përditësohen dhe ato që do të dalin nga regjistrimi bujqësor që e kemi bërë, më duket nesër ose pasnesër do të jetë prezantimi, do të keni të dhënat më të reja dhe më të sakta. Duke u nisur nga ky potencial, i cili reflektonte edhe në numra, edhe nga vizitat e shpeshta që bëja në terren, dhe duke e parë që anë e kënd Kosovës kishte potencial që gratë jo vetëm të jenë pjesë e një fuqie punëtore, por një pjesë e madhe e tyre edhe të kishte, si gra kryefamiljare, të merrnin iniciativa ndërmarrëse që ato të ishin menaxhues të një biznesi, në këtë rast agrobiznesi, apo të një ferme”, tha ai.

Edhe Lindita Kastrati, nga Dhoma Ekonomike e Grave, pajtohet me barrierat që janë konstatuar në këtë hulumtim. “Nëse ndërlidhemi me arsyet përse e kemi një pjesëmarrje kaq të vogël të grave në sektorin privat, sigurisht që do të pajtoheni që përqindja e vogël e grave të cilat marrin trashëgimi në Kosovë, e cila është diku rreth 8 për qind ,ka ndikuar shumë gratë mos të kenë mundësi të merren me skeptrin provat, dhe kjo është një prej barrierave kryesore të grave të cilat nuk mund ti qasen biznesit privat për arsye se atyre iu mungojnë mjetet materiale dhe të aplikojnë nëpër banka që të marrin kredi. Konsideroj që edhe Qeverisa e Kosovës duhet të punojë, të jetë më aktiv në këtë aspekt, që të sigurohet një fond për garancinë e kredive, e cila do të ia kishte mundësuar grave marrjen e kredive nëpër banka”, tha ajo.

E Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se në të gjitha programet, fokus e kanë nxitjen e punësimit tek gratë.

“Punësimi, sillet rreth 1400 gra brenda vitit, të grupmoshave të ndryshëm, dhe nivel të ndryshëm të edukimit. Po ashtu ne përkujdesemi përmes masave tona që femra të jetë pjesë aktive e formimit profesional sepse ne konsiderojmë që njëra nga shtyllat kryesore, faktikisht e politikave aktive përmes së cilave ne mundohemi, pra me ato veprimet tona që gratë t’i mbështesim në tregun e punësqë ato të jenë pjesë, por të jenë edhe atraktive sa i përket nivelit dhe shkallës së absorbimit, të forcës së punës që ne padyshim e konsiderojmë si një faktor shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik që kjo asesi në vë dilema”, tha ai.

Studimi i Institutit Demokraci dhe Zhvillim, filloi duke kërkuar të masë deri në çfarë shkalle do të rritej niveli i zhvillimit në Kosovë, sikur gjysma e grave jo aktive të kërkojnë punë. “Nëse gjyma e grave që nuk janë aktive (psh rreth 200,000) do të hynin në tregun e punës, me supozim teorik që gjysma e tyre do të punësoheshin, një përllogaritje e thjesht e tregon një nivel të BPV-së, 30 për qind më të lartë se shifra aktuale e vitit 2013”, thuhet në punimin e IDZh.

Në studimin e Institutit Demokraci dhe zhvillim, thuhet se përjashtimi i grave nga aktiviteti ekonomik del si pengesë kryesore për rritjen ekonomike. Sipas tyre, në krahasim me shtet e tjera, shkalla e përgjithshme e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është dukshëm më e ulët. /Telegrafi/