LAJMI I FUNDIT:

Mjekët protestojnë të mërkurën për zbatim të kontratës kolektive

Mjekët protestojnë  të mërkurën për zbatim të kontratës kolektive

Mjekët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), do të protestojnë të mërkurën për të kërkuar zbatimin e kontratës kolektive, rritjen e pagave prej 25 për qind sipas vendimit të Qeverisë, si dhe lirimin e hapësirave të QKUK-së nga institucionet shëndetësore private.

Kryetari i Organizatës Sindikale të Shëndetësisë, Xhemajl Selmani, ka thënë në një konferencë për media se janë të detyruar të protestojnë pasi që nuk u ka mbetur rrugë tjetër për zbatimin e kërkesave të tyre.

“Ne kemi paralajmëruar në qoftë se nuk reflekton pushteti ekzekutiv, edhe një grevë një orëshe për ditën e mërkurë, më 4 mars, në orën 10:00. Si duket pushtetarët tanë edhe pse ne i kemi sensibilizuar me të gjitha instancat duke filluar nga kryetarja e shtetit, kryeparlamentari, kryeministri, komisioni parlamentar për shëndetësi, ministri i shëndetësisë, të gjithë po heshtin dhe nga asnjëri nuk kemi ndonjë përgjigje pozitive. Prandaj, vijmë edhe në një moment të tillë shumë pak të dëshirueshëm por ne duhet edhe fizikisht të protestojmë ose t’u tregojmë kësaj qeverie me çështjet që ne po hasim po e sensibilizojmë edhe kolegët tanë që fizikisht me prezencën e tyre t’u tregoj këtyre pushtetarëve që jemi të gjithë në një mendje”, tha ai.


Sipas Selmanit, kërkesat që po i bëjnë janë kërkesa legjitime pasi pushtetarët e tanishëm dhe ata të kaluar kanë marrë vendime për diçka të tillë, si dhe kanë lidhë kontratë me votuesit me premtimet elektorale që i kanë bërë.

Sindikalistët kanë thënë se nëse as pas kësaj proteste nuk reagojnë institucionet qendrore, mjekët do të vazhdojnë me protesta në të gjithë vendin./Telegrafi/