LAJMI I FUNDIT:

Miratohet buxheti i Prishtinës

Miratohet buxheti i Prishtinës

Pas më shumë se një orë diskutim për propozim buxhetin e vitit 2015, asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës me 42 vota për dhe pesë kundër miratuan buxhetin për vitin 2015 dhe kornizën afatmesme buxhetore për vitin 2015-2017. Në seancën e jashtëzakonshme nuk ishte i pranishëm i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe sipas asamblistëve të pranishëm, buxheti prej rreth 62 milionë eurove nuk përmbushë nevojat e të gjithë qytetarëve të kryeqytetit.

Nënkryetari i Prishtinës Dardan Sejdiu thotë se për herë të parë buxheti i propozuar prej 69 milionë eurove, i pa pranuar nga Ministria e Financave me arsyetimin se është përtej qarkores buxhetore, ka qenë buxhet që është kalukuar me regjistrimin e popullsisë.

“Buxheti prej 69 milionë eurove është buxhet zhvillimorë, buxheti prej 62 milionë eurove është buxhet i letrës i ndërtuar në zyret e Qeverisë. Në bazë të qarkoreve buxhetore të cilat nuk marrin parasysh ambiciet e qeverisjeve lokale përkundrazi marrin parasysh vetëm formula të ndërtuara në të kaluara. Pra, është formulë regresi sepse kalkulon të kaluarën dhe projekton të ardhmen. Përkundrazi ne mendojmë se ashtu nuk mund të ndërtojmë buxhet për Prishtinë, duhet të projektojmë dhe ashtu të ndërtojmë buxhetin. Dhe fryma edhe e kornizës afatmesme buxhetore e cila është projektuar dhe prezantuar në buxhetin e 69 milionë eurove ka qenë po ajo. Frymë ambicioze, frymë e cila ecë përpara zhvillon qytetin. Ndërsa sot ne po diskutojmë për një buxhet prej 62 milionë eurove, i cili po e them thjeshtë është buxhet i qarkoreve i ndërtuara në bazë të formulave të bazuara në të kaluarën. Ky është modeli që është përdorë ndonëse nuk është në përputhje me nevojat e qytetit”, shprehet Sejdiu.


Grupi i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka mbështetur Buxhetin për 2015-tën dhe Kornizën Afatmeseme duke shprehur pasigurinë e tyre në planifikimin e të hyra.
“Në diskutimet që i ka parë kryetari i Komunës së bashku me ministrin e Financave në rastin kur është kthyer mbrapa janë dakorkuar në aprovimin e buxhetit në nivelin qendrorë që në momentin që shihet që mblidhen ato të hyra do të amandamentohen dhe do të jenë në buxhet”, thotë Sami Hamiti shef i grupit të LDK-së në KK Prishtinë.

Sipas Buxhetit të miratuar sot në KK Prishtinë, të hyrat vetjake të planifikuara për vitin 2015 do të arkëtohen kryesisht nga taksa për leje ndërtimi dhe nga tatimi në pronën e paluajtshme. Burime sekondare të të hyrave do të jenë gjithashtu edhe të hyrat nga parkingu, shpronësimet e tokave komunale, legalizimi i ndërtimeve pa leje dhe taksa për shfrytëzimin i sipërfaqeve publike.

Edhe partitë tjera politike kanë mbështetur pikën e vetme të rendit të ditës që kishte të bënte me buxhetin për Prishtinën, dhe sipas Ylli Hoxha me këtë buxhet paguhen për 200 mijë qytetarë përkundër se Prishtina sipas tij iu shërben 350 mijë qytetarëve që banojnë apo janë rezidentë.

Kurse për Lirak Çelaj nga Partia Demokratike e Kosovës buxheti i propozuar prej 69 milionë euro, nuk parasheh ndonjë projekt madhorë, dhe shton se sikur të shfrytëzoheshin grantet e Qeverisë nuk do të kishte arsye për rritje të buxhetit.

Burimet e financimit për Komunën e Prishtinës janë grandi i përgjithshëm, grandi specifik për arsim, grandi specifik për shëndetësi, si dhe të hyrat vetjake të komunës.

Sipas Kornizës Afatmesme Buxhetore për vitet 2015-2017Planifikimi shpenzimeve për tre vitet e ardhshme është i paraqitur në tabelën e mëposhtme, ku mund të vërehet se shumat më të mëdha të buxhetit janë të orientuara në investime kapitale dhe në paga dhe mëditje. Në krahasim me buxhetin e vitit 2014, buxheti për mallra dhe shërbime është reduktuar për vitet në vijim, në mënyrë që të rritet buxheti për subvencione dhe transfere. Buxheti për shpenzime kapitale mbetet përafërsisht i njëjtë. /Telegrafi/