LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Bujqësisë ndihmon bujqit me 2.1 milon euro

Ministria e Bujqësisë ndihmon bujqit me 2.1 milon euro

Nga subvencionimet e mbjelljeve të Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural(MBPZHR), për një hektarë bujqit do të përfitojnë përafërsisht nga 80 euro. Varësisht nga numri i të diskualifikuarve në listat përfundimtare, do të ndryshojë edhe shuma që do të përfitojnë fermerët.

Prishtinë, 15 nëntor – Nga subvencionimet e mbjelljeve të Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural(MBPZHR), për një hektarë bujqit do të përfitojnë përafërsisht nga 80 euro. Varësisht nga numri i të diskualifikuarve në listat përfundimtare, do të ndryshojë edhe shuma që do të përfitojnë fermerët.

Këshilltari politik në Ministrinë e Bujqësisë Njazi Idrizi, ka thënë se janë gjashtë regjione të ndara për subvencionime të mbjelljeve të grurit, në bazë të të dhënave të kësaj ministrie, vetëm në regjionin e Prishtinës në të cilin përfshihen edhe qendrat përreth, Podujeva, Lipjani, Shtimja, Drenasi Obiliqi dhe Fushë-Kosova, kanë aplikuar 1.294 bujq me gjithsej 7.237 hektarë grurë.

“Bazuar në po të njëjtat lista, regjioni i Pejës prinë në më së shumti tokë të subvencionuar, gjithsej 7.315 hektarë, por që numri i aplikuesve është përgjysmë më i vogël sesa në rajonin e Prishtinës, rreth 655 aplikues”, ka thënë ai. Sipas Idrizit në rajonin e Gjilanit kanë aplikuar 1.071 bujq me rreth 4.065 hektarë grurë që do të subvencionohen, në rajonin e Mitrovicës kanë aplikuar gjithsej 893 bujq me rreth 2.927 hektarë grurë, në rajonin e Ferizajt kanë aplikuar 408 bujq me mbi 2.361 hektarë grurë, ndërsa në rajonin e Prizrenit kanë aplikuar 852 bujq me rreth 4.070 hektarë grurë.


Ministria e Bujqësisë ka punuar në përpilimin e listave përfundimtare në bazë të të cilave do të shpërndahen 2.1 milionët e ndarë nga kjo ministri për ndihmë bujqve në mbjelljen e grurit.

“Janë duke u bërë selektimet se kush i plotëson kriteret për subvencionim”, ka thënë Njazi Idrizi, këshilltar politik në Ministrinë e Bujqësisë.

Ndërkaq, Tahir Tahiri, nga Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës ka theksuar se nuk është i bindur që deri më sivjet janë mbjellë rreth 70 mijë hektarë me grurë. Ai thotë se kjo sipërfaqe gjithnjë ka qenë më e vogël.

“Kushtet atmosferike, ndikuar nga reshjet e fundit kanë krijuar kushte të mira për mbjelljen e grurit, toka ka lagështi të mjaftuar, ndërkaq edhe çmimet e repro materialeve janë për 50 për qind më të ulëta”, ka thënë Tahiri. “Subvencionimi ka ndikuar në ngjalljen e shpresës së bujqve se Qeveria po mendon për ta. Ajo shumë është shumë e vogël dhe nuk do të mjaftojë as për një komunë, mirëpo është një nismë e mirë”, ka vlerësuar Tahiri.