LAJMI I FUNDIT:

Ministri Shala takon zyrtarët e FMN-së

Ministri Shala takon zyrtarët e  FMN-së

Ministri i Ekonomisë dhe Financave në largim Ahmet Shala gjatë ditës së martë ka zhvilluar takime intensive me kryesuesin e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Kosove, Jyrgen Odenius si dhe me Meg Lundsager, drejtoreshe ekzekutive e SHBA-së në këtë institucion. Ku ka diskutuar përmbushja e obligimeve të përbashkëta të dala nga marrëveshja e arritur vitin e kaluar, në kontekstin e ri të Kosovës.

Në këto takime u dakordua që konsultimet me zyrtarë të FMN-së të vazhdojnë, sidomos në periudhën para aprovimit të buxhetit për vitin 2011. Së shpejti zyrtarë të FMN-së do të vizitojnë Kosovën për të bërë vlerësimet e tyre në këtë proces.

Ministri Shala gjatë ditës së martë ka mbajtur edhe një ligjëratë në Universitetin prestigjioz “John Hopkins University” në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me temë: Perspektiva e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës në rrugën e Integrimit Evropian. Në këtë ligjëratë ka prezantuar edhe Kryetari i Partisë Liberale Serbe të Kosovës, Sllobodan Petrovic.

Ministri Shala tha se Kosova tani ka filluar të marr më shumë përgjegjësi në vendimmarrje dhe duke i hapur rrugën të ardhmes së vendit. Ai ka theksuar se këtë vit qeveria ka deklaruar se fokusi i saj do të jetë mirëqenia sociale si një mjet për arritjen e aktivitetit ekonomik dhe rritjes.


“Populli i Kosovës dëshiron të ec përpara, të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, të krijoj një ekonomi të fuqishme dhe dinamike, dhe besoj se ky është vizioni që të gjitha vendet e Ballkanit duhet të kenë. Qeveria jonë ka dëshmuar se mund të marrë vendime, pa marrë parasysh se sa të vështira janë ato, dhe qëndroi e vendosur në angazhimet e saj”, ka thënë Shala.

Një varg takimesh janë zhvilluar edhe me Kongresmen dhe Senator të SHBA-se, si Tom Coburn, Jim Demint etj, të cilët treguan përkushtimin e tyre në përkrahjen e proceseve të rëndësishme për Kosovën në të ardhmen. /Telegrafi/