LAJMI I FUNDIT:

Migrimet dhe konfliktet sociale

Migracioni ngjanë në çdo shoqëri dhe ka specifika të cilat janë rrjedhojë e faktorëve të ndryshëm qoftë historik, gjeopolitik dhe ekonomik. Migrimi te shqiptarët fillon qysh herët dhe i njëjti vazhdon ende edhe në momentin kur Evropa është më hermetike se kurrë ndaj tyre. Shikuar nga aspekti ekonomik, migrimi ka ndikim pozitiv, pasi që migrimet bëhen në vende më të pasura nga ku krijohen të ardhura dhe kjo ka ndikim pozitiv ekonomik në familje e edhe në shoqëri. Por, shikuar nga aspekti i një perspektive totale shoqërorë, ai shfaq edhe manifestime të tjera, e një ndër to është konflikti.

Konfliktet që vijnë në pah nga migrimet, reflektohen kryesisht në sferën personale (individuale) dhe atë familjare apo mikro-sociologjike, por mund të marrin edhe përmasa më të gjëra shoqërore me karakter statistikor gjë e cila mund të reflektohet me ndryshimin e trendëve dhe prirjeve sociabile të një grupi shoqëror.


Por, migrimet te shqiptarët nuk kanë pasur vetëm karakter ekonomik, por edhe politik, bile edhe ushtarak. Relacioni mes migrimeve dhe konflikteve sociale, te shqiptarët e Kosovës, shtron nevojën e një distinkcioni elementar i cili do të konsistonte në dallimin mes migrimeve ekonomike, dhe migrimeve të përcjella edhe nga faktorët tjerë sikurse ai gjeopolitik i cili ngërthen atë politik, policorë, dhe ushtarak

Përveç periudhës së pasluftës, në Kosovë emigracioni paraqet rast i cili shkaktohet edhe nga faktori politik me elemente të presionit ushtarak edhe policor. Vetëm pas luftës së fundit, për herë të parë, mungon komponenta gjeopolitike e nxitjes së migrimit, e cila dominohej në tërë periudhën e mëparshme, si faktor konstant. Konform kësaj, migracioni te shqiptarët do të mund të ndahej në migracion i cili është rezultat i konflikteve dhe migracion i cili ka karakter ekonomik i përcjellë me konflikte sociale. Ky periodizim mund të konsiderohet teknik, andaj i njëjti do të mund të kishte veçoritë e mëposhtme dalluese:

Migracioni si rrjedhojë e konflikteve

Gjurmët këtij emigracioni mund të hasen kurdo kur shqiptarët ishin të pushtuar nga të tjerët. Migracioni në kohën e pushtimit Osman has vetëm në të dhëna gojore, që kanë mbetur në mbamendjen e popullit. Të shumtën, janë këto rrëfime tragjike për nizamët që i shërbenin perandorisë Osmane me shtatë e më shumë vite, dhe kur ktheheshin, nëse ktheheshin, të njëjtit ballafaqoheshin me situata tragjike individuale. Melosi popullor shqiptar ngërthen situata të ndryshme të këtij tragjizmi, që nga mosnjohja e njerëzve të afërt, sikurse djali apo vajza, deri te gruaja e martuar (në rastin më të keq me anëtarë të familjes, kjo pasi nizami konsiderohej i vdekur). Natyrisht se nizamët nuk ishin të vetmit që lëviznin. Kishte edhe kategori tjera, por tragjizmi tyre ishte skajshmërisht i madh.

Emigracioni pas largimit të perandorisë Osmane, në të gjitha trajtat shtetërore të Serbisë dhe të Jugosllavisë karakterizohej me lëvizje të mëdha të popullsisë shqiptare nga ndikimi i politikave shtetërore. Numri prej pesë deri gjashtë milionë banorë me origjinë shqiptare në Turqi, flet mjaftë lidhur me këtë. Pas pushtimit serb migrimet kryesisht kanë karakter të presionit politik, pa lënë anash edhe inkludimin e faktorit ushtarak. Pushteti represiv, i nxitur nga stereotipi sikurse ajo V. Gjorgjeviq i cili pohonte se ”shqiptarët primitiv dhe të prapambetur, janë produkt i mjedisit gjeografik që i bëri të pa aftë për jetë shtetërore dhe të pavarur”, kontribuoi shumë në vëllimin e migrimeve. Ky njeri nuk ishte as i fundit e as i vetmi ndër serbët që kishte paragjykime ksenofobie ndaj shqiptarëve.

Emigracioni gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore karakterizohet më lëvizje po ashtu të mëdha. Krijimi i rrethanave të reja shoqërore, nga koha kur erdhi dominimi i komunizmit, fakt ky me përmasa globale politike, pati ndikimin e vet edhe në te shqiptarët. Një fazë e shpërnguljeve kryesisht për Turqi “fillon pas periudhës 1956-1958” (Aliriza Selmani) kur erdhi në shprehje marrëveshja e realizuar në Split mes Josip Broz Titot dhe F. Kypryliut. Po përmendim vetëm përciptazi se shteti i Jugosllavisë (në trajtë të RSFJ) me profilin politik majtist, bazuar në maksimat e vet proklamuara, nuk do të duhej të lejonte të vinte në shprehje terrori dhe stimulimi i migracionit të dhunshëm (politik) vetëm ndaj një grupacioni shoqëror. Mund të thuhet me shumë siguri se substanca e popullatës shqiptarë u dëmtua shumë në këtë periudhë. Një numër i madh i familjeve të copëtuara nga emigracioni i kësaj periudhe janë evidente ende.

Migracioni si burim i konflikteve

Migrimi i pasluftës ishte fillimi i një situatë e re e cila fillonte me mbarimin spektakolar të një forme paraprake e cila ishte me karakter represiv. Emigracioni ekonomik po fillonte vrullshëm, me vdekjen përfundimtare të emigracionit të dhunshëm. Kampi i Bllacës dhe Stankovecit do të jenë episodet e fundit të migracionit të shkaktuar nga konflikti. Shumë nga emigrantët e sotshëm janë me origjinë nga një formë paraprake dhe tani vazhdojnë të jenë mërgimtarë të cilët i takojnë emigracionit ekonomik. Shumë nga ta edhe pse u kthyen ne Kosovë pas mbarimit të konfliktit, pra të nisur si migrim nga konflikti, prapë shfrytëzuan të drejtën e dhënë (apo të fituar) nga shtetet ku ishin pritur si refugjatë, ku u kthyen përsëri dhe vazhdojnë të jene ende atje. Ishte ky një laborator i dhunshëm social në të cilin shqiptarët e përjetuan këtë metamorfozë të pa parë.

Nëse ata ishin larguar nga dhuna serbe, gjë që vërtet ishte një gjë e dhimbshme, pas kthimit të tyre pas mbarimi të luftës, nuk ishin shkaqet politike e as ato të sigurisë më ato që i detyruan ata të kthehen prapa, por thjeshtë ishte dëshira e tyre për te jetuar ne shtetet përkatëse me status ekonomik më të konsoliduar se Kosova.

Konflikti i lindur mes dashurisë për atdheun dhe “luksit” që u ofrohej nga këto vende, me përjashtime të pakta, kryesisht u fitua nga kjo e dyta. Ishte kjo një shpërfaqje e një konflikti mes emocionales dhe pragmatikes e cila vinte në shprehje për herë të parë.

Duke i lënë anash fazat dhe trajtat e ndryshme të emigracionit, kur flitet për konfliktet e emigrantëve, mund të thuhet se ato u shfaqën qysh me paraqitjen e tij. Situata kur emigrimi filloi të bëhej edhe për shkaqe thjesht ekonomike është koha e një bumi ekonomik e cila erdhi në shprehje ne Evropën perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore, e cila kishte nevojë të madhe për krah pune. Ishte hera e parë që shqiptarët në ish Jugosllavisë dilnin jashtë shtetit, të cilit administrativisht i takonin, për qëllime ekonomike, me synim përfitimin ekonomik dhe rritjen e standardit të jetësor. Por kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes.

Ishin emigrantët ekonomik të cilët shkonin në botën e jashtme për të punuar, por linin pas me mijëra bashkëshorte, me apo pa fëmijë. Sado që aspekti ekonomik ishte pozitiv, qysh nga kjo fazë e emigrimit faktikisht ishte iniciuar konflikti mes emigrantëve dhe pjesëve të familjeve të tyre të mbetura në Kosovë.

Në kontekst konflikteve të mërgimtarëve mund të flasim për shpërfaqjen e konflikteve me elemente si vijon:

Konflikte sociale: Fëmijët e emigrantëve rriteshin pa njërin prind dhe konflikti fillimisht vinte si rrjedhojë e kontakteve të pa mjaftueshme mes prindërve dhe fëmijëve. Një strukturë e këtillë emigracioni nuk mundi të qëndronte. Emigrantët e këtillë individualë duke qenë në konflikt me familjet e tyre, në një situatë krejt tjetër sociale, zhvillimet do t’i precipitojnë drejt një lëvizje gjithnjë e më të madhe të anëtarëve të tjerë të familjeve të tyre drejt shteteve ku punonin emigrantët.

Konflikte ambientale: Ambienti ku jetonin dhe punonin emigrantët, me gjithë faktin se shumica e tyre nuk ishin të kualifikuar, shpuri drejt ndryshimit të qëndrimeve të tyre. Ata më nuk mund të pajtoheshin me dinamiken e një ambienti nga ku kishin shkuar. Sot gjithnjë e më shumë emigrantë pushimet vjetore i kalojnë në Egjipt, Spanjë, Turqi. Vizitat për çdo dy vite janë gjithnjë e më të shumta dhe ky trend supozohet se do të ketë rritje në të ardhmen.

Konflikte konceptuale: Konfliktet në mentalitetet e pjesëtarëve të fëmijëve të emigrantëve dhe anëtarëve të familjeve të tyre. Ata gjithnjë e më shumë qëndrimin në shtëpitë e prindërve i konsiderojnë si qëndrim në një vend të huaj;

Konfliktet ekonomike: Shihen fillet e para të një individualizmi në rritje si dukuri e cila është karakteristikë për jetën në shoqëri industriale. Trendi i remitencave pritet të zvogëlohet.

Konflikti martesore: Vjen në shprehje te një numër gjithnjë e më i madh i emigrantëve. Ky konflikt zhvillohet mes dëshirës së familjes për nuse tradicionale dhe interesit të drejtpërdrejtë të individit në vendin ku ai jeton. Nuk janë të pakta rastet kur kemi martesa të emigrantëve me anëtarë të grupeve tjera jo vetëm për rregullim statusi ekonomik (mi bo letrat), por thjeshte nga interesi i ndërsjellët martesor. Edhe pse kjo dukuri është më shumë e shprehur te meshkujt, rastet kur kjo ndodhë edhe nga femrat shqiptare me po te njëjtat arsye individuale është në rritje.

Çka duhet bërë, zgjidhja?

Një diagnozë vërtet do të ishte e mirëseardhur, por në këtë rast ajo nuk mund të jepet, pasi në fakt nuk ka zgjidhje ideale dhe të sigurt e cila do të duhej të synohej. Megjithatë diagnoza e vetme që mund të jepet është se çka nuk duhet bërë, në fakt çka duhet kuptuar në kontekstin aktual, e ajo është fakti se migrimi është bërë dukuri normale dhe e pashmangshme e shoqërisë bashkëkohore.

Migrimi është i pa shmangshëm dhe e mira e kësaj është se veç jemi mësuar me të. Në fakt jetojmë në kohën kur migrimi si fenomen edhe pse ende ekziston, i njëjti në kontekst të zhvillimeve bashkëkohore duhet të rikonceptualizohet. Komunikimet e përditshme ndër më të ndryshme po e zbehin mallin për atdhe që e krijonte mërgimi para sa vitesh. Nëse mërgimtarët e hershëm ekonomik komunikonin me letra që vinin pas dy apo tri javësh, kjo tani ndodhë drejtpërsëdrejti dhe në kohë reale, dhe thuaja pa ndonjë kufizim. Shumica e udhëtimeve me aeroplan nuk merr më shumë se tre orë në secilin cep të Evropës, prandaj nocioni i mërgimit sikur duhet të zëvendësohet me integrimin në trendët globalë, pasi, po të e abstaktojmë faktorin komercial, nuk ka më kuptim të këndohen këngë kurbeti, apo të zgjidhet miss diaspora, përderisa migrimi bëhet nga interesi ekonomik dhe si zgjedhje e preferuar individuale.

Ndoshta veç jemi duke jetuar format e para të fshatit global.