LAJMI I FUNDIT:

Mësimdhënësit, së shpejti me kontrata të përhershme

Mësimdhënësit, së shpejti me kontrata të përhershme

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA), është duke e dizajnuar një kontratë model për mësimdhënësit, e cila do të shërbejë për të gjitha komunat e Kosovës.

Deri më tani mësimdhënësit kanë pasur vetëm kontrata pune njëvjeçare, të cilat shpeshherë, me ndërrimin e pushteteve komunale, u kanë shkaktuar telashe atyre. Qëllimi i kësaj kontrate model është që të gjithë mësimdhënësit të kenë kontrata të përhershme, në përjashtim të rasteve kur mësimdhënësit angazhohen për herë të parë, që është si periudhë provuese dhe kur ata nuk e kanë kualifikimin e duhur.

Azem Guri, këshilltar i ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, ka bërë me dije për “Epokën e re” se një kontratë e tillë së shpejti pritet ta marrë formën e prerë dhe të fillojë të zbatohet menjëherë. “Kjo është e rregulluar mirë me legjislacionin në fuqi dhe me udhëzimet normative në fuqi. Ne u kemi preferuar DKA-ve, meqë janë punëdhënëse, ato t’i bëjnë pa afat, me përjashtim kur mësimdhënësi punësohet për herë të parë si periudhë provuese dhe kur nuk është i kualifikuar për vendin përkatës, ndërsa në rastet e tjera pa afat”, ka thënë Guri.


Ai ka deklaruar se kjo çështje është e rregulluar edhe me Kontratën Kolektive që është nënshkruar në mes të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe MASHT-it. Sipas tij, javën e kaluar në një takim me DKA-të është dizajnuar kjo kontratë model dhe pritet që shumë shpejt ta marrë formën finale. /Telegrafi/