LAJMI I FUNDIT:

“Mëkatet” e gjenive të letërsisë

“Mëkatet” e gjenive të letërsisë

Që nga Sartri që dendej me meskalinë (alkaloid psikodelik, i njohur për efektet halucinante), te dëshirat mazohiste të James Joyce. Që nga teprimet e Francis Scott Fitzgerald, tek Edgar Allan Poe që kishte një dobësi për lolitat dhe u martua me kushërirën 13-vjeçare, e deri tek nudizmi i Kafkës: të gjithë “mëkatet” e shkrimtarëve të mëdhenj janë përmbledhur në librin “Jetë të fshehta”, me autor Robert Schnakenberg.

Autori ekzistencialist serioz dhe i pikëlluar, Jean Paul Sartre, përdorte meskalinë për një vit të tërë dhe përndiqej nga obsesioni i një aragoste gjigande që e ndiqte mu në mes të ditës.

Fituesi i Cmimit Nobel William Faulkner punoi si drejtor në postë, por u dëbua kur u zbulua që hidhte pakot me letra në mbeturina.


James Joyce, autori i madh i “Uliksit”, i shkruante të shoqes që donte të rrihej me kamxhik dhe që adhuronte të gjithë pjesët më të ndyra të trupit të saj, duke iu lutur që të mos lahej dhe që të linte erën e saj mbi letër.

Shakespeare, shkrimtari i madh shmangte pagimin e taksave dhe iu nënshtrua procesit gjyqësor…

Këta janë shkrimtarët që sfilojnë në një libër argëtues me titull “Jetët e fshehta të shkrimtarëve të mëdhenj”, me autor Robert Schnakenberg.

E kotë të përpiqesh të qëndrosh i pandjeshëm duke lexuar këto jetë shkrimtarësh: të jep një shije të lehtë prej “voajeri” të zbulosh që Dickensi ishte kaq i obsesionuar nga pastërtia, saqë kur një mik i cili i kishte ardhur për vizitë largohej, ai pastronte me imtësi dhe personalisht çdo gjë që ai kishte prekur.

Dridhesh kur lexon që maçoku i Gertrude Stein dhe Alice Toklas quhej Hitler. Dhe, fakti që Salinger, sipas bijës së tij, pinte për qëllime terapeutike urinën e tij.

Libri nuk është i bërë vetëm me anekdota, por edhe me profile biografikë dhe letrarë, të shkurtër po të saktë dhe të informuar, dhe ka meritën që luan me historitë që rrëfen, pa e zbehur aspak vlerën e aktorëve. Ndonjëherë të krijohet përshtypja që ajo çfarë zbulohet prej këtyre jetëve është e tepruar, e çuditshme, e kotë për të kuptuar jetët e shkrimtarëve: po si mund të mos shohësh një lidhje shumë të fortë mes dashurisë së Joycet për trupin e palarë dhe disa faqeve të paharrueshme të “Uliksit”, ku në skenë është Molly Bloom? Po kështu, shkumëzimi në gjendje dehje në disa faqe të Scott Fitzgeraldit, nga “Getsbi i Madh” tek “E zezë është nata” duket i ilustruar më së miri nga një Fitzgerald që tymos kartëmonedha pesëdollarëshe dhe që në një festë u paraqit bashkë me Zeldan duke ecur këmbadoras: për të mos folur për Zeldan, e cila në një hotel luksoz thirri zjarrfikësit dhe kur ata erdhën dhe e pyetën se ku ishte zjarri, u tregoi zemrën e saj!

Për pjesën tjetër, jetët e shkrimtarëve, të para në kundërdritë mund të jenë edhe një ftesë për t’u afruar me letërsinë, për ata që mendojnë se letërsia është e mërzitshme, skolastike dhe e respektueshme: të zbulosh që Edgar Allan Poe, ashtu si Humberti i Nabokovit që kufizohet vetëm tek ëndërrimi për Lolitën, u martua jo në ëndërr po në realitet me kusherinën trembëdhjetëvjeçare!

Për të mos folur sërish për Fitzgeraldin – i obsesionuar nga dimensionet e organit të tij gjenital, dikur i gjendur në një bar thirri Hemingwayn në banjë dhe i kërkoi që ta shohë e t’i thotë se mos e kishte shumë të vogël. Hemingway, pasi e kishte parë me seriozitet, i kish thënë mikut të tij që e kishte në rregull.

Shkrimtarët paraqiten jo vetëm të çuditshëm dhe të brishtë si të gjithë. Po ta mendosh mirë, a nuk është pikërisht për këtë arsye që janë në gjendje të rrëfejnë dhe përshkruajnë pasionet dhe mangësitë e çdokujt? Pastaj janë historitë që hedhin dritë edhe një epokë, mbi atë që quhet fryma e kohës: për shembull të qënurit vegjetarian dhe nudist për Franz Kafkën në fillimet e 1900. Apo, mënyra e jetesës së Salingerit, i cili i kuronte fëmijët duke praktikuar akupunkturën, jo me gjilpëra, por shkopinj shumë të hollë të tipit Ikea.

Histori të tjera zbulojnë më shumë, në kuptimin që shihet për herë të parë diçka që ndryshon pikëvështrimin për një shkrimtar: për shembull fakti që Alcott, autori i “Gra të vogla” i urrente librat e saj mirëbërës dhe ëndërronte të shkruante për krime të ndyrë dhe fantazi gotike. Për më tepër, përdorte me tepri opiumin.

Pra, këto jetë të fshehtat e shkrimtarëve të mëdhenj që nuk të lënë të mërzitesh, duke na kujtuar që e vërteta dhe forca e një shkrimtari qëndrojnë vetëm në atë që shkruan. Dhe, meqë jemi tek “politikisht korrekt”: Shakespeare, ndryshe nga shumë të tjerë që nuk kanë shkruar kryevepra, në fund taksat i pagoi. /Il Messaggero/bota.al/

Në trend Kultura

Më shumë
PLAK BUDALLA

PLAK BUDALLA

Fjala+
POETI

POETI

Poezi
Çorapet e arnuara të shokut Enver

Çorapet e arnuara të shokut Enver

Kulture
BIR

BIR

Poezi
NËNA IME

NËNA IME

Fjala+
“Ditët e Mios”

“Ditët e Mios”

Kulture
Kalo në kategori