LAJMI I FUNDIT:

Më jep – të jap!

Po afrohen zgjedhjet në Universitetin e Prishtinës, për Parlamentin e Studentëve. Fushata – nëse mund ta quajmë kështu – ka nisur duke zgjedhur kandidatët nëpër fakultetet përkatëse. Takime të shumta po mbahen nëpër organizatat studentore, për të zgjidhur hallin se si t’ia bëjnë për të marrë sa më shumë vota.

Takimet bëhen kudo, pa marrë parasysh vendin: në fakultet, në zyre apo në kafe… Me rëndësi është që viktima (studenti) e rastit të bjerë në grackë!


I sheh studentët duke folur dhe duke biseduar me njeri-tjetrin. Athua ka diçka interesante për të thënë? Por, kur afrohesh, llafi menjëherë sillet te këto organizata. E pyes veten: po ku ishin këta më parë? Mos ndoshta në gjumin letargjik dimëror, bashkë me xhaxhin ari? Apo, kanë bërë nja dy vite pushim dhe sillen lartë e poshtë për t’i fituar edhe dy vite të pushimeve tjera.

Sikur këto takime studentore t’i shfrytëzonin për mësimet e tyre, punët do të shkonin më mirë, e jo kështu siç janë kështu…

Të ndalojnë në rrugë pa të njohur hiç dhe menjëherë fillon tema e organizatës. Disa mbesin të shtangur, disa janë mësuar me sjelljet e tyre, e disa të tjerë ju premtojnë se do t’i votojnë. Një pjesë tjetër i marrin me të mirë dhe ju thonë: vazhdoni rrugën andej nga keni ardhur, e na lini rehat se asgjë nuk keni bërë deri tani.

Normalisht, reagimet e tilla këto organizata i mirëpresin “me kënaqësi”, mirëpo pas ndahen me këta të fundit, nisin pëshpëritjet: Ky nuk e hëngri dot, ishte i zgjuar thiu, herën tjetër duhet të jemi më bindës…

Në këtë fushatë mund të dëgjosh premtime nga më të ndryshmet, të cilat nuk e nxisin aktivitetin e studentëve për të mësuar. Përkundrazi, i bëjnë pasivë dhe manipulues: në fillim duke i pyetur se në cilin fakultet janë, pastaj se cili është profesori më i vështirë. E, kur ia gjejnë studentit pikën e dobët, fillojnë me premtimet boshe dhe intrigat nganjëherë shokuese. Ata thonë se pa problem mund t’ua kryejnë provimin më të vështirë! Gjithashtu, premtojnë se i kanë të gjitha mundësitë t’i lirojnë nga pagesa e semestrave. Mes tjerash, thonë se do të organizojnë aktivitete argëtuese, do t’i çojnë në Brezovicë, t’u japin një kafe a darkë, e çfarë tjetër…

Organizatat përdorin çdo mënyrë të mundshme, vetëm e vetëm për t’i manipuluar studentët. Më së shumti bien viktimë studentët e vitit të parë, sepse ata nuk i dinë këto gjëra dhe s’kanë informacione për zgjedhjet studentore. Kurse, tek studentët e viteve të tjera, muhabeti është ndryshe: organizatat e dinë se këta nuk janë aq naivë sa të bien menjëherë në grackë. Dhe, kjo gjë ka bërë që ata të ndryshojnë taktikë dhe t’u premtojnë poste të ndryshme, duke i magjepsur derisa të mendojnë se e kanë bërë punën e tyre.

Nga të gjitha premtimet që studentët e këtyre organizatave i kanë bërë, asnjë nuk është në dobi të studentit. Nga ana tjetër, as që ju përmbahen atyre më vonë. Është kjo sjellje premtuese për politikanë të ardhshëm!

Ata të cilët me të vërtetë përfitojnë materialisht dhe që kanë lehtësime edhe në fakultete, janë anëtarët e ngushtë apo të afërt nëpër organizata, kurse studentët tjerë harrohen. Ashtu si politikani që mbush barkun e populli rri me barkun boshë, njëjtë ndodhë me studentët dhe “liderët” e tyre.

Dikush do të thotë: ç’lidhje ka politika me studentët?

Lidhja është shumë e thjeshtë, sepse në momentin që ndërhynë politika, interesat dhe përfitimet bëhen në kurriz të taksapaguesit (qytetarit). Nuk kanë rëndësi mjetet të cilat i përdorin dhe si i përdorën ato, sepse me rëndësi është doktrina makiaveliste që qëllimi të arrihet me çdo kusht. Për rrjedhojë, këta studentë janë trashëgimtarët e fronit që do të vijnë më vonë. Thjeshtë, kanë kujt t’i ngjajnë: paraardhësve – politikanëve!

Qëllimi i krijimit të organizatave nuk është që të përfitojë vetëm një grup i vogël që t’i plotësojë qejfet e rektorëve, por rregullimi i gjendjeve të studentëve. Gjithashtu, organizatat duhet të jenë ato që bëjnë reforma dhe që përfaqësojnë zërin e studentëve, e jo të bëhen pjesë e manipulimeve të vazhdueshme nëpër fakultete. Pra, ata janë larguar shumë prej qëllimit te tyre dhe janë tjetërsuar komplet në një ingranazh të politikës.

Këta studentë që janë në krye të këtyre organizatave, do të jenë në poste të larta nesër nëpër institucione. Korrupsioni nuk lind menjëherë (sa hap e mbyll sytë), por ai kultivohet me kalimin e kohës dhe farat e para mbillen nëpër këto situata.

Ne po mërzitemi me politikanët tanë që korrupsioni u ka zënë sytë, veshët dhe zemrën. Por, gjithashtu duhet të mërzitemi se brezat që po shkollohen janë duke marrë të njëjtin ves, apo le të themi sëmundje ngjitëse, e cila i ka kapluar politikanët në përgjithësi.

Këta do t’ua lënë stafetën këtyre të rinjve. Korrupsioni, manipulimet, dallaveret që janë sot do të jenë edhe në të ardhmen. Gjendja nuk ka për të ndryshuar edhe në brezin që po vjen. Sepse, duke parë sjelljet e rinisë, ne shikojmë të ardhmen tonë.

Pas gjithë kësaj që u cek, lind pyetja a të dalim në votim a jo?

Nëse nuk votojmë, prapë njëra nga këto organizata do të jetë në krye. Nëse japim votën, atëherë nuk duhet harruar se përpara votimit duhet të njoftohemi me programin e organizatave dhe të analizojmë se cila organizatë ka strategjinë e duhur dhe është e përshtatshme për votë.

Kur studentët kërkojnë përgjegjësi dhe insistojnë të dinë më shumë për organizatat dhe plan-programet e tyre, kjo gjë tregon vetëdijesimin e tyre. E kur ata vetëdijesohen, shtohet edhe ndjenja e përgjegjësisë së organizatave. Pjesë e vetëdijesimit janë edhe debatet publike, për njohjen sa më të afërt me organizatat dhe ballafaqimin midis njëra-tjetrës.

Studentët në këtë mënyrë do të jenë më të aftë të njohin se cila organizatë është më e mira apo më pak e keqe. Atëherë, siç thotë thënia e urtë, “midis dy të këqijave, zgjedhe atë që është më pak e dëmshme”!