LAJMI I FUNDIT:

Më 2014 u sekuestrua pasuri në vlerë prej 24 milionë eurove

Më 2014 u sekuestrua pasuri në vlerë prej 24 milionë eurove

Vlera e pasurisë së konsistuar ka arritur në 24 milionë euro, gjatë vitit 2014 në Kosovë, ndërsa 700 mijë euro janë konfiskuar. Kështu ka deklaruar, Rrahman Rama, Kryeshef i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar në një debat të organizuar nga Lëvizja Fol me temën “Konfiskimi i pasurisë në Kosovë – puna një vjeçare e institucioneve”.

Rama shtoi se para disa jave ka bërë publike se në buxhetin e Kosovës ka derdhur 250 mijë euro që kanë qenë pasuri e konfiskuar. “Gjatë vitit 2014 ne kemi 24 milionë pasuri të sekuestruara dhe të ngrira, pra vlera e përafërt me vendim përfundimtar sillet diku 700 mijë euro. Unë edhe para dy tri jave e kam bërë publike që kam derdhur në buxhetin e Kosovës 250 mijë euro që kanë qenë pasuri të konfiskuara. Vetëm në dy mujorshin e vitit 2015 kanë ardhur vendime që kanë qenë paraprake se çështjet e vendimeve marrin kohë. Kështu që ne tani jemi në fazën ku shumë vendim që janë marrë në vitin 2012 dhe 2013 dhe 2014 që janë në fazën e sekuestrimit dhe tash kalojnë në fazën e konfiskimit në rast vërtetohet ajo në gjykatë”, tha Rama.

Rama tha se që nga themelimi i këtij agjencioni, ata kanë kaluar nëpër shumë sfida, por sfida më e madhe që ka qenë gjatë vitit 2014 është mos organizmi i ankandeve për të shitur pasurit e konfiskuara.


“Si sfidë që e kemi pasur në vitin 2014, por që na përcjell edhe në vitet e mëparshme, neve pak na lejojnë me organizimin e ankandeve, sepse me ligj është e paraparë që pasuria deri sa nuk konfiskohet është në mbikëqyrjen e prokurorit edhe çdo veprim që ne e marrim, ne duhet ta kemi lejen paraprake dhe çdo veprim që kalon në fazën e konfiskimit, atëherë ne i zhvillojmë procedurat që janë të parapara me ligj. Kështu që edhe në raportin e progresit është një vërejtje që në Kosovë janë organizuar pak ankande, prej të gjitha kërkesave që i kamë bërë vetëm 2 më janë lejuar gjykata. Gjithashtu, një problem që neve na përcjell, duke pasur parasysh që ne jemi një agjencion që duhet sjell benifite buxhetit të Kosovës e jo t’i sjellim shpenzime është edhe çështja e veturave të shtrenjta, të cilat në rast se vazhdojnë të rrinë me vite aty, ato do të ju humb vlera dhe ku është llogaria tani”, tha ai.

Ai shtoi se veturat e grupeve kriminale është mirë që të shfrytëzohen nga ana e shtetit në mënyrë që kjo të jetë një mesazh për të gjitha ato grupe kriminale, se çfarë do pasurie e tyre në fund do t’i takoj shtetit. /Telegrafi/