LAJMI I FUNDIT:

Mbi kritikën ndaj figurave publike

Mbi kritikën ndaj figurave publike

Po e shoh se, në pamundësi të bëjmë më tepër, shumë nga ne jemi shndërruar në atë lepurin e anekdotës. Atë lepurin e fortë e trim që mund dhe do ta hajë ujkun.

Interesant mbetet fakti se, në rastin tonë, kur po kritikojmë ‘ujkun’, nuk po na hidhërohet vetëm ai, por po na hidhërohen edhe shokët e tij dhe, shih çudinë, edhe shokët tanë. Tjetër gjë interesante është edhe fakti se kritikat tona ndaj ujkut po i marrin si personale të dyja palët. Edhe ujku po preket e, çudia e Zotit, edhe shokët e tij – besa edhe shokët tanë – po i marrin këto kritika si personale. Krejt personale.


Prandaj, me qëllim që mos të hidhërohemi edhe më shumë, është mirë që t’i caktojmë rregullat e lojës. Bile, disa nga to. Dhe, kjo vlen jo shumë për ujkun – sepse ai si ujk që është, nuk pyet për rregulla, sidomos jo për rregulla tona – por për shokët e tij dhe, u mor vesh, për shokët tanë që shohin, dëgjojnë e lexojnë çdo ditë kritikën tonë publike ndaj, prapë u mor vesh, figurave publike, sidomos atyre politike, vendimmarrêse, ekzekutive.

E para çfarë duhet të thuhet është se në kritikën ndaj figurave publike nuk ka asgjë personale. Asgjë! Kur kritikojmë Hashim Thaçin, ne po e kritikojmë Presidentin Thaçi, jo atë djalin nga Broja. Kur e kritikojmë Ramush Haradinajn, ne po kritikojmë Kryeministrin e Kosovës, jo djalin e Hilmiut nga Gllogjani. Natyrisht se Albin Kurtin nuk e kritikojmë si Albin, por si politikan, si ideator, themelues dhe lider të partisë më opozitare që ka Kosova. Dhe, u mor vesh, nuk na ka interesuar të kritikojmë asnjë aspekt të jetës private të ish-Presidentes Jahjaga.

Për shembull, unë në jetën e përditshme do të dëshiroja ta takoj Ramush Haradinajn dhe ta pyes për shumë gjëra. Sidomos për luftën dhe vullnetin e hekurt për të mos u përkulur, pavarësisht sfidave, vështirësive, tragjedive e kurtheve të jetës. Sa do të doja të bisedoj (më saktë, ta dëgjoj) me Albin Kurtin. Ai është një ndër mendjet e ndritura dhe është, sikur tha dikush para disa ditësh, një shtëpi kulture – unë do të shtoja, një bibliotekë – për shumicën nga politikanët tanë, ndaj do të kisha kënaqësinë të flas me të. Por, kjo nuk guxon të më ndalojë që t’i kritikojë, dënoj, kundërshtoj, luftoj veprimet e sjelljet e tyre nga pozita e kryeministrit/politikanit. Kurrqysh!

Digresioni 1: Paramendoni nëse Ismail Kadare do të ishte, do të thoshte për vete dhe të tjerët do të thoshin për të se është vetëm shkrimtar. Vetëm shkrimtar. Në atë rast, shkrimtari Kadare do të merrte kritikë (shumicën e rasteve atë që quhet kritikë pozitive) vetëm nga kritikët letrarë, vetëm nga kolegët shkrimtarë, tekefundit vetëm nga lexuesit. Duke qenë shkrimtar gjenial, kritikat për të dhe veprën e tij do të ishin të rralla, të ngushta, profesionale dhe ekskluzivisht letrare. Por, në momentin që poltronët, mediokrët dhe servilët në sferën letrare dhe – sidomos – politike, ia dhanë dhe ai e pranoi pa hezitim dhe pa ekuivoke epitetin dhe titullin “baba i kombit”, atëherë rrethi i kritikës dhe kritikëve u zgjerua dhe zgjerohet ende më shumë. Pse? Për shkak se një “babë i kombit” mund të ndikojë në jetën tënde dhe në jetën time. Me fjalët e tij, të thëna dhe të shkruara, me deklarimet, shkrimet, paraqitjet publike, librat, debatet, polemikat e angazhimet tjera, ai “baba i kombit” mund të ndikojë dhe ndikon në jetën time, në jetën e fëmijëve të mi, në ardhmërinë e tyre. Dhe, është legjitime që edhe vogëlsia jonë ta kritikojë Kadarenë. Pse jo? (fund i digresionit)

Por, çfarë kritikojmë pra? Dhe – nëse nuk na ndalni me forcë e me dhunë – çfarë do të vazhdojmë të kritikojmë. Ne kritikojmë dhe do të vazhdojmë të kritikojmë fjalët, deklarimet, sjelljen, paraqitjen, veprimet, joveprimet, performancën e figurave publike në vendimmarrje. Me një kusht: që të gjitha këto të jenë bërë në kapacitetin zyrtar, d.m.th. gjatë detyrës në pozicionin ku është zgjedhur – direkt apo indirekt – nga ne. Dhe, ka një arsye për këtë.

Arsyeja pse ne kritikojmë fjalët, deklarimet, sjelljen, paraqitjen, veprimet, joveprimet, performancën e figurave publike në vendimmarrje, është se këto fjalë, deklarime, sjellje, paraqitje, veprime, joveprime, performancë e figurave publike në vendimmarrje mund dhe ndikon në jetën tonë, në mirëqenien, sigurinë, lirinë, dinjitetin, perspektivën dhe ardhmërinë tonë. Dhe, jo vetëm për ne, por edhe për familjen tonë, të dashurit tanë, rrethin tonë, shokët, kolegët e bashkëkombësit tjerë dhe sidomos – dhe, prapë, sidomos – për fëmijët tanë dhe ardhmërinë e tyre.

E, si të mos merakosemi pra, si të mos shqetësohemi, si të mos pyesim e interesohemi, si të mos kritikojmë pra?! Si të mos e ngrisim zanin?!

Puna që u kemi dhënë nuk është aq e parëndësishme sa t’ua japim vetëm rrogat aty.

Rrogat e mira, është fjala.

Digresioni 2: Për shkak të një historie, që nuk ka nevojë të ritregohet këtu, familja Jashari ka pasur dhe ka një status të veçantë në Kosovë, por edhe më gjerë. Statusi i kësaj familjeje martire, mes tjerash, ngërthen në vete – si një ligj i pashkruar – edhe përjashtimin nga kritika publike. Me një fjalë, familja Jashari ia ka siguruar vetes njëfarë imuniteti nga kritika publike. Dhe, duhet thënë këtu, si rrallëherë në histori – e rrallë sikur edhe historia e kësaj familjeje – familja Jashari nuk ka abuzuar me këtë imunitet. Nuk ka abuzuar me lirinë që ia sjell statusi i veçantë. Nuk e ka keqpërdorur kurrë këtë liri, përkundrazi ka pasur sjellje shembullore edhe në atë që lidhet me fjalën, sjelljet dhe veprimet publike. Mirëpo, para disa ditëve, njëri anëtar i kësaj familjeje, Bekim Jashari, pasi ishte zgjedhur për Kryetar të Komunës së Skenderajt, u betua dhe ka filluar punën në këtë detyrë. Tani, kemi një situatë tjetër. Familja Jashari natyrisht se do të ketë imunitetin nga kritika publike, por jo Bekimi. Bekim Jashari, si kryetar i komunës, tani do të jetë një zyrtar. Si çdo zyrtar tjetër, puna, mospuna, sjellja, performanca, paraqitja publike e gjithçka tjetër gjatë orarit të punës, mund të ndikojë në jetën e njerëzve të komunës së tij. Prandaj, u mor vesh, Bekim Jashari tash e mbas, për arsyet që u përpoqëm t’i themi më lart, duhet t’i nënshtrohet kritikës publike. Si gjithë zyrtarët e tjerë, si të gjitha figurat tjera publike dhe, sidomos, vendimmarrëse (fund i digresionit).

Këto janë rregullat. Sa më mirë dhe sa më shpejt që i mësojmë dhe zbatojmë, aq më mirë do ta kalojmë dhe aq më pak do të harxhojmë energji për punë që janë të thjeshta dhe lehtë të kuptueshme.

Dhe, sigurisht se do të arrijmë në një stad më të zhvilluar, më të përparuar, tekefundit më bashkëkohor, më emancipues të sferës publike.

Atë që shprehet më një shprehje globale: Asgjë personale!