LAJMI I FUNDIT:

Mbi 38 milionë euro të hyrat nga makinat

Mbi 38 milionë euro të hyrat nga makinat

Buxheti i Kosovës ka përfituar rreth 39 milionë euro nga të hyrat e taksave për 15389 veturat, të cilat janë importuar për 11 muajt e këtij viti. Për zhdoganimin e tyre janë paguar 12 milionë euro me taksë 3.4 milionë.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës , Adriatik Stavileci, ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se deri në fund të nëntorit në Kosovë kanë hyrë 15 389 makina në vlerë prej 81.7 milionë eurosh, me taksë prej 35.4 milionë eurosh. Sipas Stavilecit, në Kosovë për 11 muaj kanë hyrë 904 copë makina të reja, që kapin vlerën e zhdoganimit 12 milionë euro dhe pagesë të taksës 3.4 milionë euro. Ndërkaq, markat më të preferuara nga qytetarët e Kosovës për makina janë gjermane, franceze dhe italiane.
Menaxheri gjeneral në Autotrade “TOYOTA”, Bujar Hoxha, ka thënë se nëse e pjesëtojmë shifrën 81.7 milionë me numrin e veturave, kemi një çmim rreth 5350 euro për automjet. Sipas tij, kjo shifër tregon se gjendja e këtyre automjeteve nuk mund të jetë e mirë.

“Kjo do të thotë se ato automjete janë të harxhuara dhe të cilat shiten me çmime të lira në shtetet e BE-së”, ka thënë Hoxha. Ai ka shtuar se në Kosovë numri i automjeteve të vjetra të importuara ka shënuar ngritje, pasi është ngritur limiti i vjetërsisë së automjeteve nga tetë deri në 13 vjet. “Ky vendim ka ndikuar të rritet importi i automjeteve më të vjetra se tetë vjet, gjë që është brengosëse, meqenëse ato edhe mund të mos jenë në gjendje shumë të mirë teknike”, ka deklaruar ai.


Ndërkaq sa iu përket makinave të reja, që janë importuar në Kosovë gjatë 11 muajve të këtij viti, Hoxha ka bërë me dije se numri i tyre është jashtëzakonisht i ulët në krahasim me vendet në rajon. “Në këtë ka pasur ndikim niveli i lartë i kamatave nga institucionet financiare, të cilat edhe nuk ia kanë dhënë kujdesin e duhur industrisë së automjeteve. Në anën tjetër, edhe Qeveria e Kosovës është shumë pasive në këtë drejtim sa i përket stimulimit të blerësve të automjeteve të reja në krahasim me ato të vjetra”, është shprehur Hoxha. Ai ka thënë se do të duhej të stimulohej rritja e importit të veturave të reja. “Rritja e importit të makinave të reja në Kosovë mund të kishte ardhur në disa mënyra: stimulimi me anë të taksave rrugore, stimulimi për blerje të automjeteve që kanë nivel shumë të ulët të emisionit të gazrave si dhe automjeteve hibride”, ka thënë ai.

Hoxha ka shtuar se niveli i akcizës që paguhet në Kosovë është i pranueshëm. “Akciza nuk ka ndikim të madh në blerjen e automjeteve të reja. Problemet me të cilat përballen autotregjet në Kosovë janë të natyrave të ndryshme. Problemet ditore janë regjistrimi i veturave në qendra të regjistrimit, dërgimi i automjeteve të reja për certifikim të homologimit dhe kontrollim teknik. Kemi raste kur bëhet mospranimi i kontratave të shitblerjes nga dilerët e autorizuar”, ka deklaruar Hoxha. /Telegrafi/