LAJMI I FUNDIT:

Marrëveshje me bisht

Shtrirja e sovranitetit në terë territorin e Republikës së Kosovës, jo vetëm që është e drejtë shtetërore, por ishte nevojë dhe e domosdoshme. Mirëpo, a u organizua edhe aksioni policor në veri në mënyrën më të mirë, kjo mbetet një pikëpyetje e madhe.

Të gjithë e pamë që ishte një aksion spektakular, i cili u mirëprit nga opinioni i gjerë pa dallim partie, ideologjie apo diçka tjetër, sepse thjeshtë ishte i qëlluar. Nëse të gjithë pajtohen me një veprim të qeverisë dhe e mirëpresin, kjo nuk do të thotë që qeveria e beri këtë punë në mënyrën më të mirë. Aksioni policor, i ndërmarrë nga qeveria e vendit, pak dit me vonë po del që ishte totalisht i pa menduar, i pa analizuar si duhet dhe i papërgatitur


Së pari u vërejt qartë se forcat policore nuk ishin të përgatitura për vendosjen e rëndit në veri. Atyre nuk ju mungonte vullneti, dija, aftësia dhe guximi për këtë . Por ju mungonin mjetet e nevojshme. Kishte mungesë të teknikes dhe armeve e gjerë të ushqimi, i cili u vërejt si problem dhe mangësive të tjera të evidentuara të cilat janë të nevojshme për aksione të këtilla. Mangësia (mungesa) më e madhe me gjasë ishte mosvendosmëria politike që urdhërdhënësve pra qeverisë së vendit. Që do të thotë mosmbështetje dhe tërheqje mbrapa nga ky aksion.

Pas këtij aksioni u vërejt qartë se Qeveria e Republikës se Kosovës nuk e kishte as idenë më të vogël se si do të mbaronte ky aksion, i cili filloi, por epilogu i tij ishte i panjohur për qeverinë e vendit. U futen me shpresën se trupat e NATO-s me në fund do të ndërhynë se nuk do të lejojnë të eskalojë dhuna apo edhe ndonjë luftë e re.

Duke i njohur kapacitetet tona që janë të pamjaftueshme, kjo mund edhe të kuptohet se ishte vetëm një manovër e cila i futi forcat e NATO-s para një akti të kryer apo më mirë me thënë të nisur, e që tani ata duhej reaguar meqë janë përgjegjës për sigurinë në vend.

Kjo edhe funksionoj deri diku, por pse pastaj u bënë lëshime? Pse u lëshuan në marrëveshje me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës? Pse qeveria hoqi dorë nga deklarimet e mëhershme të vijave të kuqe? Kjo vërtet nuk është e kuptueshme. Çfarë na mungon ne si shoqëri? Pse bimë përtokë para presionit ndërkombëtarë?

Kjo marrëveshje i hapi rrugë negociatave për status special të veriut. Plani i shumë përfolur Ahtisari plus i cili krijon një entitet brenda shtetit të Kosovës, shtet i cili edhe ashtu i brishtë dhe i pakonsoliduar, tani do t’i vihet një pengesë e re (kleçkë) në këmbë e cila nuk do ta lejoj që të prosperoj.

Shteti serb vazhdimisht ka provokuar me qëndrime të ndryshme, kundërthënëse por të koordinuar mirë nga zyrtaret e shtetit, qëndrime në të cilat qeveria kosovare ka ra gjithmonë viktimë. Zërat e Tadiqit për pajtim kombëtar gjoja që nuk i penguaka atyre një Shqipëri e madhe u morën shumë seriozisht nga shumë shqiptar e me gjasë edhe nga vet institucionet. A thua u deshtë të jemi aq naiv, sa të mendojmë që Serbia po donë ta bëj Shqipërinë e madhe.

Kërkesa për ndarje të Mitrovicës, ishte dhe mbetet projekt i parealizueshëm, këtë e dinë edhe serbët, bile me mirë se ne vet. Jo pse është projekt të cilin e pengojnë shqiptarët dhe për shkak të reagimit shqiptar do ishte i pamundur. Por për shkak të qëndrimeve strikte të Grupit të Kontaktit, për mosndërhyrje dhe mos ndryshim të kufijve. Qëllimi i tyre primar është paqja e qëndrueshme, por jo edhe funksionaliteti i shteteve të krijuara brenda territorit të ish Jugosllavisë.

Serbia, duke ditur këtë kërkoj të pamundurën, në mënyrë që ta fitoj të mundshmen, e mundshme është pra njëfarë Ahtisari plus për veriun e Kosovës, këtë e kanë deklarua edhe publikisht duke aluduar se nuk bën njëra palë të fitoj gjithçka kurse tjetra asgjë. Ndërsa dyert për realizimin e këtij qëllimi ua hapi vet qeveria e Kosovës. Faktori ndërkombëtarë tani është para një situate, e cila do zgjidhje, dhe i propozon palëve marrëveshje të balancuara të përkohshme, të cilat në fund të bisedimeve duhet të sjellin zgjidhje afatgjata.

Çfarë mund të jenë ato zgjidhje? Me siguri jo aso që do ta betonojnë sovranitetin shtetërorë të Republikës së Kosovës. Ngase në qoftë se do ishte qëllimi aty nuk do të kishte pas nevojë për asnjë marrëveshje të përkohshme, ngase po bëhet fjalë për një territor të brendshëm të një shteti “sovran”. Një shtet sovran nuk ka nevojë të bëj marrëveshje me fqinj për punët e brendshme. Ai nëse ka probleme i zgjedh ato, duke i shpërndarë turmat e protestuesve, duke eliminuar barrikadat nga rruga, duke i hetuar organizatoret e krimit dhe duke i sjell para drejtësisë. Kështu do duhej bërë dhe kështu funksionon shteti sovran.

Këtu patjetër duhet të shtrohet një pyetje. A mos ndoshta strukturat kriminale janë të involvuara dhe kanë ndikim edhe në qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, dhe se vënia e rendit përfundimisht nuk ju konvenon as disa shqiptarëve, ngase do duhej ndërpre burimet e pashtershme materiale, nga krimi kontrabanda dhe akte tjera kriminale? Kjo mbetet të shihet në të ardhmen. Koha do ta tregoj të vërtetën.

Një e vërtet e hidhur po duket që po i vije Kosovës e ajo është Ahtisari plus, që rrjedh si produkt i gjashtë pikëshit të Banit. Këtë e dëshmon vet fakti që qeveria e vendit pasi bëri buj të madh për një aksion spektakular e të “suksesshëm”, prapë pranoi kushte dhe marrëveshje të cilat e shtyn Kosovën në negociata për territorin e saj, e si rezultat i tyre me siguri që do jetë kompromisi, i cili për Kosovën do jetë shumë, shumë i dhimbshëm. Do kisha pas dëshirë që këto parashikime të dalin të gabuara, por se a do jenë do të tregojë vet koha.