LAJMI I FUNDIT:

Marrëveshja për të qenë pakicë

Dhjetë vjet kaluan nga Marrëveshja e Ohrit dhe interpretimi i lehtësuesit James Pardew është se nga kjo marrëveshje është bërë punë e mirë në njohjen e të drejtave dhe privilegjeve të pakicës. Ky është përshkrimi i sotëm i kësaj marrëveshje, e nxjerrë me qukë të zorit nga dy raundet e negociatave në Ohër.

Liderët shqiptarë – Arbën Xhaferi dhe Imer Imeri nuk e kishin idenë se për çfarë po negociojnë. Këshilloheshin nga disa ndërkombëtarë, në këtë rast Xhaferi, dhe u pajtuan me atë çfarë u ofrua si kompensim – ndërprerjen e krismave të pushkëve.


Pasojat e kësaj marrëveshje sollën sërish pakënaqësi tek shqiptarët, të cilët kanë fituar të drejta fiktive, ndërsa nxorën dilemën nëse duhet pranuar dokumentin si të tillë, që ka garanci ndërkombëtare, por që nuk ka karakter detyrues. Doli se Xhaferi dhe Imeri kanë pasur presion nga “njerëzit në mal” për të nënshkruar versionin përfundimtar, të farkuar gjatë negociatave tensionuese treditëshe në Ohër. Ali Ahmeti sot e kësaj dite rrah gjoks se ai ka gisht në nënshkrimin e këtij dokumenti, që nuk ndryshoi karakterin e shtetit dhe as pozitën e shqiptarëve.

Por, nuk kishte faj Xhaferi. Luftëtarët e Ahmetit ishin lodhur nëpër male. Ishte vapë. Dëshironin sa më shpejtë të zbritnin nëpër qytete dhe të shkojnë në pushime. Të dy fazat e negociatave i kam përcjell nga afër, si gazetar. Dhe, nuk di sa thirrje kisha gjatë dy ditëve të fundit të negociatave në Ohër nga komandantë të ndryshëm, të cilët kishin arritur ta gjejnë numrin tim. “Ej, a u nënshkrua marrëveshja, bre?”, ishte në pyetje e një komandanti që nuk arrita t’ia mësoj emrin. Si ai shumë ish-pjesëtarë të UÇK-së, vazhdimisht kërkonin të dinë nëse marrëveshja është nënshkruar.

Në versionin paraprak flitej për një model shumë të avancuar të funksionimit të shtetit multientik me tipare të rregullimit federal, por pala maqedonase u tregua me e zgjuar dhe nuk u dorëzuar para presionit të ndërkombëtarëve për ta nënshkruar. U deshtë që të ndryshojë edhe versioni i parë dhe të “zbuten” pak maqedonasit, duke parë se kishte ndodhur Lubeteni dhe Karpallaku, dhe shkëndijat e luftës mund të merrnin përmasa të gjera dhe të thyhej armëpushimi, edhe pse Pieter Feith e kishte “zhveshur” UÇK-në dhe NATO-ja garantonte paqe.

Në ditën e parë të nënshkrimit menjëherë dolën në sipërfaqe defektet e kësaj marrëveshje. Arbën Xhaferi u thirr në një pikë të dokumentit dhe foli në gjuhën shqipe. E zyrtarizoi për një moment. Por, reagimi i Lubço Georgievskit ishte manovër për të amortizuar dhe kontestuar përdorimin e gjuhës shqipe, e cila pritej në dyer të mëdha të jetë gjuhë e dytë zyrtare.

Prej atij momenti filloi zmbrapsja e maqedonasve për të implementuar këtë dokument të kishte validitet vetëm në versionin anglisht të nënshkruar nga katër liderët partiakë dhe presidenti i atëhershëm. Aty qëndronte edhe nënshkrimi i të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve – James Pardew dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së – François Leotard.

Në momentin kur ishin përcaktuar afatet për realizimit të marrëveshjes, ndodhi kthesa e madhe – Trajkovski, Georgievski dhe Cërvenkovski ratifikimin e këtij dokumenti politik e kushtëzuar me ndryshimin e versionit të Preambulës. Ndërkombëtarët, të gjetur në një situatë të tillë të papritur, iu vërsulën palës më të dobët për të lëshuar pe. Dhe, shqiptarët pranuan që të jenë pakicë, edhe pse Arbër Xhaferi këtë marrëveshje e quajti “madhështore”, ku, sipas tij, askush nuk kishte fituar. Xhaferi refuzon të pranojë se ka gabuar në perceptimin e këtij dokumenti dhe atë e lidh me konceptet dhe atavizmat e maqedonasve për ta realizuar atë që është ishte futur në Kushtetutë, si derivat i Marrëveshjes së Ohrit. Shqiptarët u mashtruan se në këmbim për të qenë element shtetformues do të legalizohej Universiteti i Tetovës.

Por, vetë Ali Ahmeti, i cili një vit më vonë, mori përsipër zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, pati thënë se deri më 20 shkurt të vitit 2004 do të detyrojë maqedonasit ta zbatojnë “pikë për pikë”. Ndërkohë kaloi një dekadë dhe krahu i tij i djathtë – Musa Xhaferi thotë se duhet edhe shumë kohë për të zbatuar në tërësi këtë marrëveshje. Ndërsa diplomati amerikan James Pardew thotë se “realizimi është deri nga mesi”.

S’do mend se Marrëveshja e Ohrit është kopjuar në pisa pika nga kryenegociatori i statusit të Kosovës, Martti Ahtisaari, por në praktikë gjërat janë shumë ndryshe dhe pozita e serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Maqedoni është e pakrahasueshme. Këtë e dinë mirë Pardew. Sepse serbishtja është gjuhë zyrtare në Kosovë dhe serbët kanë të drejta shumë më të avancuara nga Plani Gjithëpërfshirës sesa shqiptarët që kanë në Marrëveshjen e Ohrit.

Dhe, dhjetë vjet pas këtij dokumenti, që shikohet me dioptri të shtrembëruar edhe nga maqedonasit edhe nga shqiptarët, del se shqiptaret kishin bërë marrëveshje për të qenë pakicë, e nuk kishin bërë marrëveshje që në Maqedonia të pasqyrohet karakteri i saj shtetëror dhe realiteti etnik.

Edhe pas Marrëveshjes së Ohrit maqedonasit arritën të ruajnë dominimin etnik, ndërsa shqiptarët nuk arritën të kthejnë të drejtat që i kishin në Kushtetutën e vitit 1974, kur ishin element shtetformues, kishin të dejtë të përdorimit të flamurit dhe të gjuhës shqipe.