LAJMI I FUNDIT:

Marrëveshja ndërkufitare dhe izolimi i Luginës së Preshevës

Në shkrimin tim të mëhershëm “Zona e Verdhë” përveç tjerash, i paraqita komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si “geto”. Me marrëveshjen ndërkufitare mes Serbisë dhe Kosovës, për “lëvizjen e lirë” të qytetarëve nga të dyja shtetet, nuk përfitoi askush. Definitivisht askush! Si do ta quajmë tash këtë regjion, kur u bë edhe më keq!?

Qofsha i gabuar, por përveç lëvizjes së lirë, urdhëresa për pagesën e sigurimit të automjeteve nënkupton që nëse nga Serbia dikush udhëton në Kosovë me tabelat e regjistrimit të cilitdo qytet, sigurimi kushton 60 euro për 15 ditë deri në një muaj. Sigurimi vjetor do të na kushtojë mbi 600 euro.


Bindja më thotë që dështuan dy palët me këtë marrëveshje. Mund të ndodhë që e kanë bërë këtë marrëveshje për hatër të Serbisë, sepse janë afër zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi. E më shumë humbi Republika e Kosovës. Ja disa konkludime që më bëjnë të ndihem i sigurt në këtë bindje:

E para, aspekti ekonomik. Qytetarët e Luginës së Preshevës, pothuajse çdo ditë kanë kaluar kufirin për të shkuar në Kosovë. Dhe jo vetëm që e kanë vizituar Kosovën, por në këtë shtet i kanë harxhuar nga 100 euro. Kosova tash e tutje do të humbë pothuajse nga secila familje e Luginës së Preshevës 50-100 euro.

E dyta, lidhja familjare. Mbi 70% e qytetarëve të komunave këndej kufirit të Kosovës, janë të lidhur me gjak, me fis e me farefis me qytetarët e Kosovës. Pothuajse të gjithë nga Lugina e Preshevës kemi të afërmit tanë andej kufirit. Deri tash, kemi bërë çmos që t’i vizitojmë të afërmit tanë në Kosovë, me gjithë kushtet e vështira ekonomike (70% e qytetarëve janë të papunë!!!). E tash? Na duhet të mbyllemi dhe të vajtojmë në heshtje. Po po, në heshtje, sepse s’kemi më kujt t’ia qajmë hallin!

E treta, por jo edhe e fundit, “marrëveshja nuk po vlejtka për qytetarët që jetojnë në anën tjetër të lumit Ibër”. Po po, për serbët e veriut të Kosovës, është shtyrë ky vendim. Serbia, dualizmi i tyre dhe prirja për t’i mashtruar shqiptarët, gjithmonë kanë efekt. Këtë herë, siç duket, e mashtruan edhe Bashkimin Evropian. Në buxhetin e Republikës së Serbisë për vitin 2011, është paraparë që për qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, të ndahet një shumë e konsiderueshme të hollash për mirëqenien e tyre. Dhe merreni me mend, çdo një minutë buxheti i Serbisë ndan rreth 960 euro për serbët e Kosovës. Dhe jo vetëm këtë të mirë që ia ofrojnë, por tash me marrëveshjen ndërkufitare, mund të ndodhë që qytetarët serbë, të mos paguajnë sigurim kufitar kur të hyjnë në Serbi. Dhe nuk duhet të çuditemi, sepse shteti i Serbisë gjithmonë i ka dalë në ndihmë qytetarëve të tyre.

Dhe, a mund Kosova t’ua ofrojë qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Serbi këtë të mirë? Sigurisht që po, sepse kështu mbrohen të drejtat e bashkëkombësve të një shteti. Në shumicën e shteteve të Evropës, qytetarët që jetojnë në zonat kufitare, lejohen të kalojnë kufirin edhe me letërnjoftime. Veturat e tyre janë të liruara nga çfarëdo pagese shtesë. E ne, që jetojmë në tri zonat kufitare, në perëndim më Republikën e Kosovës, në jug me Maqedoninë, dhe në lindje me Bullgarinë, çfarë lehtësimi paskemi?! Jo vetëm që nuk kemi lehtësime, por edhe na ngarkojnë me pagesa shtesë, thua se këtu në Luginë të Preshevës, është miniera e diamanteve dhe se çdo qytetar ka të holla tepër për t’i harxhuar.

Mos të harrojmë se ne këtu po mundohemi të mbijetojmë, si në aspektin ekonomik, social, kombëtar e kulturor! Po të vinin këtu Edita Tahiri, zotëri Cooper dhe Borko Stefanovic të vizitonin këtë rajon, nuk ma do mendja që do të binin në ujdi për pagesa marramendëse në kurriz të qytetarëve të Luginës së Preshevës.

Me këtë marrëveshje, humbi Kosova. E kemi parasysh që nganjëherë shtetet duhet “t’i tregojnë dhëmbët fqinjëve të tyre”, por jo në dëm të bashkëkombësve të tyre. Askush nuk e bën një gjë të tillë. Për këtë jemi dëshmitarë të shumë shteteve fqinje të Kosovës, si kujdesen për bashkëkombësit e tyre. Malazezët me çdo kusht dëshirojnë që minoriteti i tyre në Kosovë të ketë tretman të veçantë. Serbia është duke e bërë këtë që nga paslufta e Kosovës. Maqedonasit tashmë kanë formuar edhe subjekt politik në Kosovë, për ta ngritur zërin e tyre. E ne shqiptarët? Duhet t’ia plotësojmë secilit dëshirat e tyre, thuajse jemi babadimër.

Ne, qytetarët e Luginës së Preshevës, në parim nuk jemi kundër askujt. Ne thjesht dëshirojmë që Kosova dhe Shqipëria t’i tregojë botës që edhe ne jemi këtu. Jemi këtu, sepse kemi qenë gjithmonë, dhe do të mbetemi si të tillë. Dhe kjo gjë nuk ka ndonjë domethënie nëse i pengon dikujt që jemi këtu apo jo!!
“Cognito ergo sum”.