LAJMI I FUNDIT:

Marko Boçari, jeta e pazakontë e një luftëtari Skënderbejan

Marko Boçari, jeta e pazakontë e një luftëtari Skënderbejan

Mihallaq Qilleri

Nëse ka një figurë aq të madhe nga bota e arvanitasve të Greqisë, nëse ka një njeri që i dha kaq shumë tokës helene, por mbi të gjitha revolucionit të vitit 1821, nëse ka një arvanitas, që nuk e mohoi kurrë origjinën e tij, ky ka qenë padyshim Marko Boçari.


Ka mbledhur pas kujtimit të tij kaq epos ky suliot i madh, sa sot vështirë se kombi për të cilin derdhi gjakun, do të pranonte lehtësisht të lëshonte në duart tona famën, bemat, për rrjedhojë edhe origjinën e tij. Megjithatë, edhe ashtu, i pranuar me dashuri nga të dy kombet, ai i ngjan atij rrapi shekullor me dy rrënjë të thella dhe furtunat e harresës nuk do ta shkulin kurrë.

Vështirësia për ta përvetësuar këtë hero rrjedh edhe nga fakti se grekët në asnjë rast nuk kanë pranuar se krahina e Sulit ka pas qenë banuar me shqiptarë. Madje, sot, kur demokratizimi dhe evropianizimi i shteteve është një fakt, prania e një popullsie të konsiderueshme arvanitase, shpesh e grumbulluar në krahina të veçanta, siç është Thiva, fare pranë Athinës, pa përmendur zona të tjera, kalohet me një heshtje të çuditshme. Por nuk janë qeveritë greke edhe aq fajtore, kur edhe vetë arvanitasit e sotëm, shpesh, janë kontradiktore në qëndrimet për origjinën e tyre, madje, shumë syresh, edhe kur pranojnë se nuk janë greke, njëherazi të thonë se nuk janë as shqiptare.

Dhe kur u thua se gjuha që flasin është një shqipe origjinale, – padyshim varianti i vjetër i saj, e cila nuk ka lidhje me asnjë gjuhë tjetër të botes,- rrudhen më shumë. Historia, por sidomos politika, ka edhe këtu fajet e veta. Se mos u tha dikush se ata janë zvicerane dhe nuk e pranuan! Por ky problem aq i ndjeshëm dhe i mprehtë do të kërkonte një shqyrtim tjetër. Këtu nuk bëhet fjalë për pretendime territoriale, sepse dihet historikisht se kjo popullsi është e vendosur në trevat vertebrore greke në disa dyndje, dhe ishin arbërore të larguar para dhe gjatë pushtimit turk të vendit. Por, nëse gjetke arvanitasin kanë arritur të ruajnë një fare kohezioni të origjinës, me suljotët ndodhi ndryshe.

Ata, jo vetëm që u shpërngulen forcërisht nga Suli në kohën e ekspeditave ndëshkuese të Ali Pashë Tepelenës, por edhe më pas, ata që mbeten, ikën larg nga malet e larta ku i kishte vendosur halli i të parëve të tyre, për të gjetur gjetke një jetë më të mirë. Kështu mund të jetë bërë edhe zëvendësimi i tyre me banorë të tjerë. Sipas një varianti arvanitas, banorët e parë të Sulit kishin qenë ish-ushtare të Skënderbeut që lëvizën nga trojet arbërore drejt jugut për shkak të rënies përfundimtare të Krujës.

Legjenda thotë se ata ishin…(rreth 200 luftëtare me familjet e tyre dhe nën drejtimin e Bocarve dhe të Xhavellajve zgjodhën si vendbanim malet e mbrojtura të Sulit për të ruajtur shkëlqimin e vjetër të luftëtarit skënderbejan, por edhe të fesë së tyre( (Gudha- (Bioi paralliloi( T. H’, faqe 46-47). Ndoshta kjo ishte edhe arsyeja sepse këta të krishterë u bënë shpesh pre e inkursioneve turke, por barbarisht ata i copëtoi Pashai i Janinës.

Një vepër e C. Stanfield, sipas skicave të udhetarit H.Holland, e tregon Sulin thjesht si një keshtjellë në sfondin madhështor të maleve që e rrethojnë. Për origjinën e këtij fshati as studiuesi Aravantinos, as Korai-s nuk thone të saktën, shënon përsëri sekretari i Marko Bocarit, Gudha. Ai duke e pasur afër heroin dhe duke e ditur mirë historinë e Boçarëve thekson origjinën arvanitase të keësaj familje të madhe. Ky kronikan, Gudha, ishte me origjinë nga fshati Kuretu të Epirit dhe luftoi në krah të Boçarit si nënkomandant dhe njëherësh si sekretar i tij. Por dokumentet e shumta që ekzistonin për origjinen e kesaj familjeje u dogjen në vitin 1832, kur një fare Mamoiri dhe shoku i tij Papakosta, me urdher të administratorit të zones, bllokuan dhe pastaj dogjen gjithcka gjeten në shtepinë e Noti Bocarit në Amfisa.

Shume breza shqiptaresh kanë mësuar nga historia e tyre se gratë suliote u hodhën nga shkëmbi të kapura dorë për dore për të mos rënë në duart e turqve. Në të vërtetë ato rrezikoheshin jo nga një turk por nga shqiptari Ali Tepelena dhe ushtarët e tij po shqiptarë. Tabloja (Vallja e Zalongut), një vepër pikture madhështore e kohës, tregon gjithë dramacitetin e atij çasti tragjik. Sipas gojëdhënave arvanitase kjo valle ishte një rit i vjetër i fshatrave të Pargës dhe Sulit. Ky çast tragjik, kur shumica e grave me fëmijë në krahë, ishin të veja për shkak të vrasjeve masive, nuk ka qene i rastësishëm dhe i improvizuar. Por me t’u bërë historik nga ngjarja mbeti i njohur, nga ku u gërmua gjeanologjia e Valles së Zalogut..

Shtëpia e Bocareve në Sul, siç mund të shihet edhe sot në fotografi të vjetra, ishte një ndërtesë e madhe, dykatëshe, me katër dritare në faqen e saj ballore, njëra prej të cilave me hark qemeror. Poshtë shihet porta kryesore, edhe ajo qemerore, mes gjelbërimit të një rrapi madhështor. Në sfond kontrastojnë me madhësinë e shtëpisë dy kodrina shkëmbore konike, mes së cilës ka një qafë të thellë, të gjitha këto pjesë e rrafshnaltave të Sulit.. Gjyshi i heroit të ardhshëm, Jorgo Boçari, iku nga fshati me gjithe fisin e tij vetëm për një fjalë që atij i ngjau ofenduese. Dikush i foli (Jorgo Baçio) dhe kjo u bë arsyeja e thjeshtë përse ai i iku Sulit duke lënë pas frazën: “Dyzetë vjet Boçar dhe tani Baçio”!

Babai i Markos, Kiço Boçari, lindi në vitin 1753 dhe u vra në qytetin Artë, me 1813, nga Gogo Bakolla.. Në vitet e revolucionit grek Marko trimi dhe Bakolla u gjendën ballë për ballë njëri-tjetrit. Në kohën kur të gjithë prisnin një hakmarrje të Boçarit për vrasjen e babait të vet, ai i dha dorën Bakollës dhe e puthi në interes të revolucionit. Kiço Boçari u martua tri herë dhe lindi 18 fëmijë, nga të cilet 5 vdiqën të vegjël. Nga martesa e parë me Hrisula Papazoti Jotin, Kiço Boçari pati 5 femije, Janin, të mrekullueshmen Lena, Marien, Anastasin dhe Markon.

Marko Bocari ishte, përveç të tjerave edhe një burrë shumë i pashëm. Mirësia e shpirtit të tij ishte e vizatuar në tiparet e tij aq shprehëse. Kaq e vertete ishte kjo sa një frazë e shkruar në ato kohëra thoshte “Ishte qingj me shpirt luani. Shumë shqiptarë që e njihnin, gjithmonë thoshnin se po të ishte mysliman ata do të besonin se vetë profeti Ali ishte kthyer të jetonte në toke). Portreti i tij i viteve të rinise i vizatuar nga piktori Zaluzi flet për kete bukuri.

Marko Bocari nuk ishte vetëm një bukurosh trim, por edhe një ushtarak i shkëlqyer, i njohur për guximin e tij. U shqua në të gjitha luftimet që u zhvilluan në Greqinë Perëndimore dhe, sidomos, përreth Mesolongjit, jo vetëm si qytetar i atij vendi, por edhe duke trasheguar në gjakun e tij urrejtjen që paten ndaj otomaneve paraardhesit e tij skenderbejane. Kjo aftësi e bëri atë që në moshën 32-vjeçare të caktohej si kryekomandant i forcave luftuese të Greqise Kontinentale Perendimore. Ky emërim që nuk kishte se si të mos zgjonte zili dhe grindje mes kapedaneve të shquar të atyre trevave. Markoja për t’i qetësuar grisi para syve të oficerëve të tij diplomën dhe urdhrin e emërimit të tij si kryekomandant dhe tha zëlartë: “Kush është trim e rifiton këtë diplomë nesër në betejë!”

Lufta e filluar dhe rreziqet e shumta e detyruan Boçarin ta largojë familjen nga vendi dhe ta nisë atë për në Ankona të Italisë përmes detit. Qe çasti kur Mesologji ishte krejtësisht i rrethuar nga forcat turke dhe ai duhej t’i kishte duart e lira nga familja dhe fëmijët. Kur ia tha së shoqes këtë vendim, ajo shpërtheu:

”Qysh kur suliotet duhet të braktisin burrat e tyre në çastin e betejes?” Dhe Markoja iu pergjegj: “Në çastet e paqes dua të jem gjithmonë me ty. Por tani kur ka nisur pragbeteja dhe lufta afron dua të jem vetëm!”

Brenda asaj varke mërgimtarësh gjendej edhe njëri nga fëmijët e tij më të dashur, Roza. Në të vërtete ajo ishte pagëzuar Katerinë, por do të njihej më pas, deri në vdekje, me emrin Roza Boçari. Këtë emër do ta kishte për shkak të bukurisë së saj të pashoqe nga italianët e Ankonës, ku kishte emigruar. Shumë vite pas vdekjes së babait të saj, me 1844, ajo do të ishte shoqëruesja e mbretëreshës Amalia të Bavarisë dhe zonjë nderi e saj. Atë kohë u bë objekt adhurimi për bukurinë e saj të jashtëzakonshme. Me urdhër të mbretit Ludovik, piktori i njohur i asaj kohe Stiler, do të vizatonte portretin e saj me veshje karakteristike, vepër e cila gjendet sot në Muzeun e Artit në Mynih.

Marko Boçari u nda nga e shoqja dhe fëmijët duke lotuar. Çastin e shkëputjes nga bregu të familjes dhe babain e trishtuar pak më tej do ta përshkruante më pas Eugene Jemeniz, i cili do të pyeste veten nëse kjo skenë nuk të sillte ndërmend ndarjen e famshme të Hektorit me Andromaqin e lashtësisë.

Ishin çaste vendimtare në betejën për Mesolongjin. Marko Boçari e dinte se fitorja varej nga trimëria e gjithsecilit dhe këtë jo vetëm e kërkoi nga luftëtarët e tij, por edhe nga vetja. Duke u ndarë nga ata, ai do t’u thoshte.

”Po të me kerkoni do të me gjeni në çadrën e pashait. Sepse ata, të trembur, kërkonin një shpjegim për vendimin e tij të marrë për të sulmuar vetëm”.

Ishte ndaj të ngrysur dhe parulla do të ishte në shqip: (Cili je ti?) Përgjigjja: (Jam hekuri). Dhe, befas, duke ngritur krahët dhe kokën për të shkatërruar çadrën e Pashait nga Shkodra, Mustafa Bushati, – shqiptar, i myslimanizuar edhe ky,- një plumb e mori pak mbi syrin e tij të djathtë. E panë këtë çast trimat e tij dhe menjëherë sulmuan për të mos e lënë të binte në dorë të armikut. Dhe do të thurrnin më pas këto vargje:”Një arap me karabinë/ Iu sul e i shënoi sinë (syne)/ Goditi bajrakun mire/Marko Boçarin sahine”.

Për këtë çast të madh ka edhe vargje të tjera:

”Bie borë, e bie shi, u nxi jeta, shume u nxi!”

Ose vargjet e Thimi Mitkos, të botuara në “Bleta Shqiptare” të Aleksandrisë së Egjiptit, në vitin 1878, në të cilin shënohet çasti kur heroi vendos të dalë nga Mesologji dhe të shkojë në Kefalovriso ku do ta gjente plumbi.

”Mesolongji u helmua,/ derdhi lotete si krua,/ Mesolongji do të thone,/Ku e ke Marko Sulione,/Që lufton si e kish zakon,/Grin me jatagan në dorë…”

Një tablo e shkëlqyer e litografisë gjermane që sot gjendet në muzeun “Benaqi”, dhe pikërisht tabloja me numer 583, e tregon heroin të plagosur dhe markoboçaret,- se kështu e quanin veten luftëtarët e tij,- ta zbrisnin nga kali. Ishte një cast tepër tragjik për të gjithë. Gjendja dukej e pashpresë, sepse Markos plumbi i kishte depertuar në kokë. Aq e madhe ishte dhimbja sa u shkruajtën këto vargje.

”Hapi portat e tua të larta, Mesolongj, qytet i nderuar, qe mban heronj në token tende, ata që të mesojne të presish vdekjen duke buzeqeshur. Hap muret e larta dhe kujtimet e tua të thella! Shtro me dafina qiejt dhe rruget. Trupin e brishte të Marko Bocarit po sjellim. Kush do të guxoje të lotoje në kete cast?” (Fragment nga poema e poetit gjerman Ëilhelm Müller)

Në Muzeun Historik Kombëtar të Greqisë gjendet gjithashtu edhe një pikturë e mrekullueshme e Cappello, e përgatitur sipas skicave të një farë Markovich, ku tregohet se si poeti i madh anglez Xhorxh Bajron, mik i madh i grekeve dhe i shqiptarëve, betohet mbi varrin e Marko Boçarit. Historia, aso kohe, kështu dokumentohej, përmes veprave të artit. Sipas biografëve heroi ynë i kishte nisur një letër Bajronit, pak para se të sulmonte çadrën e Pashait. Nuk e dimë se çfarë i shkruante pikërisht. Ndoshta në arkivat britanike, ku mund të ndodhet korrespondenca e Bajronit, ka gjasa të gjendet diçka e tillë. Ishte çasti kur edhe vetë poeti ëndërrimtar gjendej rrugës për në Mesolongj. Por për fat të keq mberriti tepër vonë. Marko Boçari kishte vdekur. Siç tregon litografia e Cappellos, Bajroni ishte i veshur me fustanellën e famshme arvanitase dhe, duke marre nga pllaka e varrit një shpatë të cilin e kishte vendosur atje arkipeshkopi, e ngriti atë lart dhe i tha në greqisht turmës së ngashëryer:

”Grekë! Sa të rrojë do të luftojë bashkë me ju armikun tuaj. Po qe se do ta dojë çasti do të vdes me ju!”
Dhe vërtet, atje vdiq, i mundur nga ethet e kënetave të Mesolongjit.

Por, fati i Marko Bocarit dhe markobocareve luftëtare, ishte tragjik edhe pas fitores se revolucionit të vitit 1821. Heroin e varrosen tri here dhe tri here e zhvarrosen. Me pas krijoi për të një varr monumental skulptori francez David d’Anzher, të cilin ia dhuroi Greqisë. Por edhe kjo veper pati të njejtin fat. E shkatërruan, e çuan përsëri në Francë, e rikthyen, por nuk e vendosem kurrë mbi varrin e vertete të Marko Bocarit. Për shume kohe ai u la në një bodrum të erret. Se fundi, disa pernderues të Heroit, e nxorren në shesh dhe e ngriten para nderteses se parlamantit të vjetër të Greqise.

Por Marko Bocari nuk ishte vetem një luftëtar trim. Në kushtet e ishullimit të arvanitasve në mes të një kombi tjeter, ai e ndjente të nevojshme të luftonte për shkollimin dhe kulturimin e kesaj grigje njerezore të shkulur nga furtunat në vende të tjera. Kontradiktor, siç e edhe koha në të cilin jetoi, ai kerkonte që suliotet vertete të arsimoheshin, por, gjithsesi ai nuk donte ky shkollim t’i bente ata të humbisnin identitetin, zakonet dhe gjuhën e tyre.

”Dua të jesh i shkolluar”, – i shkruante Marko Bocari të birit, Dhimitrit, në Ankona të Italisë, – “por përveç kesaj dua të kesh njohuri të plota për origjinën dhe vlerat suliote, të mbetesh gjithmonë suliot, siç ka mbetur babai yt”.

Në atë periudhe të ndryshimeve të medha ballkanike dhe evropiane shihen qarte synimet drejt lirisë së arvanitasve, të cilet besonin vetëm në shpatat e tyre. Megjithë këtë gjallërim, shënon Boçari, kërkohej edhe shkollim i tyre, ndryshe rrezikohej identiteti i tyre. Dhe vërtet, pas revolucionit të vitit 1821, me gjithë kontributin kolosal të bijve arvanitas për të, një ankth e frike pushtoi skajet ku ishte shperndare kjo diasporë e vjetër. Dhe e kuptuan rrezikun. Nisën të shisnin çdo pasuri e vlerë të familjeve për të shkolluar njerin nga fëmijët. Dhe ishte e qarte. Kur flitej për arsimimin, flitej një arsimim në gjuhen greke. Por, kërkonte Marko Bocari, ata duhet të mesonin vetem greqishten e vjetër dhe “romeoishten”, domethënë, të ashtuquajturën gjuhën popullore, e cila flitej në qytete. Duke qenë arvanitasit një popull i vecantë brenda Greqisë, Boçari ia kishte frikën një asimilimi total, sidomos në kushtet e analfabetizmit, izolimit në fshatra të thella, por edhe nacionalizmit që rritej nga perrenjtë e ideve shkatërruese.

Në vitin 1809, kur ishte i internuar në ishullin e Korfuzit, Marko Boçari krijoi të famshmin “Fjalor dygjuhesor të romeoikes dhe arvanitases se thjeshte” thuhet se ky punim ishte kryer nën ndikimin e francezit Pukevill, aso kohe ambasador prane Ali Pashë Tepelenës, i cili dëgjonte vazhdimisht të flitej përreth tij shqip, një gjuhë kaq e ndryshme nga greqishtja. Ishte një përpjekje, – thotë Boçari, – që suliotet të mesonin greqisht, (sepse shqip flisnin), dhe të merreshin vesh me vendasit. Më vonë ai shënon se do të ishte i lumtur që dygjuhesi i tij t’u shërbente fëmijeve të Sulit si mesues i gramatikës, pa të cilën gjuha nuk mund të mësohet. Mundet gjithashtu të ishte një reflektim ndaj letrës që Korai-s, poeti i madh, i kishte derguar pleqësisë së sulioteve ku u sugjeronte të gjenin ndonjë mesues që t’u mësonin fëmijëve të tyre gjuhën greke.

Jemi ende në fillimet e shekullit të XIX kur gjuha shqipe, për pasoje edhe ajo arvanitase, nuk mund të shkruhej. Ky analfabetizëm do të shkaktonte, sipas Boçarit dhe Korai-s, një perhumbje dhe vdekje të ngadalshme të identitetit kombëtar të arvanitasve. Greqishtja, në këto kushte, ishte e keqja e domosdoshme.

Shënim: Në përpjekje për të hedhur drite me shumë në figurat e ndritura të historisë sonë, e nisa këtë dossier me Marko Bocarin, për të cilin pata rastin të shfrytezoj përveç muzeumeve e bibliotekave, edhe materialet e Lidhjes se Arvanitasve të Greqise.

/Shqiptarja/