LAJMI I FUNDIT:

Maqedonia merr 480 milionë euro kredi nga FMN

Maqedonia merr 480 milionë euro kredi nga FMN

Maqedonia të mërkurën i ka përfunduar me sukses negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për linjën e re kreditore për kujdesshmëri, ku është arritur marrëveshje për shfrytëzimin e 480 milionë eurove për dy vitet e ardhshme.

Vendimin duhet ta konfirmojë Bordi i Drejtorëve të FMN-së në janar të vitit të ardhshëm.

Këtë e kumtuan të mërkurën në një konferencë të përbashkët për shtyp, pas përfundimit të bisedimeve me FMN-së, zëvendëskryeministri dhe ministër i Financave, Zoran Stavreski, shefi i misionit të FMN-së për Maqedoni, Wes McGry dhe guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Petar Goshev.

Maqedonia është vendi i parë anëtar i FMN-së që e shfrytëzon këtë instrument të ri, i cili është dedikuar për vende me politika të shëndosha, ndërkaq të cilat nuk kanë nevojë nga financimi, por përballen me rreziqe të cilat mund të çonin deri te nevoja e tillë.


Linja kreditore u jep siguri vendeve se nëse vjen deri tek ngjarjet negative, ato do të kenë mjete të mjaftueshme të cilat do të mund t’i tërheqin, në mënyrë që ta ruajnë stabilitetin.

Kontraktimi i linjës kreditore ndihmon edhe në përforcimin e besimit dhe mundëson qasje më të lehtë deri tek mjetet e tregjeve të kapitalit. /Telegrafi/