LAJMI I FUNDIT:

Malli për mëmëdhetarët

Për të ma uruar Vitin e Ri, disa miq më dërguan një nyje për YouTube (http://www.youtube.com/watch?v=tlJkmexMt-M) të këngës “Malli për mëmëdhenë”. Sipas traditës së përvitshme, televizioni Top Channel kishte përshtatur një këngë të moçme, kësaj radhe të Vaçe Zelës, si urim për festën dhe publicitet për vetë kompaninë. Videos nuk mund t’i mohoje vlerat e shumëfishta artistike që është e pritshme t’i realizojë Top Channeli, por nuk mund ta shfajësoje nga fyerja që i bën shqiptarëve, duke shpërfillur historinë dhe mëmëdheun dhe duke lartësuar mbi të gjitha punën e kompanisë. Në urimin për ndërrimin e moteve, Top Channeli përkufizon mëmëdheun si Shqipërinë londineze dhe shqiptarët në Kosovë e Maqedoni i barazon me emigrantët që jetojnë jashtë vendit të tyre.

Spoti muzikor i transmetuar kohëve të fundit nga Top Channeli nis bukur, me një tufë fëmijësh simpatikë që kanë zënë vendin e të rriturve dhe po drejtojnë një prodhim televiziv të kompanisë. Por shumë shpejt, syri i shikuesit kritik hutohet nga shëmtitë që dalin në pah – gabime që do t’i faleshin ekipit të çunave e vajzave të vegjël, por që nuk mund t’i ndjehen ekipit të të rriturve që realizoi këtë prodhim. Nuk do mend se kënga “Malli për mëmëdhenë”, për hir të tekstit, do të përcillej më së miri në video me arbëreshët e Italisë që kujtojnë vendin e të parëve të tyre. Andaj nuk mund të mos e çmosh krijimtarinë që tregojnë prodhuesit e videos kur shfaqin një fëmijë në brigjet italiane tek i dërgon dhuratë Shqipërisë përmes detit. Mirëpo të kaplon sakaq hutia kur sheh se të njëjtën gjë e bën edhe një shqiptar nga Maqedonia, gjysma e së cilës është pjesë e mëmëdheut të shqiptarëve.


Për ta arsyetuar atë që pashë, fillova të mendoja se po i dërgohej dhuratë mëmëdheut nga ndonjë qytet i Maqedonisë që nuk është pjesë e trojeve shqiptare. Ndoshta është e bija e një shqiptari që jeton në Gjevgjeli pranë Vardarit; diku pranë liqenit të Dojranit; apo në Maqedoninë e Greqisë, nga ku në fakt mund të shihen dallgët e detit. Me këto pandehje e përligja sado pak punën e Maqedonisë, por nuk gjeta dot mburojë ndaj kritikave për pjesën tjetër të videos, ku përkufizimi i mëmëdheut po bëhej gjithnjë e më i çuditshëm dhe se po i fyente shqiptarët që ndodhen jashtë Republikës së Shqipërisë.

Krahas Italisë dhe Maqedonisë, në Shqipëri dërgohen dhurata edhe nga një numër shtetesh tjera ku ndodhen shqiptarë imigrantë. Ndërkaq, urime për Vitin e Ri mbërrijnë nga disa qytete evropiane, që në radhë të parë të përbashkët kanë ndodhjen e tyre jashtë Republikës së Shqipërisë. Kur pashë videon për herë të dytë, kuptova se përshëndetjet po vinin nga korrespondentët e Top Channelit në Prishtinë, Shkup, Romë, Selanik, Bruksel, Londër, Beograd e Athinë. Por nuk munda të kuptoj pse Prishtina e Shkupi, dy qytete shqiptare, nuk radhiten me Tiranën, ku zhvillohet ahengu kryesor për t’i uruar bashkatdhetarët jashtë vendit. Duke i lënë anash Prishtinën e Shkupin dhe duke i futur ato në një grup me Londrën e Beogradin, Top Channeli ka lënë të kuptohet, me ose pa vetëdije, se shqiptarët e atjeshëm nuk janë vendës por imigrantë që i zë malli për mëmëdhenë.

Kushdo që e sheh qortimin tim si cikërrimtar do të nxitojë të më thotë se kam bërë mizën buall. Edhe kanë të drejtë sepse unë i jam rrekur një çështjeje që ekipi realizator i Top Channelit mund të mos e ketë vënë re fare. Mirëpo, sa rëndësia e çështjes aq edhe mospërfillja e tij nga Top Channeli më detyron të ngre zërin. Sepse Top Channeli duhet ta kuptojë se është tjetër gjë të njohë si kufij shtetesh ata që i ndajnë Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë, por është krejtësisht tjetër t’i fusë në një thes shqiptarët autoktonë të Prishtinës e Shkupit me mërgimtarët tanë në Londër. Kjo për dy arsye: gurbetqarët tanë në Evropë, të cilët blejnë prodhimet e Top Channelit, vijnë nga të gjitha trojet shqiptare; dhe se moscilësimi i Kosovës dhe Maqedonisë si pjesë të atdheut të shqiptarëve shkon në të mirë të argumentit antishqiptar se ne qenkëshim dyndur jashtë truallit të Republikës së Shqipërisë dhe paskëshim zaptuar tokat e sllavëve.

Tek shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni, gjithmonë ka ekzistuar një dëshirë e zjarrtë për të parë Republikën e Shqipërisë, që për një kohë të gjatë ishte e vetmja pjesë e trojeve tona që jetonte në liri. Por asnjëherë nuk di të që ketë pasur mall për mëmëdhenë, sepse prishtinasit dhe shkupjanët kanë banuar gjithmonë në mëmëdheun e tyre. Ata mund të kenë pasur përflakje për bregdetin Jon ose për atë pjesë të mëmëdheut që nuk e shihnin, por jo mall për mëmëdheun si tërësi dhe ashtu siç këndohet në këngën e të madhes Vaçe Zela. Janë anomalitë si historia e hidhur e shqiptarëve që u bënë motiv për këtë ode që, po t’i kushtohej mëmëdheut njëmend të lirë, mbase mund të ishte kënduar për herë të parë në Shkupin kryeqytet të Shqipërisë (kujtojmë se deri vonë Shkupi ishte qyteti më i madh në trojet shqiptare).

Videokartolina muzikore, që me përjashtim të gafës për mëmëdheun shquhet për cilësi e hijeshi, përfundon me një lloj shfajësimi. Urimi që thotë “Gëzuar Shqipëri, kudo që të jesh” mund të nënkuptojë se ne shqiptarët nuk njohim kufijtë e vendosur mes nesh. Por kjo porosi drejtuar mërgimtarëve nuk u mbyll gojën fjalëkëqijve, të cilët nuk pushojnë së pretenduari se shqiptarët duke mërguar jashtë trevave të veta i zënë tokën e huaj dhe e quajnë atë vend të tyre. Shqipëria nuk ndodhet kudo, por në viset që shqiptarët i trashëguan nga stërgjyshërit e tyre.

Shqiptarët në Kosovë dhe në Maqedoni janë vendës, duke dalluar nga arbëreshët, të cilët në këngët e tyre e kujtojnë shpërnguljen e detyruar nga toka e të parëve. Por unë druaj se Top Channeli, i dhënë pas reklamimit të vetvetes, e ka kuptuar domethënien e vërtetë të këngës – ajo u kushtohet atyre që u detyruan t’i lënë trojet shqiptare e jo atyre që qëndruan me trimëri në atdheun e vet. Kompania mediatike i ka dhënë shumë Shqipërisë dhe i ka bërë shumë shqiptarë të ndihen krenarë për cilësinë e prodhimeve televizive që kanë ndjekur viteve të fundit, por në asnjë rast nuk mund të ketë të drejtën të përkufizojë për kombin tonë fjalën e shtrenjtë MËMËDHE.