LAJMI I FUNDIT:

Lufta e shqiptarëve dhe serbëve për pushtetin perandorak në Stamboll

Lufta e shqiptarëve dhe serbëve për pushtetin perandorak në Stamboll
Ilustrim

Nga: Daut Dauti

Sokollu Mehmed Pasha (1505-1579) ka qenë ndër vezirët më të aftë të Perandorisë Otomane. Ai njihet edhe si Mehmet Pashë Sokoloviq për shkak se ka qenë serb. Gjatë qeverisjes së tij si kryeministër, Perandoria u zgjerua në mënyrë të konsiderueshme dhe u krijua një siguri e brendshme që rezultoi me prosperitet të qytetarëve të saj. Ai e kishte ndërtuar një rrjetë të gjerë të spiunëve në shtetet evropiane dhe merrte vesh se çka ndodhte gjithandej. Ne ndihmën e tyre shpesh edhe i trazonte shtetet e caktuara. Prandaj, vrasja e Sokollus, apo Sokoloviqit, shkaktoi habi. Pashën e vrau një njeri i cili kishte kërkuar audiencë me të. Ky njeri e nxori thikën e fshehur dhe e theri pashën që vdiq pas disa orëve. Kur rojet e sollën vrasësin para sulltanit, ai nuk mund të fliste për shkak se ishte rrahur aq shumë sa që vdiq sapo e nxorën nga zyra.

Kjo vrasje shkaktoi interpretime konspirative. Disa mendonin se vrasësi ishte një dervish radikal dhe se e vrau Sokoloviqin për shkak se konsideronte që ai i favorizonte të krishterët. Në masë të madhe flitej se vrasja ishte porositur nga vetë gruaja e Sokoloviqit e cila e kishte zënë në vepër duke bërë dashuri me një djalë të ri. Disa mendonin se rojet që e rrahën për vdekje vrasësin, ishin shqiptarë. Me këtë veprim u pengua vrasësi që të mos tregonte se porositësi ishte shqiptar. Asnjë nga këto teori nuk mund të merren të sakta për shkak se nuk mund të vërtetohen, sikur që nuk u vërtetua as kush ishte vrasësi saktësisht.


Sokoloviqi erdhi në pushtet pas dy serbëve tjerë, Semiz Ali Pashës dhe Damat Rrustem Pashës. Ky i fundit ndoshta ka qenë kroat, por gjuha e tyre amtare ishte e ngjashme. Megjithatë, gjatë qeverisjes së Sokoloviqit, në pallatin perandorak ka ekzistuar një luftë e ashpër për pushtet në mes shqiptarëve dhe serbëve. Lufta nuk ka pasur karakter të kuptimit nacionalist të sotshëm, por kundërthëniet mes këtyre dy grupeve kanë ekzistuar së paku në nivelin etnik. Sokoloviqi afër vetit i mbante dy pashallarë të fuqishëm. Njëri ishte Ahmed Pasha kurse tjetri Lala Mustafa Pasha e që të dy këta ishin serbë. Ky grup ka qenë më i gjerë dhe ka përbërë një klikë të fuqishme të pallatit.

Klikës tjetër i printe Sinan Pasha (1506-1596) rreth të cilit gravitonin shqiptarët e pushtetshëm, së bashku me katër vëllezërit e tij. Këtij grupi, njerëzit e asaj kohe i referoheshin me “ata që flasin shqip”. Sinan Pasha kishte lindur në fshatin Topojan të rrethit të Prizrenit dhe ngritja e tij në pushtetin e perandorisë ka qenë e shpejtë dhe e befasishme. Kishte filluar si shërbëtor personal i ushqimit të sulltanit dhe përfundoi si kryeministër. Të gjithë besonin se ky grup ishte themeluar nga Sinan Pasha. Në realitet, siç vërteton Noel Malcolm, pas këtij grupi ka qëndruar Safija, sulltane validja shqiptare e cila e urrente Sokoloviqin. Prandaj, Safija ia vuri syrin Sinan Pashës qëkur ai, pothuaj si fëmijë, hyri në pallat dhe i bënte presion sulltanit që ta promovonte me pozita të larta. Gradualisht, Safija e ndërtoi rrugën që Sinan Pasha të bëhej Vezir i Madh (kryeministër).

Gjërat ndryshuan kur në Stamboll, nga Ulqini, erdhi Bartolomeo Bruti. Para se të nisej, nëna i kishte thënë Bartolomeut: ”Shko drejt te kushëriri im, Sinan Pasha”. Me këtë, klika shqiptare mori edhe një përforcim. Kur Sinan Pasha po e përgatiste Bartolomeon që ta dërgonte në Moldovë, për pozitën e dytë në këtë vend, Sokoloviqi u alarmua. Në mënyrë që ta parandalonte këtë gjë dhe për ta dobësuar këtë grup, e arrestoi Bartolomeon. Sokoloviqi ishte aq i fuqishëm sa që e mbante ulqinakun në burgun e tij privat që e kishte ndërtuar në sarajet e veta dhe i kërcënohej me konvertim në mysliman ose me vdekje. Ky ishte rast konfrontimi i këtyre dy grupeve, për shkak se Sinan Pashës i duhej të intervenonte.

Kur një ditë Sinan Pasha dhe Sokoloviqi u takuan në paradhomën e zyrës së audiencës së sulltanit, u fjalosën dhe i bërtitën aq shumë njëri-tjetrit saqë dukej se do të vriteshin. Rojet e sulltanit nuk guxuan të intervenonin se këta dy ishin kolosë të vërtetë. Puna shkoi aq larg sa që intervenoi sulltani që të qetësoheshin. Më në fund, Bartolomeo Bruti u lirua, por me kusht që ta lëshonte vendin e të shkonte jashtë territorit të Perandorisë Osmane. Megjithatë, Sokoloviqi nuk hoqi dorë dhe dërgoi agjentë që ta vrisnin Bartolomeon sa ishte në Dubrovnik, por nuk pati sukses dhe më vonë Sinan Pasha ia doli që ta dërgonte Bartolomeon në Moldavi nga ku e kishte për detyrë të punonte për pushtimin e Polonisë.

Kur vdiq Sokoloviqi, të gjithë menduan se Sinan Pasha do ta zëvendësonte. Por, kjo nuk ndodhi dhe në pushtet erdhi një shqiptar tjetër, Shemsi Pasha, i cili qeverisi më pak se gjashtë muaj. Pastaj, sërish dy serbë tjerë, Ahmed Pasha dhe Lala Mustafa Pasha, të cilit nuk i zgjati pushteti. Më në fund, në vitin 1580 Sinan Pasha erdhi në pushtet dhe shërbeu tri herë si kryeministër dhe tregoi aftësi të mëdha qeverisëse. Me qeverisjen e tij u hapë rruga që shqiptarët të vinin më lehtë në këtë pozitë.

Sidoqoftë, Sokoloviqi para se të vdiste bëri një veprim për Serbinë që atëherë nuk kishte shumë domethënie. Ai, së bashku me pashën tjetër serb, Rrustemin, kishin tentuar disa herë që ta ringjallnin Kishën Ortodokse Serbe, të cilën e kishte shpërbërë sulltani së bashku me shtetin serb. Më në fund, Sokoloviqi ia doli që ta bindte sulltan Sylejmanin e Madhërishëm që kësaj kishe t’i kthehej autonomia dhe në këtë mënyrë Serbia të kontrollohej më lehtë. Patriarkati i Kishës Ortodokse në Stamboll e kundërshtoi këtë akt, por më shumë se ankesë nuk mund të bëhej në vendimet e sulltanit. Sokoloviqi i premtoi sulltanit se kisha serbe nuk do ta kundërshtonte sundimin perandorak dhe për patriark e emëroi vëllain e vet, Makarien, kurse qendrën e vendosi në Pejë.

Kisha Ortodokse Serbe vërtetë nuk e kundërshtoi sundimin otoman deri kur Serbia mori statusin e autonomisë. Nga atëherë, sidomos pas pavarësisë së shtetit serb (1878), kjo kishë mori rolin fashist për ta luajtur edhe sot. /Telegrafi/