LAJMI I FUNDIT:

Loja me ndjenjat e qytetarëve në emër të fesë, në Kosovën e pasluftës

Loja me ndjenjat e qytetarëve në emër të fesë, në Kosovën e pasluftës

“Kur Dini-Feja bëhet Dinar-Interes material – Ajo më nuk është Fe"!

Në çdo vend dhe shoqëri të botës ka pasur dhe ka njerëz me bindje fetare të ndryshme nga njëri-tjetri. Autori Udo Tworuschka, në librin e tij “Leksikoni i religjioneve në botë”, numëron dhjetëra e qindra bindje e besime fetare të cilat i pasojnë popujt e ndryshëm të sipërfaqes së kësaj toke. Ndryshueshmëria e bindjeve dhe perceptimeve të fetarëve ndaj një fuqie absolute nuk buron nga Zoti, por nga vet shkalla dhe niveli akceptues i tyre.


Përkushtimi dhe dorëzimi shpirtëror ndaj Zotit si krijues të qenies njeri dhe të universit në tërësi, është e gjithë urtësia dhe filozofia e revelatave hyjnore dhe udhërrëfyesve të njohur në literaturën fetare si pejgamber dhe profet.

Mirëpo, duke mos qenë në gjendje të vlerësimit dhe të studimit si dhe të pranimit të drejtë të mësimeve të Zotit përmes të dërguarve të Tij, shumë shoqëri njerëzore jo rrallëherë kanë devijuar nga mesazhi qenësor e burimor i besimit në Zot, ndërsa shumë liderë fetarë duke u thirrur gabimisht dhe iracionalisht në emër të Tij, e kanë humbur veten, por edhe pasuesit dhe ndjekësit e tyre i kanë lajthitur nga injoranca dhe fanatizmi i sëmur dhe i tepruar verbërisht.

Në rastet kur feja nga thirrësit e saj renditen në rend të parë, pra para atij qenësor që është përkushtimi dhe devotshmëria ndaj Zotit, duke u marr si mjet interesi i çastit apo si urë transferuese dhe avancuese politike e materiale, për të arritur privilegje të kësaj bote dhe kësaj jete të përkohshme, atëherë feja si fe humb qëllimin dhe esencën e saj, ndërsa edhe dëmi është më i madh sesa dobia për të cilën pretendohet nga bartësit e tillë.

Thënë edhe ndryshe, kur mësimet e fesë devijojnë nga parimet bazë duke marr kahe të gabuara, me qëllime, synime dhe interesa të ngushta individuale dhe grupore, me bindje dhe besim të tepruar në vete, duke i dhënë të drejtën e quajtjes së vetes si pasuesit më të denjë i Zotit në sipërfaqen e Tokës, ndërsa të gjithë të tjerët të cilët nuk mendojnë e besojnë si ta të devijuar dhe të humbur, është sinjali më i qartë se mesazhi hyjnor dhe parësor i besimit dhe përkushtimit në një Zot – Krijues o njerëzimit dhe Gjithësisë – është devijuar dhe zhdrejtësuar.

Me përfundimit e luftës në vendin tonë, u hap edhe dera për shumë misionarë të feve të ndryshme, të cilët si duket mezi kishin pritur që t’ju epet mundësia e prezencës dhe aktivitetit të tyre në një shoqëri të dërmuar dhe të sakatosur skajshmërisht nga lufta e përgjakshme. Shumë individë dhe organizata të ndryshme që vinin e instaloheshin në emër të solidaritetit nga jashtë, nuk hezituan të fshihnin edhe tendencën për të propaganduar besimin dhe bindjet fetare të cilat i përfaqësonin. Ky realitet nuk ishte i përkufizuar vetëm tek njëri konfesion fetar apo tjetri, por tek të gjitha pa dallim. Bashkë me kafshatën e bukës e cila shumë familjeve kosovare u mungonte pas luftës, e në tokën ende të pa tharë nga gjaku i derdhur i bijve dhe bijave tona, nën rënkime e vuajtjet e freskëta të mjerimit, këta misionar “shpëtues” dhe këto organizata, qytetarëve tanë, përveç dorës së ndihmës materiale, u ofronin edhe ndonjë fletushkë, libër apo CD, me përmbajtje të re fetare, krejt ndryshe nga ajo që populli ynë ishte kalitur shekuj me radhë. Një veprim të tillë ata e bënin me bindjen dhe perceptimin e tyre të gabuar, thuajse në këtë vend dhe në këto troje asnjëherë nuk ka pasur as fe, as fetar dhe as prijës të fesë!

Në kohën e sotme kur çdo gjë është globalizuar, sigurisht se mendimet dhe opinionet e kundërta , por as edhe risitë ne emër te fesë nuk mund të kufizohen, mirëpo pyetja e cila lind nga e gjithë kjo është: vallë kjo qasje dhe ky investim i jashtëm me orientime dhe kahe të reja fetare në përgjithësi në Kosovën e pasluftës, më shumë i bëri hair apo sherr shoqërisë tonë?! Përgjigjen le t’a mendon, analizon dhe le ta gjen secili në vete, por unë nuk po shoh sinjale të hairit në këtë tundim të ri në shoqërinë tonë në emër të risive fetare, të cilat shumica e tyre janë kulturë dhe fanatizma të të tjerëve dhe jo mësime të mirëfillta fetare të mbështetura në parimet bazë të fesë!

Tendencat me orientime përçarëse në vendin tonë u përqendruan dhe po përqendrohet më shumë tek komuniteti mysliman si grupimi më i madhe fetar në vend, sesa tek të tjerët!

Mendimi i gabuar nga ana e pretendentëve dhe opinionistëve të jashtëm se gjoja myslimanët e këtij vendi dhe të kësaj toke nuk dinë dhe nuk e njohin fenë siç ajo duhet të njihet, si dhe mos aftësia e vet thirrësve të kësaj qasjeje të re për të bërë dallimin mes fesë në gjenezën e saj dhe doktrinave, ideologjive, kulturave dhe mësimeve fetare si prodhime të ideologëve të ndryshëm në pjesë të ndryshme të botës, të ngjyrosura me kulturën dhe traditat e vendeve nga ata vinin dhe vinë, se sa me vet fenë dhe ajkën e saj, për shoqërinë tonë në përgjithësi ishte dhe është një qasje dhe dozë e rëndë, e cila nuk mund të pranohet dhe përpihet me lehtësi, edhe pse gjurmët e një qasjeje të tillë kanë lëshuar rrënjë në një pjesë të shoqërisë tonë.

Ky trend i analizuar dhe i pa shoshitur nga ana e thirrësve të jashtëm, të ndihmuar nga bijtë dhe bijat tona, në mesin e radhëve të komunitetit më të madh fetar mysliman, më shumë ka shkaktuar huti dhe përçarje sesa unitet dhe përafrim të radhëve të tij. Kjo ndihet, shihet dhe preket tek një pjesë jo e vogël e pjesëtarëve myslimanë në hapësirën tonë. Thirrësit e trendëve të reja në emër të fesë ndoshta mund të kenë pasur qëllim të mirë, mirëpo se nuk e kanë pasur fare në konsideratë mentalitetin, ambientin dhe traditat e vendit tonë. Kjo është më se e evidente.

Nëse nuk zhvillohet një debat i brendshëm dhe i sinqertë me qëllim të bashkërendimit të radhëve dhe të koordinimit të ndjekjes së një rruge interpretuese të përbashkët zyrtare të prijësve fetarë të myslimanëve në vendin tonë, rreziku i një përçarjeje dhe polarizimi mes komunitetit më të madh fetar në vend do të jetë i pashmangshëm.

Liria e mendimit dhe të shprehurit në sistemin demokratik, shumë prijësve fetarë i ka dhënë mundësi dhe hapësirë që në opinion të plasojnë mendime dhe qëndrime fetare, herë të drejta e herë-herë shumë të zhdrejta dhe të rrezikshme për vet fenë që e përfaqësojnë, por edhe për unitetin e përgjithshëm të besimtarëve. Ata u ndien dhe po ndihen si të paprekshëm në qëndrimet dhe deklarimet e tyre të pamatura, shpeshherë edhe afetare, ngase asnjëherë nuk morën kundërpërgjigje dhe reagime zyrtare profesionale të meritueshme nga ndonjë institucioni më i lartë fetar në vend.

Si duket, jodashamirët e stabilitetit tonë shoqëror dhe kombëtar, paraprakisht e kanë studiuar mirë mundësinë e dobësimit dhe ligështimit tonë edhe përmes elementeve devijante fetare, prandaj investimet e tyre në këtë drejtim shihen qartë se nuk kanë munguar në gjithë këto vitet e pasluftës në mesin tonë. Ata, përveç pykave ndarëse që mbollën dhe që po vazhdojnë të mbjellin në mesin e komunitetit mysliman shumicë të Kosovës, sollën edhe disa ide të reja sektare fetare, të cilat për ne në të kaluarën kurrë nuk kanë qenë të njohura, dhe asnjëherë nuk janë konsideruar trungu dhe ajka e fesë të cilën e kemi kultivuar shekuj me radhë në këto troje.

Përqendrimi në çështje dytësore para atyre qenësore dhe prioritare në emër të fesë, u përdor si forma më lehtë e tërheqjes së vëmendjes dhe rënies në sy tek të tjerët, se gjoja këta janë pikërisht ata që e njohin fenë e vërtetë, më shumë se të tjerët!

Lëvizjet e reja fetare në vendin tonë të pasluftës, por edhe më gjerë në rajon, vazhdojnë të jenë të përqendruara kryesisht në çështje sekondare dhe formalitete sipërfaqësore, larg esencës, tekstit dhe boshtit të shenjtë të fesë islame. Në vend që përqendrimi i tyre të jetë për Rizaa të Zotit, që do të nënkuptonte ruajtjen e unitetit fetar në shoqëri, ofrimin e njerëzve mes vete, edukimin shpirtëror dhe moral, drejtësinë, bamirësinë dhe solidaritetin e përbashkët njerëzor, ata shkaktuan dhe po shkaktojnë ndasi në mesin e vet xhematit – ithtarëve myslimanë në rend të parë – por, edhe të tjerëve në përgjithësi. Disa shkuan deri në ekstrem sa që edhe baballarëve e gjyshërve tanë në xhami u thoshin dhe akoma po ju thonë se “edhe forma e faljes në mënyrën që e kanë pasur deri sot qindra vite me radhë, ka qenë e gabuar”!

Sipas tyre, as të parët tanë si mësues fetarë, me emër e nam që ishin, si H. Ali Korca, H. Vehbi Dibra, H. Ismet Dibra, H. Sherfi Ahmeti, Mulla Idriz Gjilani, H. Vesel Guta , Ferid Vokopolja, H. Ibrahim Dalliu etj., nuk kanë qenë njohës të mirë të fesë, sepse nyjën e besimit – “akdien” – e kanë pasur të lidhur gabimisht tek Zoti, prandaj edhe mendimet që kanë dalë nga ta nuk vlejnë!

Këto veprime të tilla të pamatura, me tendencë të krijimit të fraksioneve fetare në mesin e komunitetit më të madh fetar në vend, janë rreziku i drejtpërdrejtë që ngjason pikërisht me formën dhe mënyrën e njëjtë të cilën e kanë praktikuar më herët grupe të ndryshme në botën islame, duke i ndarë popullin e vet në tabore fetare deri në ekstrem, rezultati i të cilave më së miri shihet edhe sot, sa që gati nuk kalon ditë e që në ato vende të mos shkaktohet gjakderdhje e vëllavrasje mes njerëzve të pafajshëm nën moton: “Në emër të Allahut!”, e ku secila palë pretendon se është më e denjë se tjetra, në praktikimin e mësimeve të Tij.

Ne, në këtë pjesë të tokës së Zotit, nuk kemi nevojë për të tilla erëra e modele. Instalimi i këtyre rrymave në vendin tonë nuk mund të ketë emër tjetër veçse anarki dhe vetëvrasje, si shoqëri dhe si komb.

Njerëzit dhe shoqëritë e mençura mësojnë dhe përfitojnë nga përvojat e të tjerëve, por edhe nga gabimet e tyre, prandaj si shoqëri dhe komb shqiptar nuk duhet të lejojmë që modelet e të tjerëve dështuese dhe shkatërruese të përvidhen e futen në funksion edhe në mesin tonë, epilogu i të cilave dihet paraprakisht.

Cila do të ishte qasja më e mirë për të parandaluar thellimin e hendeqeve në emër të fesë?

Përgjegjësinë për ruajtjen e qetësisë fetare në vend, si tani e ashtu edhe në të ardhmen, bie mbi çdo prijës fetar, pa dallim. Në emër të lirisë së shprehjes, për asnjërin prijës të cilitdo komunitet fetar, nuk është e drejtë që të fyejë, cenojë apo edhe luftojë tjetrin përmes elementeve të tij besuese dhe fetare.

Meqë qytetarët tanë në përgjithësi, me përjashtime të vogla e ndiejnë veten pjesëtarë të njërës apo tjetrës fe, kurse interesimi për fenë nuk është duke u zbehur, por përkundrazi është në rritje, organizmi fetar në vendin tonë duhet të ketë adresë të qartë dhe njëherazi të ndiejë përgjegjësi para qytetarëve dhe vendit.

Komuniteti fetar më i madh në vend, që sot është Bashkësia Islame e Kosovës, ende nuk ka status të qartë në kuadër të ligjeve të reja të vendit.

Kujt po i konvenon kjo gjendje? Pse vetëm institucioni i BIK-së deri më sot të mos ketë asnjë trajtim serioz drejt rregullimit të pozitës së tij juridike në kuadër të legjislacionit të ri të vendit. Është bërë tepër vonë dhe më nuk ka kohë dhe arsye që ky institucion, i cili bart përgjegjësinë më të madhe të orientimit shpirtëror të qytetarëve të Kosovës, vetëm të shikohet e të vëzhgohet nga distanca se çfarë po ndodhë e çfarë po bëhet në të dhe me të.

Mësimet, qasja dhe forma e interpretimit të mësimeve fetare në mesin tonë, siç dihet është përhapur përmes Perandorisë Osmane dhe që nga ajo kohë, besimtarët e besimit islamë shqiptarë, kanë qenë praktikues të fesë islame mbi mez-hebin hanefit, në shumicë absolute. Vazhdimësia e jonë me këtë qasje dhe këtë formë nga e kaluara e jonë trashëguese, nënkupton edhe termin “Islam tradicional”, e që si duket disa akoma nuk e kanë ose nuk duan ta kenë të qartë. Islami tradicional tek ne me fjalë të tjera është një vijë e mesme e praktikumit të fesë; as radikale e as ekstreme, por ofruese dhe integruese me ithtarët e vet dhe jo kërcënuese ndaj pjesëtarëve të besimeve të tjera. Kjo vijë e zhvillimit dhe interpretimit të mësimeve të fesë, krahas dy burimeve qenësore të islamit , Kuranit dhe Hadithit , për bazë dhe mbështetje ka edhe arsyen, por edhe traditën e një rrethi të caktuar të një shoqërie – urfin. Kjo qasje e fesë islame në mesin tonë, asnjëherë mbi 500 vite me radhë nuk ka shkaktuar përçarje fetare në mesin e kombit tonë, por gjithmonë është treguar dhe konfirmuar si qasje e drejtë ndaj fesë, unifikuese, liberale dhe ofruese dhe jo përjashtuese ndaj askujt, e cila edhe pjesëtarët e besimeve tjera i pranon si pjesë të shoqërisë me të drejta të barabarta, të shprehjes së lirë, të fesë dhe të bindjes.

Islami ynë interpretues tradicional nuk nënkupton censurimin e mendimeve të tjerëve, mirëpo ai përjashton çdo fraksion, çdo sekt, apo çdo orientim fetar i cili në emër të islamit, krahas burimeve të lartpërmendura, përdorë frikën, kërcënimin, shantazhimin, imponimin apo edhe vrasjen e njerëzve, të cilët nuk mendojnë dhe nuk besojnë si ata.