LAJMI I FUNDIT:

Liberalizimi, mundësi e mirë por ka edhe kufizime

Liberalizimi, mundësi e mirë por ka edhe kufizime

Komisionerja evropiane për çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom, të premten në Tiranë ka zhvilluar një takim me kryeministrin Sali Berisha, ndërsa pas takimit kërkoi atë që e kishte kërkuar edhe nga qytetarët e Bosnje-Hercegovinës- që kushtet e lëvizjes duhen zbatuar.

“Më vjen mirë që kryeministri Berisha kujton shtetasit që të mos shkelin afatet dhe kriteret e vendosura. Kjo është një mundësi për shqiptarët dhe nuk duhet që ata të abuzojnë me limitet kohore të vendosura paraprakisht. Liberalizimi i vizave nuk ju jep të drejtën për azil në vendet e BE-së”, u shpreh ajo.

Malmstrom tha se është një mundësi e mirë për qytetarët shqiptarë që të takojnë njerëzit e tyre në Evropë, por edhe për evropianët që të mund të njohin shqiptarët. Ajo bëri të qartë se liberalizimi i vizave është mundësi e mirë por ka edhe kufizime, lëvizet vetëm tre muaj dhe me pasaportë biometrike.

Ndërkohë, kryeministri Berisha shprehu edhe një herë mirënjohjen ndaj KE-së, kryesisë belge të BE-së, dhe për të gjitha vendet anëtare të BE-së për vendimin e tyre dhe tha se Qeveria shqiptare është e vendosur për bashkëpunim që të shmanget çdo lloj pengese negative “ndaj këtij akti madhor që mori BE”. /Telegrafi/