LAJMI I FUNDIT:

Letra përtej Bjeshkëve të Nemuna

Nga thirrjet kumtuese, bartja e lajmit me fjalë, dërgesa “postare” me shkrim apo pëllumb që bart letra (edhe qentë kanë bartur letra), etj. deri te komunikimi me telefon, me @, me programet më moderne “Facebook” (në të cilën shkëmbehen jo vetëm fjalët, por edhe pamjet), kaluan shekuj e mijëvjeçar. Në këtë rrjedhë të zhvillimit dhe të përsosjes komunikuese, letra e shkruar sikur e ka humbur rëndësinë e qëllimit të saj!

Mbetet vetëm Mesi i Artë i poetikës krijuese artistike. Letra kanë shkruar për korrespodencë komunikuese intelektualë, artistë e shkrimtarë të njohur. Një formë poetike të të shprehurit artistik e krijues kanë gjetur te letra. Dhe gjatë historisë janë të njohura letrat dërguar familjarëve, më të dashurve, personazheve fiktive krijuese në veprat e tyre, vetvetes, personaliteteve të njohura e të panjohura, etj.


Edhe sot, letra e ruan fuqinë e saj, edhe pse rëndësia e saj, në krahasim me epokat më të hershme, ka rënë. Mbetet vetëm Mesi i Artë i poetikës krijuese artistike, apo forma poetike e të shkruarit, letrat e hapura e të mbyllura, që herë-herë shkaktojnë “çrregullime” raportesh ndërnjerëzore, apo ngritje në të “kundërtën” artistike. Shpeshherë ka mbetur pikë kyç në njohje. Nëse letra është përdorur në aspekte utilitare, komunikuese e domosdoshme, sot i ka mbetur roli dhe rëndësia e premisave dhe e diskurseve artistike dhe poetike.

Malli për një palimpsest vegues ndaj L. Zanit përtej Bjeshkëve të Nemuna në Ishullin e SaZanit.

Ju L. ndieni dhembje dhe kërkoni ngushëllim e këshillë: “Drita e syve të tij molepsej me hirësinë e ajrit përreth…”. Dy tregimet e shkurtra Tuaja “Çorapet e shpirtit” dhe “Tregimi i gjakut” metamorfizojnë dy gjendje, dy kohë, dy hapësira të gërshetuara në njësinë e prosedeut krijues, ku “Rruga e gabimit çon sërish drejt shkretëtirave të vetmisë çift…” dhe ku “braktisja sjell dhembje” deri në tërmetet që e tundin botën”.

Nëse në Ishullin e SaZanit, në Vlorë e Shqipëri e ruani naivitetin, heshtjen e verbërinë për të arritur në vetmi dhe padjallëzisht për ta bartur në maskën e shpirtit të mjegullnajës, Ne, në Çukën e Kosovës, vazhdojmë të kemi të ftohtë Veriu, shpresë për ta f(r)iksuar dhembjen dhe pak gjak për t’i kapërcyer Bjeshkët e Nemuna. Jo pse Ne këndojmë para dhe pas lirisë, por sepse ende jetojmë në Bregun e të Panjohurave e Sukën e të Papriturave.

Udhëtimet e natës falin edhe dritësi aty ku shumëçka e papritur ndodh në mesditë. Vazhdojmë të udhëtojmë “këmbë” përtej ekraneve televizive! Dëgjohen zhurmërimat nga takimet e të vdekurve nëpër varre! Laurat te Ne janë zhdukur në breglumë! Zërat e Vetmisë parathonë se janë parë duke vallëzuar me Wolf- hounds.

Duke lexuar jetën Tuaj në sytë e ardhmërisë ndodhnin kthesa. Kur linde, kërkohej heshturazi vdekja e diktaturës. Kur e njohe etninë Shqipëri, tashmë ajo dergjej nga e kaluara, pa e ditur se fundi vjen me hapa torturues. Diku në një cep pëshpëritej për vrasje në shkretëtirë pa shi, në skajin tjetër shushuritej për vetëvrasje në ujërat me dëborë, në kryefshat flitej për duartrokitje skulpturash nga antikiteti, ndërsa në periferinë e etnisë vashat me trimin lexonin vargje nga poema “Krutan i mërguar”.

Vite më parë i lexonim krijimet e përmbledhjes “KUR MUZAT TAKOHEN”. Memoria për ta kapërcyer shenjën, aty edhe ku mund të takohen Drini i Zi me Drinin e Bardhë, çdo ditë zvetënohet e ndryshkët, nga rileximet. Fija e Flokut e Thonjtë e Gishtërinjve ndienin lodhje sa herë që rikujtojmë se mund të takohen krijuesit jo me fletët e daktilografuara para botimit sa me ecjet, bisedat dhe përshëndetjet në revy mode, në festival filmi apo në ndonjë panair libri. E gjithë kjo para autostradës së përjetshme!