LAJMI I FUNDIT:

LETRA

LETRA

Poezi nga: Miguel Hernández
Përktheu: Aurel Plasari

Nga një tryezë poste
që kurrë s’mbetet shkretë,
ku rrinë kujtimi, brenga,
zemra dhe heshtja vetë,
posi pëllumba letrat
degdisen që me natë.
I ndiej tek flatrojnë
për në shtegtim të gjatë.


Dhe ja ku jam rrethuar
me burra e me gra
plagosur nga mungesat,
nga ndarjet e mëdha.
Letra, pusulla, fjalë,
që nisen në hapësirë,
ëndrra ende pa çelur,
mendime ende pa gdhirë,
të gjitha marrin rrugën
drejt vatrës e drejt pragut,
si ndjenjë dërguar ndjenjës,
si gjak dërguar gjakut.

Dhe po të jem nën tokë,
që vdiqa ti mos thuaj,
më shkruaj dhe nën tokë,
se unë do të të shkruaj.

Një shtresë e trashë pluhuri
mbulon letrat që s’duhen,
aty u zverdhën faqet,
aty shkronjat u shuhen,
aty humbasin radhët
ku mallet derdhur qenë,
aty jep shpirt mellani
pasi cepat u brenë,
aty rroposen thellë
(ç’varrezë e lahtarshme!)
hem ndjenjat e kaluara,
hem dashuritë e tashme.

Dhe po të jem nën tokë,
që vdiqa ti mos thuaj,
më shkruaj dhe nën tokë,
se unë do të të shkruaj.

Por kur të shkruaj unë
do dridhet kallamari,
do skuqet bojë e zezë
me flakërima zjarri.
Se kur të shkruaj unë
do shkruajnë eshtrat e mia,
do shkruaj gjaku im
gjithë gulç nga dashuria.

Do marrë letra udhë
si shpend ne zjarr kalitur,
me dy flatra të forta
dhe një adresë të ndritur,
si shpend që për fole,
për qiell e ajër do ketë
mishin, gishtërinjtë e tu
dhe frymëmarrjen vetë.
Do mbetesh ti e zhveshur
tek dridhesh me ngadalë,
e gatshme ta ndiesh letrën
pas gjoksit tënd të valë.

Dhe po të jem nën tokë,
që vdiqa ti mos thuaj,
më shkruaj dhe nën tokë,
se unë do të të shkruaj.

Një letër dje kam parë
sesi mbeti pa zot,
mbi sy tek i flatronte
dikujt që s’ngrihej dot.
Letrat që mbesin gjallë
dhe për të rënë tregojnë,
që regëtijnë si njerëz,
veç sy s’kanë të shikojnë.

Kur dhëmbëqenzit rriten,
unë ndiej pranë veshit tim
fërrmimn’ e letrës sate
tamam si një gjëmim.
Dhe mos e marrsha zgjuar,
në gjumë do e marr atë letër
dhe do kullojnë plagët
si kallamarë të vjetër,
do çelin buzët plagët
drejt puthjeve të tua
dhe, tek lëvizin heshtas
do thonë prapë: të dua.

Dhe po të jem nën tokë,
që vdiqa ti mos thuaj,
më shkruaj dhe nën tokë,
se unë do të të shkruaj.