LAJMI I FUNDIT:

Lazio fiton Superkupën e Italisë

Lazio fiton Superkupën e Italisë

Fituesi i Kupës së Italisë, Lazio, ka mposhtur me rezultat 2-1 kampionin e Serie A, Interin, për të fituar Superkupën e Italisë në ndeshjen e sotme të zhvilluar në Pekin të Kinës.

Para një stadiumi të mbushur me 70 mijë tifozë, Lazio doli më e qëndrueshme se Interi për të ngritur trofeun e Superkupës së Italisë për të tretën herë në histori.

Interi ishte ekip më i mirë për pjesën më të madhe të ndeshjes, por dy gola të shënuar në pjesën e dytë nga romakët ishin vendimtarë për fitoren e tyre, dhe gjithçka mundën të bëjnë më pas nerazurët ishin të ngushtojnë rezultatin.

Djelmoshat e drejtuar nga trajneri Jose Mourinho kishin posedimin e topit dhe rastet më të mira, por nuk arritën të gjejnë rrejtën e kundërshtarëve.


Ndryshe nga pjesa e parë e ndeshjes, 45 minutat e dyta të ndeshjes sollën tri gola. Lazio morri avantazhin pas 63 minutash lojë, kur Francelino Matuzalem goditi dy herë në drejtim të portës së Julio Cesar, i cili arriti të mbrojë të parën, por jo edhe të dytën.

Tre minuta më vonë biankocelestët dyfishuan rezultatin, me anë të sulmuesit Tommaso Rocchit (66’).

Autori i golit të vetëm të Interit, Samuel Eto’o, duke dribluar me topin. Foto: AP

Interi, i tronditur nga dy golat e shpejtë të pranuar, arriti vetëm të ngushtojë disavantazhin, 12 minuta para fundit të kohës së rregullt, me anë të përforcimit të ri, Samuel Eto’o, i cili pranoi një asist nga zëvendësuesi Mario Balotelli.

Nerazurët menduan se barazuan pesë minuta para fundit, kur Diego Milito mposhti portierin Muslera, por goli u anulua për shkak të pozicionit të Eto’o në ballë të portierit.

Pavarësisht humbjes së rastit për të fituar Superkupën e Italisë për të dytin sezon radhazi, Interi tregoi se është ekip i fuqishëm dhe se do të jetë pretendent kryesor për titullin në kampionatin italian.