LAJMI I FUNDIT:

Lavdi ynë, turpi ynë

Plot politikanë të Kosovës me namin e të cilëve ne si popull i varfër dhe i paditur kemi jetuar me vite e dekada, pritet të ndëshkohen o me gjyq o me votë. Ata që ishin nderi ynë, një ditë do të jenë turpi ynë. Sovrani ka nisë të flasë.

Bota i cilësoi si demokratike zgjedhjet parlamentare në Kosovë, por pa harruar t’i shënojë vërejtjet për parregullsitë në disa vendvotime. Bashkësia Evropiane i cilësoi ato po ashtu si të rregullta duke kërkuar që KQZ t’i adresojë ankesat në mënyrë korrekte, gjë të cilën ne presim se ajo do ta bënte edhe pa këtë rekomandim. Por, nëse kemi parasysh deklaratën e KQZ se krejt shqyrtimi i këtyre ankesave nuk mund ta ndërrojë rezultatin më shumë se një për qind, atëherë fitorja e Partisë Demokratike të Kosovës qysh tani mund të konstatohet si definitive.


Ky rezultat zgjedhor, siç e tha një zyrtar i AAK-së shpërbleu qeverinë për punën e vet tri vjeçare dhe dënoi pothuaj të gjitha partitë opozitare. E shpërblyer doli edhe Vetëvendosja, si subjekt politik që nuk ka pasur ndonjëherë pushtet dhe që edhe pse nuk ka vizion si t’i tejkalojë problemet, ajo di të paktën t’i artikulojë ato. Votuesit ishin fer edhe ndaj FER-it, duke i hapur derën në skenën politike të Kosovës me shpresë se ajo do ta krijojë subjektivitetin e vet politik për t’u bërë alternativë serioze e së ardhmes. Kur jemi të Vetëvendosja dhe FER-i na mbetet t’i përgëzojmë për kontributin e tyre të pashembullt në demokracinë tonë të brishtë, ku si rezultat patëm një stimulim të qytetarëve për të votuar për të ardhmen e tyre.

Rezultati që prodhuan zgjedhjet nuk ka sjellë asgjë befasuese, pos që relativisht ka konfirmuar parashikimet e analistëve të ndryshëm dhe pjesërisht edhe disa sondazheve të bëra në prag të zgjedhjeve. Partia që duket të jetë më e lumtura pas zgjedhjeve është PDK e Hashim Thaçit. E ballafaquar me kritika të ashpra të opozitës, të medieve dhe të shoqërisë civile, në njërën anë dhe e vetë lavdëruar për qeverisje të mirë tri vjeçare, në anën tjetër, PDK mori vizën për ta vazhduar drejtimin e vendit “me energji të reja dhe me konceptin e duarve të pastra.”

Lidhja Demokratike e Kosovës e udhëhequr nga lideri i ri Isa Mustafa, shënoi rritje solide duke shpëtuar rënien e mëtejme që parashihej sikur të udhëhiqej nga Fatmir Sejdiu. Votat e tubuara, sidoqoftë treguan më se miri për pazotësinë apo pamundësinë e Isa Mustafës për ta bërë reformimin e partisë. Ajo që do të duhej ta shqetësonte këtë subjekt është se sjelljet e z. Mustafa nuk premtojnë ngritje të kësaj partie në të ardhmen, meqë ai nuk e ka as guximin e as vullnetin për t’u përballë me njerëzit që pengojnë reformimin e partisë.

Vetëvendosja arriti një fitore solide në këto zgjedhje duke iu falënderuar një organizimi jashtëzakonisht të mirë parazgjedhor dhe duke kontaktuar fizikisht ose me telefon simpatizuesit e vet deri në minutat e fundit para orës 19.00 të 12 dhjetorit. Koncepti politik i Vetëvendosjes nuk pritet të fitojë ndonjëherë në Kosovë, por tani në Kuvend pritet të kemi zëra të fuqishëm për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, gjë që do të jetë një ndihmë e mirë për qeverinë e re dhe për organet e drejtësisë dhe të policisë së Kosovës nëse duan të punojë mbarë.

AAK-ja arriti ta ruajë elektoratin e vet, por kurrsesi t’i bind qytetarët se është alternativë e pushtetit të Kosovës. Beteja e nisur nga lideri i saj Ramush Haradinaj nuk u përcoll me sukses nga zëvendësi i moderuar Blerim Shala, apo nga vëllai i tij Daut Haradinaj. Tani po shihet se pa Ramush Haradinajn, AAK është një subjekt politik i pashpresë, i cili mund të pësojë rënie edhe më tej në të ardhmen, sidomos nëse vazhdon të jetojë në opozitë. Zoti Blerim Shala që shihej jo vetëm si prurje, por edhe si frymë e re në AAK ka dështuar plotësisht në faktorizimin e këtij subjekti politik si pretendent për bërjen e qeverisë. Në vend të kësaj ai ka faktorizuar vetveten si një kandidat i mundshëm për president nën bekimin e Hashim Thaçit!

AKR ka arritur të hyjë në Kuvend vetëm duke mbushur boshllëkun e vet të brendshëm me “organe” të huazuara. Si subjekt politik mbetet i pa shpresë. Behxhet Pacolli me gjithë kontributin e tij të pakontestueshëm në sigurimin e njohjeve diplomatike për Kosovën, nuk ka arritur të bëhet faktor relevant as për president të mundshëm, po as për një ministër të jashtëm të Kosovës. Qëllimi i tij për ta ndërtuar një subjekt që do t’i krijonte atij një vend rojal në shtetin e tij të lindjes, ka dështuar tërësisht. Iniciativa për ndryshimin e Kushtetutës ku presidenti do të zgjidhej me votën e popullit mund të bëhet realitet, por që Kosova ndonjëherë ta dëshirojë Behxhet Pacollin për president është vetëm një ëndërr e tij. Atij i mbetet që ta ndërtojë Kështjellën e tij të bukur princore në Ajvali dhe ta mbajë fronin e njeriut më të pasur në Kosovë para se këtë ta bëjë ndonjë biznesmen apo politikan tjetër. Jeta është bërë tejet dinamike dhe konkurrenca shumë e fuqishme!

LDD e Nexhat Dacit u kthye meritueshëm aty ku Fatmir Sejdiu i kishte treguar vendin para pak më shumë se tri vitesh. Kjo parti e ndërtuar nga militantët e LDK-së tregoi se me militantët mund të bësh një togë militantesh , por jo edhe një parti politike. Nexhat Daci, akademiku “botëror “ megjithëse me “sinqeritetin” më të madh tregoi se si arka e Kuvendit i kishte paguar atij dhëmbët e rinj pa dijeninë e tij, mori njëshin e parë, por në formë të përfunduar nga populli i Kosovës. Meqë ai i ka përdorur dhëmbët në Kuvendin e Kosovës dhe për të mirën e popullit, unë do t’ia bëj hallall djersën time. Si Nexhat Daci pritet të përfundojnë edhe plot politikanë të Kosovës me namin e të cilëve ne si popull i varfër dhe i paditur kemi jetuar me vite e dekada. Ata që ishin nderi ynë, një ditë do të jenë turpi ynë. Sovrani ka nisë të flasë.