LAJMI I FUNDIT:

Kuvendet e kafesë

Studentët gjënë më primare që kanë është mësimi, ka prej atyre që mësojnë shumë, normalisht që ka edhe prej atyre që mësojnë mesatarisht, por disa prej tyre mësojnë më pak. Si pasojë studentët në këtë mënyrë një pjesë të konsiderueshme të kohës ia kushtojnë mësimit, d.m.th, të shkuarit nëpër ligjërata që është një pjesë e mësimit dhe vajtja nëpër salla të leximit. Pra kalon kështu një pjesë të madhe të kohës. Gjithashtu një pjesë tjetër e konsiderueshme të kohës kalon nëpër aktivitete të ndryshme gjatë ditës. E pjesë e këtyre aktiviteteve që studentët i kushtojnë rëndësi është edhe pirja e kafesë, e cila është bërë shumë në modë sidomos nga brezat e rinj. Po ashtu kjo pije ka zotëruar një vend të veçantë edhe më përpara duke bashkangjitur këtu edhe çajin.

Kafeja si një pije pozitive që përmban kafeinë, e cila e bënë njeriun të jetë më i kthjellët, zakonisht pihet në mëngjes. Por te studentët pihet edhe në kohët e tjera. E kjo e ka bërë kafenë që të jetë një nga pijet më të popullarizuar në mbarë globin. Kaq e popullarizuar është sa nuk gjen dot një shtëpi që nuk pihet kafeja. Ajo pihet si në shtëpi, në hotel, në punë, në bare-kafe e kudo. Gjë të cilën e bënë këtë pije që të jetë kaq e veçantë.


Por ajo çka më shtyri që të shkruaj këtë temë nuk është kafeja si pije, por kafeja si një lloj arsyetimi për ta ftuar tjetrin për kafe. Bisedimi me dikë, duke diskutuar kështu tema të ndryshme individuale, shoqërore, politike dhe ekonomike. Pra ato gjëra për të cilat njerëzit kanë dëshira për t’i realizuar, ose plane për të ardhmen apo shqetësime të ndryshme me të cilat njeriu mund të ballafaqohet përditë.

Në sociologji kjo temë është trajtuar dhe këtë e ka bërë një nga sociologët më të mëdhenj bashkëkohor Anthony Giddens, në librin e tij “Sociologjia” në kapitullin e parë në një nga temat të cilat ai i zhvillon ndër të tjera ka përmendur edhe pirjen e kafesë kur thotë se, “ajo ka vlera simbolike si pjesë e riteve të përditshme sociale”, duke vazhduar se “shpesh riti që shoqërohet me pirjen e kafesë është më i rëndësishëm se sa vetë akti i pirjes së kafesë”.

Pra ne jemi me shumë të interesuar që të bëjmë bisedë se sa të pimë një filxhan kafeje. Megjithëse kafeja konsiderohet si një lloj droge, por nga ana tjetër ajo ka efekte pozitive për trurin tonë që gjeneron veprime stimuluese e cila na jep një ndjesi kaq të mirë në mëngjes, gjithashtu edhe orëve në vazhdim. Giddensi gjithashtu cek se, “njeriu kur pi kafe përfshihet në një tërësi marrëdhëniesh ekonomike sociale të përhapura në tërë botën që janë jashtëzakonisht të ndërlikuara”.

Pra pirja e kafesë është një akt që personi apo individi dëshiron të ndajë momente të veçanta me një shokë apo me shoqërinë në përgjithësi. Por si është gjendja reale e studentëve? A e shfrytëzojnë ata këtë kohë ashtu siç duhet me shokët e tyre? Apo merren me llafe sa poshtë e lart? Apo merren me muhabete e thashetheme që nuk kanë aspak dobi. Çfarë bëjnë ata vallë?

Studentët kanë shoqëritë e tyre dhe mundohen të rrinë me ata persona që iu shkon muhabeti dhe të cilët përshtaten me ta, duke kaluar kështu një orë apo dy në kafe. Kjo është si një mesatare se ka edhe prej tyre që rrinë edhe më shumë. Edhe nëse harxhohen kaq orë në kafe, kjo nuk është një humbje nëse shtrohen probleme që i përkasin studentëve. Problemet të cilat mund të zgjidhen dhe t’i ndihmojnë kështu në kryerjen e studimeve. Por humbje e madhe është atëherë kur harxhohet koha me debate destruktive dhe me muhabete që nuk i përkasin aspak studentit.

Nëpër kafenetë e studentëve, domethënë në ato që studentët i frekuentojnë më së shumti, do të dëgjosh muhabete të cilat lidhen në përgjithësi me ato që i bëjnë gjatë ditës, pra me ndërveprimet shoqërore, e sidomos me gjininë e kundërt, gjithashtu edhe me muhabetet që lidhen me shakatë apo me talljet të cilat i bëjnë duke marrë shembull njëri tjetrin, apo diskutime të tjera si futbolli, serialet, makinat, veshjet dhe për aparencën apo pamjen e jashtme në përgjithësi.

Studentët kanë më shumë se kaq për të folur, sepse po kryejnë gjithsecili nga një fakultet, dhe po shkojnë gati se po thuaj përditë nëpër ligjërata duke marrë informacione të vyeshme për lëndët e tyre. Dhe nga ana tjetër të kesh në gojë vetëm këto muhabete që nuk përputhen fare me mësimet e tyre. Ky fakt me të vërtetë të lë për të dëshiruar. Pra shkurt nuk përket fare me atë se çka dëgjojnë në ligjërata dhe gjithashtu edhe me qëllimin e ardhjes së tyre në fakultet.

Studentët duhet të mundohen që gjithmonë të jenë fleksibil, dhe gjithashtu të kontrollojnë çdo situatë që u del përpara. Biseda nëpër kafene duhet të jetë një dëshmi e jona, duke biseduar gjëra që vërtet na shqetësojnë, e jo të merremi me muhabete në të cilat s’kemi dobi aspak. Të diskutojmë tema të cilat janë për ne, janë për kalibrin tonë. Tema të cilat do na ndihmojnë në zhvillimin tonë intelektual nesër. Të diskutojmë tema që na zgjerojnë diapazonin tonë, duke përfituar prej atyre njerëzve që ulemi, qoftë edhe nëse ai është shoku me të cilin rrimë për ditë. E jo të bëjmë shaka dhe të mos dimë të përfitojmë prej njerëzve që na rrethojnë, se çdo njeri ka diçka për të thënë. Sepse vetëm kështu i nderojmë të tjerët dhe prej të gjithë atyre që mund të na bie rasti të takohemi vetëm njëherë.

Pra t’i shfrytëzojmë të tjerët sa të kemi mundësi. Kështu e respektojmë duke ua dëgjuar fjalët që thonë, e jo t’ua ndërkrejmë muhabetin sa herë që të na kujtohet diçka. Por duhet të dimë të durojmë dhe të presim derisa tjetri të mbarojë fjalën, apo konceptin e tij për një muhabet të caktuar.

Pra ashtu si çdo gjë që ka rregullat e veta edhe kafeja ka rregullat e saja. Le të vazhdojmë pra të përmendim edhe disa norma të tjera të cilat do të na bëjnë të kuptojmë më mirë një bashkëbisedim të mirëfilltë ku secili person vlerësohet për atë që është. Së këndejmi duhet të mësohemi që të flasim në grup, duke ia lënë radhën secilit, duke i dëgjuar të gjithë të pranishmit në kanë diçka për të thënë. Sepse çdo mendim duhet të respektohet pavarësisht se si është ai. Edhe kur të marrim fjalën duhet të kuptojmë se kur është koha që të ndalemi, e jo të vazhdojmë pa pushim duke folur, sepse kështu askush nuk do të dëgjojë dhe si pasojë i kemi humbur pikë vetes dhe në fund asgjë nuk arrihet.

Mos të qeshim me pyetjet të cilat ne na duken naive apo qesharake, sepse i ofendojmë të tjerët, por nëse e dimë, të përgjigjemi ashtu siç i ka hije një studenti. Të mundohemi që në tavolinë të bëhet një muhabet konstruktiv nëse jemi shumë veta, e jo të flet çdo njeri në kokë të vet, se kështu nuk ka rregull dhe nuk e merr vesh i pari të fundin. Kështu shkon çorapë çdo gjë, dhe në fund të fundit asgjë nuk përfitohet, vetëm sa harxhohet kohë dhe asgjë tjetër.

Këto që thashë nuk do të thotë që nuk i dinë studentët, përkundrazi i dinë shumë mirë bile. Por më e keqja është se i nënvlerësojnë dhe nuk ia vënë shumë veshin këtyre gjërave. Sepse ata më shumë presin se çfarë t’iu sjellë rasti të lëshojnë ndonjë barsoletë apo batutë që të tallen me dikë, se sa të mendojnë të thonë diçka serioze. Studentët vet e kanë në dorë veten e tyre dhe po ashtu edhe koha është në dispozicion, por vetëm se duhet të dinë si ta përdorin atë dhe mos t’i shkojë kot. Se përndryshe bëhet vonë, e kur bëhet vonë nuk kanë për ta gjetur më kohën e cila kaloi. Kthim mbrapa nuk ka. Prandaj fillo ti i pari të bësh këtë ndryshim.