LAJMI I FUNDIT:

Kushtet ekonomike ndryshojnë festimin e Kurban Bajramit

Kushtet ekonomike ndryshojnë festimin e Kurban Bajramit

Qytetarët e Kosovës kanë filluar ta festojnë ndryshe Kurban Bajramin. Ata përveç vizitave te familjarët dhe miqtë e tyre, gjatë natës shfrytëzonin lokale e organizime të ndryshme për të festuar këtë festë, por viteve të fundit për shkak të papunësisë dhe krizës ekonomike, të pakët janë ata që vazhdojnë ta praktikojnë në gjë të tillë.

Madje për shkak të zhgënjimit me gjendjen sociale për disa qytetarë, festat kanë filluar të zbehen dhe nuk po i jepet ndonjë rëndësi.

Një gjë të tillë e thotë edhe Hysen Ademi, qytetarë i Prishtinës. “Si zakonisht në gjirin familjarë të ngushtë, tek shokët tek miqtë, i kemi vizituar, na kanë vizituar, por lirisht muj më thonë se një nga Bajramet më të lodhur, sepse ekstrem varfëria në Kosovë, po shihet ashiqare, nuk kemi qenë të kënaqur. Po nisëm prej vetës, nuk kam qen i kënaqur…Në mbrëmje s`ke ku me dal, ekstrem papunësi e madhe, krizë e madhe ekonomike, nuk të lejojnë kushtet”, ka thënë ai për KosovaPress.


Të njëjtën gjë e ka pohuar para kamerave të Kosovapress edhe Zekije Islami. “Bajramin në banesë e kemi kaluar, mirë e kemi kaluar, ju urojë gjithë shqiptarëve këtë Festë të Bajramit… Jo është pak më e dobët atmosfera”, ka thënë ai.

Qytetarët thonë se viteve të kaluara, gjatë gjitha 3 ditëve, sa zgjatë edhe Kurban Bajramit, ka pasur festë në shtëpitë e myslimanëve, e gjithashtu edhe organizime në restoranete të ndryshme. E që këto vitet e fundit, vetëm në ditën e parë të Kurban Bajramit, qytetarët po festojnë.

Edhe Osman Vitija thotë se festën e Kurban Bajramit e ka kaluar duke i vizituar familjarët. “Bajramin në gjirin familjarë, shëtitje, vizita tek të afërmit, një festë tradicionale, besojë e këndshme për të gjithë.. mendojë se është tradicionale e njëjta siç ka qenë më herët”, ka thënë Vitija, para kamerave të KosovaPress-it.

E këtë vit, qytetarët kanë vërejtur ndryshime edhe në faljen e Bajramit.
Besart Kovaçi, i cili jeton në Shqipëri thotë se këtë vit ka qenë një numër më i madh i qytetarëve të cilët kanë falur Bajramin. “Bajrami në Shqipëri është gati njëjtë si këtu, mirë e kemi festuar shumë, me familje në shtëpi e kam festu. Më shumë, një ndryshim e kam parë që këtë vit ka pas më shumë që janë fal në Xhami dhe ka qenë më mirë për mua”, tha ai për KosovaPress.

Por për disa më shqetësuese është se viteve të fundit, mungon edhe solidariteti i qytetarëve me të tjerët. /Telegrafi/