LAJMI I FUNDIT:

Kush viktimizohet më së shumti?

Kush viktimizohet më së shumti?

Pjesëmarrja e të rinjve shqiptarë nga Kosova dhe trojet tjera etnike në luftëra e huaja (Irak dhe Siri), kohëve të fundit e veçmas pas arrestimit të 40 personave të dyshuar për përfshirje në rrjetet terroriste (luftëra), është bërë temë qendrore në qarqet mediale, por edhe shoqërore.

Aksionet për luftimin e terrorizmit të çfarëdo natyre, dhe kudo qoftë, janë përgjegjësi e institucionale, por edhe e secilit qytetar që të jep kontribut për aq sa mundet në luftimin kundër fenomeneve negative në shoqëri, e veçmas për temën në fjalë. Më shumë se sa të debatojmë, e të bëjmë “Show Medial”, veçmas në rrjetet sociale, e kam potencuar edhe në shkrimet e tjera se do të duhej të identifikohen (hulumtohen) nga instancat përkatëse së paku dy çështje tejet të rëndësishme: cilat janë shkaqet e përfshirjes së të rinjve në këto luftëra dhe cilat mund të jenë pasojat për shoqërinë dhe vendin e Kosovës nga pjesëmarrja e të rinjve kosovar në këto luftëra? Për fund, do të duhej të hartohen plane dhe strategji konkrete për luftimin e këtij fenomeni negativ.


Mendoj se është jo korrekte dhe jo e sinqertë ti jepet konotacion kaq i ngushtë këtij fenomeni me përmasa shumë më të gjera se sa shihet dhe interpretohet nga individë të caktuar. Të thuhet se shkaku kryesor është indoktrinomi apo në disa raste duke e etiketuar fenë Islame në këtë fenomen negativ, më duket jo etike, jo profesionale dhe për më tepër kujtoj se ka qëllime më shumë se sa kaq nga individë dhe qarqe të caktuara (më shumë se sa për të luftuar në të vërtet këtë fenomen negativ). Kur shqyrtohen tema të ndjeshme, siç është rasti me bindje të caktuara ideologjike, shikuar nga këndvështrimi sociologjik tërheq vëmendjen se do të duhej të jemi shumë të kujdesshëm për arsye se duke u munduar të ndihmohet në daljen nga situata të këtilla, mund të ndodhin të papritura të padëshiruara.

Për aq sa kam mundur me u njohë me biografinë e shkurtër të të dyshuarve për përfshirje në luftërat në Siri dhe Irak, por edhe të atyre që janë të përfshirë drejtpërdrejt dhe që janë të njohur për publikun e gjerë, përmes mediumeve dhe rrjeteve sociale, kujtoj se të involvuarit në këtë fenomen negativ për shoqërinë dhe vendin janë kryesisht të rinj dhe me një gjendje ekonomike jo edhe aq të mirë. Çfarë don të thotë kjo!? Mos këtë të rinj janë viktimë e papjekurisë (moshë e re) për të marrë vendime kaq të rëndësishme me impakt permanent për jetën e tyre dhe më gjerë, apo janë këta të rinj të cilët për arsye të ndryshme mbase braktisin bankat shkollore duke rënë pre e mashtrimeve dhe kështu duke u viktimizuar? Mos vallë është gjendja ekonomike ajo që ju dikton këtyre të rinjve të bëhen pjesë e mashtrimeve deri në viktimizim?

Studime të ndryshme sociologjike kanë treguar se më së shumti kanë të ngjarë të viktimizohen kategoritë e sipërpërmendura. Pra, për dilema si këto dhe të tjera të ngjashme, do të duhej para së gjithash të gjenim përgjigje në pyetjen: sa po punohet në mirëqenien e këtyre kategorive shoqërore?

Si përfundim, kujtoj se tema si kjo mund t’i ketë rrënjët shumë më të gjera se sa në atë në të cilën po aludohet. Për daljen nga situata të kësaj natyre (fenomeneve negative), përveç asaj që u tha më mirë se kushdo tjetër mund të ndihmojnë prijësit e vijës së njëjtë apo të përafërt ideologjike, programet edukativo-arsimore, institucionet e rendit dhe ligjit dhe të tjerë akterë.