LAJMI I FUNDIT:

Kultura, arti në Kosovë dhe dhembja e Majkell Xhekson

Në prologun e këtij sezoni “të mbylljes” për inovacione dhe investigime të reja shkencore-kulturore-artistike, kokat po u digjen krijuesve tanë! Ka a nuk ka nivel identiteti evropian letërsia shqipe?! Janë të mjaftueshme 55 000 euro që një regjisor ta padisë një drejtor apo duhet më shumë transparencë?! E kokat e audiencës çfarë presin dhe çfarë kërkojnë…

Videoxhirimet 25 vjet më parë: Një gjysmëshekulli më parë Majkëll Xhekson pësoi një djegie koke, fotografitë e të cilit akt dolën në dritë vetëm pas vdekjes së tij. Dhe, nga ajo skenë e llahtarshme thuhet se Xhekson kurrë më nuk e mori veten, apo më mirë të thuhet ka ndjerë në vazhdimësi dhembje, të cilat e dërguan edhe në vdekje-vrasje të parakohshme! Ishte në kulmin e krijimtarisë kur si një madhështi përbindëshe vallëzonte, lëvizte shkallëve pa e ditur se koka e tij digjej. Vetëm 3-4 sekonda qenë të mjaftueshëm që ai ta përjetonte një djegie, e cila do të ndikonte në fizikun dhe psikën e tij. Dhe, aq më keq ishte një reklamë për ndonjë nga firmat prestigjioze të marketingut. Muzicientët analistë dhe studiues të artit të këndimit dhe kërcimit mund të dinë më mirë për krijimtarinë e tij artistike në kapërcyell të shekujve. Nëse, sot, në një anë, shkruhen mijëra thashetheme, qofshin edhe të realitetit të hidhur mbi jetën private, në këtë rast të Xheksonit, dhe, në anën tjetër, për fundin dhe fillimin e tij jetësor, pak shkruhet për trendin dhe krijimtarinë artistike të këtij gjigandi të këndimit dhe vallëzimit skenik!
Në kontekstin dhe në çfarëdo “kontesti”, një parafrazim i tillë titullëzues nuk shkon! Megjithatë, fijet e ndërlidhjes sikur na bëjnë ëndërrues për refleksionin në mes artit e kulturës dhe “fushatës mediale” në Kosovë!


Raporti nga një gazetë: Ligjërata e akademik Qosjes, mbajtur në Seminarin XXVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në Prishtinë, ka ngjallur reagime. Dhe kundëreagime! Ekziston një letërsi me emrin Letërsia Shqipe (Shqiptare). Por, është e nivelit evropian a nuk është kjo, është çështja! Katër shkrimtarë në Shqipëri reagojnë ndaj qasjes së kësaj ligjërate. Pastaj, edhe vetë akademiku, në diakroni dhe sinkroni gjithëpërfshirëse përgjigjet! Dilemat mbetën pezull! Nga pjesëmarrësit, seminaristët një heshtje! Për koincidencë, gazeta “Shekulli” e botoi në tërësi lectio-n magistralis “Letërsia e gjuhës së ndaluar”, që shkrimtari Ismail Kadare e lexoi kohë më parë në Universitetin e Palermos, me rastin e dhënies së titullit Doctor Honoris Causa. Kadare flet për shkrimin e ndaluar në pesëqind vjet pushtimi osman dhe krijimin e racës së shkrimtarëve nën komunizëm, që e mbajti në këmbë metodën e realizmit socialist, për rendin totalitar dhe problemet me letërsinë, për ndodhitë fatale kur autoritetet kanë vepruar kundër letërsisë, për ndalimin e letërsisë shqipe dhe strehimin e saj etj. Ishin ditë që njëkohësisht mbahej Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën… në Prishtinë dhe Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Durrës. Derisa Prishtina, në mendimin ligjërues të Qosjes përfundonte me çështjen e identitetit evropian të letërsisë shqip, Durrësi në refleksionet ligjëruese të Kadaresë niste me Pal Engjëllin, Formulën e Pagëzimit. Ndërsa në këndet e cepet e plazhit të Durrësit nuk i digjej koka asnjë këngëtari(je)! Disa nga ato, me këngët e tyre, edhe pse janë të dashuruara marrëzisht, e ruajnë kokën!

Fushata mediale: Këto ditë po ashtu edhe një kërkesë denoncimi gjyqësor. Regjisori A. K. e akuzon dhe e padit drejtorin e TV Klan Kosova, B. H. Derisa i pari e ka bërë transparente mënyrën e tij paditëse nëpërmjet një takimi me gazetarë, i dyti merret me publicistikën e “Protokollit” vendimmarrës (?) ndërshtetëror politik. Derisa i pari kërkon edhe 55 000 euro dëmshpërblim dhe kërkim-falje për fyerje, i dyti fshihet nëpër zyrat e televizionit të tij (?) dhe nuk do të merret me “gënjeshtarë”, si i pari! Hajt politikë, kulturë, profiterë të vlerave krijuese-artistike?! Ec e mos e vë në dyshim politikën globale në Kosovën e tashmë një dekadë pas luftës?! Garant, asnjërit prej këtyre dyve koka nuk do u digjet!