LAJMI I FUNDIT:

Ku mund të na shpije Bedri Hamza?!

Një fjalë e urtë popullore thotë “shtrijë këmbët aq sa e ke jorganin!” Siç duket disa nga udhëheqësit e sotëm të vendit, respektivisht qeveritarët tanë e konkretisht ministri i Financave, z.Bedri Hamza, nuk e ka dëgjuar këtë fjalë të urtë. Ky zotëria si duket nuk ka qenë asnjëherë “menaxher” i shtëpisë së vet, ose nuk i ka rënë të mësojë se ai që harxhon më shumë se që ka ose është i paditur ose aventuristë, por asnjëherë njohës i mirë i politikave ekonomike, apo menaxher i mirë.

Ministri Hamza ka hartuar së bashku me disa “ekspertë të mirënjohur” projektbuxhetin e Kosovës për vitin 2011, që do të peshojë 1 miliardë e 467 euro. Të hyrat për buxhetin e Kosovës do të jenë 1,264 milionë euro, ose 12,3 për qind më shumë se vjet dhe ato do të rriten nga tatimet në kufi dhe brenda vendit, 18.6 %. Të hyrat kufitare do jenë 831 milionë euro, kurse të hyrat vendore 261 milionë. Në të hyrat është kalkuluar edhe dividenta që pritet të deklarohet nga PTK dhe ANP. Sa i përket shpenzimeve të përgjithshme buxhetore ato do të peshojnë 1 miliardë e 434 milionë euro, që është 19.3% më shumë se vjet.


Për paga e mëditje janë paraparë 383 milionë euro ose 23 për qind më shumë se vitin e kaluar, dhe këtu është paraparë ngritja e pagave për sektorin publik. Subvencione e transfere priten në vlerë prej 272 milionë euro, nga të cilat për mirëqenien sociale do të shkojnë 238 milionë euro, kurse subvencionet për ndërmarrjet në pronësi publike, 34 milionë euro. Ndërsa deficiti do te jete 5% që nuk ka ndodhur asnjëherë të jetë i tillë në Kosovë. Sikur ne të jemi vend i Bashkimit Evropian kjo normë do të ishte e palejueshme, meqenëse Bashkimi Evropian ka një nivel prej 3.5 për qind të deficitit në relacion me bruto produktin vendor. Nuk është diçka e panjohur që edhe vendet më të zhvilluara ekonomikisht të hyjnë në deficit, por ajo që na shqetëson ne është se sa është në gjendje ekonomia e Kosovës ta mbulojë këtë deficit.

Ndërtimi i autostradës

Zbatimi i projektit për ndërtimin e autostradës thuhet se do të kushtojë rreth 700 milionë euro. Ka qenë një ëndërr për çdo shqiptar që të shkojë në Tiranë për 3 ose 4 orë, dhe në këtë s’ka asnjë diskutim. Demagogjia e retorikës se kush “kritikon ndërtimin e autostradës është kundër bashkimit kombëtar” vë në pah mungesën e arsyetimit ekonomik të tanishëm se a e kemi atë luks që për një pushim një herë ne vit që shkon nja 1 orë më herët të harxhohen 700 milionë euro??? në kohën kur rrezikojmë qëndrueshmërinë makrofiskale të vendit në mungesë të vizionit për zhvillim të vendimit dhe të mbledhjes së të hyrave buxhetore.

Duhet theksuar se Komisioni Evropian (KE) ka potencuar rëndësinë e disiplinës fiskale si parakusht për mjedis stabil makroekonomik dhe investime në Kosovë, dhe me këtë trend lëre që nuk pritet të ketë investitor të rinj, por edhe këta të pakët që janë është rreziku që do të largohen. Asnjë investitor i mirëfilltë nuk do të investonte në një vend me të cilin FMN ka prishur marrëveshjen dhe me këtë rasti edhe nuk i ka ndarë 136 milionë eurot e premtuara, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave për shërbyesit civilë.

Çka mund të pritet më tutje

Edhe në muajin e gjashtë të vitit raportet ndërkombëtare flasin për mundësinë që Kosova në muajt e fundit të mbetet pa buxhet, konkretisht që punëtorët që financohen nga qeveria të mbesin pa rroga. Në disa komuna vetëm po shfaqen shenjat se nuk kanë paga për 3 muajt e fundit të vitit. Por më e keqja që pritet është ajo e vitit të ardhshëm kur: tw mos e kemi PTK-në që ta shesim, pra të mos i kemi 300 milionë eurot që priten të hyjnë nga shitja e PTK-së, kur pritet të nisim vitin me deficit 5%, kur investimet nga jashtë të mungojnë etj.

Nëse do te kemi kësi “ekspertë të prototipit HAMZA” atë që sot po e shohim tek Greqia do ta përjetojmë edhe ne, dhe me e keqja është se duke mos qenë vend i BE-së punët mund t’i kemi edhe me keq. Prandaj për të mos ardhur deri në masën ekstreme që investitorët e huaj të kenë emër të leverdishëm të blejnë tërë Kosovën se sa të investojnë.