LAJMI I FUNDIT:

Ku mbeti pasuria e Titos, sa i takoi Kosovës?

Ku mbeti pasuria e Titos, sa i takoi Kosovës?

Ish-shtetet pasuese të Jugosllavisë së Josip Broz – Titos në vitin 2004 arritën një marrëveshje rreth ndarjes së arit monetar të Bankës Kombëtare të Jugosllavisë (NBJ), e cila ishte “bllokuar” në bankat evropiane.

Një sasi prej 8.5 tonelata ari, vlera e të cilit është vlerësuar në rreth 107 milionë dollarë, të cilat i ndanë Serbia, Mali i Zi, Kroacia, Bosnja-Hercegovina, Maqedonia dhe Sllovenia, ishte trashëgimi dhe pasuri prej kohës së Titos!

Sipas kësaj marrëveshje, Serbisë i takon 38 për qind, 23 për qind Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës 15.50 për qind, 7.50 për qind Maqedonisë ndërsa Sllovenisë 16 për qind të aktiveve dhe detyrimeve financiare të ish-Jugosllavisë, ndërsa Kosova nuk u përfshi në këtë ndarje të pasurisë, transmeton Telegrafi.


Ari ishte ruajtur me xhelozi në bankën zvicerane të Cyrihut, “Credit Suisse”, si dhe në Bankën Qendrore të Francës me seli në Paris.

Atëkohë ishte rënë dakord rreth alokimit të fondeve në NBJ, e cila ishte nën ombrellën e Komisionit të arit të Francës, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara, por kjo ende nuk është bërë.

Kallëpet me ari nga ish thesari i Bankës Kombëtare të Jugosllavisë kanë pasur një histori shumë të trazuar.

Rezervat e arit të ish-shtetit të përbashkët, e gjetën veten në Basel në momentin kur në vitin 1992, Këshilli i Sigurimit i OKB-së i kishte vendosur një embargo Serbisë dhe Malit të Zi, deri kur të arrihet një zgjidhje rreth ndarjes së pasurisë së ish-Jugosllavisë.

Pothuajse të gjitha rezervat e arit monetar të Bankës Kombëtare të Jugosllavisë, rreth 46 tonelata prej ari të pastër ishin bllokuar nga Banka për Rregullime Ndërkombëtare (BIS) në qytetin e lartpërmendur zviceran. /Telegrafi/