LAJMI I FUNDIT:

Kthimi i mbikëqyrjes

Kthimi i mbikëqyrjes

Mund të ketë qenë koincidencë, ndoshta edhe e kurdisur, por dita kur Kuvendi i Kosovës e ka shpallur të përfunduar fazën e mbikëqyrjes së pavarësisë, ka korresponduar me ditën kur po shënohej 22-vjetori i Kushtetutës së Kaçanikut.

Pra, ka qenë 7 shtatori 2012. Tri ditë më pas, Grupi Drejtues Ndërkombëtar do të vendoste për shuarjen e Zyrës Civile Ndërkombëtare. Prishtina atë ditë kishte mbledhur politikanë, diplomatë e misionarë të huaj, për ta ndarë me ta gëzimin se Kosova po pavarësohej në kuptimin formalo-juridik. Të gjitha ligjet dhe dispozitat kushtetuese që deri atëherë e përcaktonin rolin dhe mandatin e përfaqësuesve ndërkombëtarë, ishin fshirë.


Politikanët vendës, me një përjashtim, e cilësuan atë ditë si ditën më të rëndësishme për nga pesha, pas Ditës së Pavarësisë. Pakoja e Ahtisaarit nuk kishte më supremaci në juridiksionin vendës, por në vend të saj ishte ngjitur Kushtetuta e Kosovës. Ish-shefi i ICO-s, Pieter Feith, e pati thënë edhe vetë se: “Kushtetuta e Kosovës do të qëndrojë e vetme si korniza juridike kryesore në këtë vend”.

I entuziazmuar pati shtuar se pikërisht për këtë fakt, 10 shtatori do shënohej si ditë historike për Kosovën. Por, historike kjo ditë mbeti vetëm për aq kohë sa zgjati euforia e “arritjes së një suksesi” shtetëror. Pas një viti e pak, i pari që kërkoi kthimin e mbikëqyrjes qe kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. Duke e shpërfillur Kuvendin e Kosovës, si themeltar i Gjykatës Kushtetuese, iu lut drejtpërdrejtë ish-presidentit të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso dhe ish-zyrtares së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, që ta ushtrojnë ndikimin tyre për vazhdim të mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë, të cilëve u skadonte kontrata në fund të gushtit të sivjetmë.

Hasani s’e mori parasysh se një veprim i tillë binte ndesh me Kushtetutën e Kosovës, pasi ky dokument kishte kohë që ishte pastruar nga neni 152 me amendamentin 13 i cili nuk linte më vend për gjyqtarë të huaj. Në vend të kësaj, ai dha një arsyetim që ishte më tepër se ofendues për pjesën jondërkombëtare të Gjykatës. “Gjykata Kushtetuese konsideron që largimi i pranisë ndërkombëtare në gusht të vitit 2014 mund ta dëmtojë rëndë punën e Gjykatës si dhe ta rrënojë në tërësi memorien institucionale të cilën kjo Gjykatë e ka ndërtuar me aq shumë mund e me aq shumë përpjekje këto pesë vjetët që po i lëmë pas”, pati shkruar ai.

Askush s’u mor me të, me përjashtim të disa prej hartuesve të Kushtetutës, të cilët tërhoqën vëmendjen se vazhdimi i mandatit të ndërkombëtarëve pas 31 gushtit, ishte jokushtetues. Në realitet, Hasani vetëm e nisi shkeljen.

Hapërimin me të dyja këmbët mbi Kushtetutë e bëri pastaj presidentja, Atifete Jahjaga, dhe shumica e deputetëve të legjislaturës së kaluar. E para duke i dhënë garanci baroneshës Ashton se do të konfirmojë emërimin e gjyqtarëve të EULEX-it e me ta edhe të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të cilët ishin emëruar nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, ndërsa të dytët, duke e përligjur letërkëmbimin Jahjaga-Ashton nëpërmjet modelit të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ata që kanë njohuri mbi fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare e dinë se marrëveshje të tilla arrihen mes palëve që e njohin subjektivitetin e njëra-tjetrës. Në rastin konkret, Bashkimi Evropian si organizëm, nuk e njeh Kosovën si shtet. Deputetët e Kuvendit të Kosovës thjesht ratifikuan një letërkëmbim mes dy personaliteteve. Po të ishte ratifikim i njëmend, e jo i njëanshëm, dokumenti do të kishte logot e dy palëve nënshkruese, të Kosovës në njërën anë dhe BE-së në anën tjetër. Dhe, në fund, do të kishte nënshkrimet e palëve.

Në mungesë të njërës dhe tjetrës, ky dokument përfundon vetëm me një përgjigje pozitive të shkurtër të baroneshës Ashton në letër-kërkesën e presidentes Jahjaga. Kështu, Kuvendi si organi më i lartë legjislativ dhe shefja e shtetit që është e thirrur për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve, me shumë për shkaqe servilizmi sesa të ndonjë presioni të jashtëm, shkelën haptas Kushtetutën.

Kjo e fundit s’e mori fare parasysh nenin 114 të Kushtetutës i cili shprehimisht e përcakton se: “Gjyqtarët emërohen nga Presidenti i Republikës së Kosovës, me propozimin e Kuvendit….”. Tash, kur dekretimi i gjyqtarëve ndërkombëtarë është punë e kryer, megjithëse nuk është definuar kohëzgjatja e mandatit të tyre, ende nuk dihet se kush është punëdhënësi i atyre tre gjyqtarëve: Presidenca apo Kuvendi; nuk dihet para kujt ata do ta marrin mandatin; e, para së gjithash, nuk dihet nëse kjo treshe do të betohen para dikujt.

Ajo që dihet është se përfaqësuesit e popullit dhe vetë presidentja e shtetit e kthyen mbikëqyrjen e pavarësisë.

(Autori është redaktor i politikës në gazetën Tribuna)