LAJMI I FUNDIT:

Kriza në Gjermani, pranë fundit

Kriza në Gjermani, pranë fundit

Rezultatet e disa anketimeve të rëndësishme që matin humorin e biznesit në Gjermani, ishin aq pozitive për këtë muaj, sa ekspertët kanë arsye të besojnë se kriza në ekonominë më të rëndësishme të Eurozonës është pranë përfundimit, por të dhëna statistikore nga Franca dhe vende të tjera shfaqin ende shenja dobësie, bën të ditur "Financial Times".

Anketa e blerjeve të menaxherëve në Gjermani, tregoi rritjen më të madhe mujore në një dekadë për korrikun, ndërkohë që instituti i rëndësishëm Ifo i Mynihut, njoftoi se sipas anketave të saj, humori i biznesmenëve është sot në gjendjen më të mirë që nga tetori i vitit të kaluar.

Rezultatet e dy anketave tregojnë se recesioni është pranë përfundimit në ekonominë më të madhe të Eurozonës, ndërsa ajo që është më e rëndësishme, treguesi Ifo, vuri në dukje se biznesmenët janë më optimistë për situatën aktuale ekonomike dhe jo vetëm për të ardhmen.

Pra, ekspertët vlerësojnë se tashmë nuk ka vetëm shpresë për rritje ekonomike, por ka prova se diçka e tillë ka filluar.


Të dhënat e fundit janë sinjale të qarta se tremujori i tretë i ekonomisë gjermane do të sjellë edhe rritje, ndryshe nga tremujorët e shkuar, kur u regjistrua vetëm rënie. Perspektiva e rritjes ekonomike në Europë varet veçanërisht edhe nga ecuria e pjesës tjetër të botës, për shkak se Gjermania është shumë e varur nga eksportet.