LAJMI I FUNDIT:

Kriza, 4.8 miliardë euro për Ballkanin

Kriza, 4.8 miliardë euro për Ballkanin

Ballkani është i infektuar nga kriza dhe masat për frenimin e pasojave negative duhet të merren menjëherë. Rol të veçantë për përballimin e situatës do të kenë donatorët, të cilët kanë pranuar të vijojnë mbështetjen financiare, por kësaj here në formë më të rregullt. Konkluzionet e konferencës ndërkombëtare të donatorëve për Ballkanin dhe Turqinë u formuluan pas dy ditë diskutimesh dhe 50 prezantimesh të ndryshme rreth strategjisë, masave dhe nevojave që ka Ballkani në këto kohë krize.

Përfundimi doli se nevojiten rreth 4.8 miliardë euro, të cilat do të përdoren si fillim në sektorin e transportit. Të ndarë në tre panele (mjedisi, arsimi dhe transporti), donatorët, të kryesuar nga Komisioni Evropian, identifikuan nevojën që ka Ballkani për financim të shpejtë në projektet rrugore.

Duke u ndalur te Shqipëria, Erich Unterwurzacher, komisioneri i politikave rajonale pranë KE-së, tha se ka probleme me identifikimin e projekteve në infrastrukturë. "Shqipëria nuk ka probleme të gjejë donatorë, por me paraqitjen e prioriteteve, të cilat mungojnë.

Nga sa pashë, qeveria e Tiranës mendon vetëm për sistemin e transportit rrugor, në një kohë që rëndësi të veçantë duhet t‘u kushtosh edhe hekurudhave ose kanaleve ujore", tha komisioneri, i cili drejtori panelin mbi projektet e huaja për transportin, ku merrte pjesë dhe zv.ministri i Punëve Publike, Stavri Ristani. "Të gjitha vendet e Ballkanit duhet të mendojnë për të gjetur linja kalimi transporti përtej kufijve.


Nuk duhet planifikuar gjithsekush për vete, por në mënyrë që investimi i hedhur në projekt transporti t‘u shërbejë të gjithëve", vijoi më tej drejtuesi i konferencës, Timo Summa. Palët ishin të të njëjtit qëndrim, se Ballkani do të ketë frenim të rritjes ekonomike dhe masat për parandalimin e efekteve negative duhet të ishin të menjëhershme.

Shqipërisë i duhet të konkurrojë fort për të përfituar mbështetje financiare nga fondi 4.8 miliardë euro. Procesi i shpërndarjes së këtij fondi do të nisë në tetor 2009, kur vendet e rajonit dhe donatorët e kanë të qartë se cili është prioriteti i duhur. "Kjo shumë, që parashikon të shkojë për transportin, do t‘u japë mundësi firmave private të rrisin vëllimin e punës dhe uljen e të papunëve", tha Erich Unterwurzacher.