‘Krenaritë e Kombit’ – Telegrafi nderon xhudistet që e lartësuan flamurin e Kosovës në vitin 2021
Kur përmendet emri i sportit të xhudos, është e pamundur që qytetarëve të Kosovës mos t’u shkojë mendja te Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe trajneri Driton Kuka.
Viti 2021 ishte padyshim më i suksesshmi në arenën ndërkombëtare për xhudistët tanë edhe pse nga Lojërat Olimpike të mbajtura në Tokio mbetëm paksa të pikëlluar, pasi mbretëresha e këtij sporti – Majlinda Kelmendi vendosi të pensionohej.
Për të arriturat e vitit që lamë pas, Telegrafi ka vendosur t’i shpërblejë Distria Krasniqin, Nora Gjakovën, Majlinda Kelmendin dhe trajnerin Driton Kuka.
Distria e Nora u larguan nga Tokio me nga një medalje të artë, duke pranuar çmimin nga mediumi ynë si “Krenaria Olimpike”, Majlinda që tashmë ka një karrierë të pasur është shpërblyer me “Çmimi i Karrierës” dhe Driton Kuka me atë “Trajneri i Sukseseve”.
Në përgjithësi, viti 2021 solli për xhudistët tanë në total 15 medalje, përfshirë këtu dy të arta olimpike.
Por, si ishte rrugëtimi në vitin 2021 për tri xhudistet tona:
WORLD JUDO MASTERS
Ekipi kosovar i xhudos këtë vit historik e filloi me gara në Mastersin e xhudos që u zhvillua në Doha të Katarit, ku u përfaqësua nga pesë xhudistë kosovarë si Distria Krasniqi, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Akil Gjakova dhe Loriana Kuka.
Nga këta garues, xhudistja Distria Krasniqi u stolis me medaljen e artë, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Loriana Kuka arritën që të fitojnë medaljen e bronztë në kategoritë e tyre, kurse xhudisti Akil Gjakova arriti që të renditet në pozitën e shtatë në kategorinë e tij te meshkujt.
Distria Krasniqi – kategoria deri në 48 kilogramë
Deri tek e arta, Distria Krasniqi raundin e parë e kaloi pa luftë, kurse në raundin e dytë e mposhti me Wazaari dhe Ippon xhudisten sllovene Marusa Stangar. Me Wazaari dhe Ippon Distria e fitoi edhe luftën në çerekfinale kundër portugezes Catarina Costa.
Në gjysmëfinale, xhudistja kosovare shënoi fitore me Ippon kundër Melanie Clement të Francës, kurse në finale, ku edhe e siguroi medaljen e artë, e mposhti me 2 Wazaari për Ippon japonezen Funa Tonaki.
Majlinda Kelmendi – kategoria deri në 52 kilogramë
Xhudistja Majlinda Kelmendi garën në Masters të Dohas të Katarit e mbylli me medaljen e bronztë. Ajo në ndeshjen e parë mposhti me tre dënime për Ippon garuesen nga Rumania Andreea Chitu. Në raundin e dytë, Kelmendi e mposhti me Wazaari në vazhdime polaken Agata Perenc.
Kelmendi vazhdoi me fitore edhe në çerekfinale, ku e mposhti xhudisten nga Zvicra Evelyne Tschopp, kurse në gjysmëfinale u mposht në vazhdime me tre dënime për Ippon nga francezja Amandine Buchard.
Në luftën për medaljen e bronztë, Kelmendi e mposhti me Wazaari dhe me tre dënime për Ippon belgen Charline Van Snick.
Nora Gjakova – kategoria deri në 57 kilogramë
Sikurse Majlinda Kelmendi, edhe xhudistja Nora Gjakova këtë garë e mbylli me medalje të bronztë.
Në raundin e parë Gjakova kaloi pa luftë, kurse në raundin e dytë e mposhti xhudisten nga Serbia Marica Perisic. Në çerekfinale, xhudistja kosovare e mposhti me Wazaari francezen Helene Receveaux, kurse në gjysmëfinale u mposht nga japonezja Tsukasa Yoshida.
Në garën për medaljen e bronztë, Nora Gjakova e mposhti me Wazaari xhudisten portugeze Telma Monteiro.
GRAND SLAM TEL AVIV – IZRAEL
Nga këta garues, ishte vetëm Majlinda Kelmendi ajo e cila arriti të stoliset me medalje, ku e fitoi të bronztën në këtë garë, kurse xhudistët Akil Gjakova dhe Laura Fazliu nuk arritën që të kalojnë më tej se në raundin e dytë.
Majlinda Kelmendi – kategoria deri në 52 kilogramë
Raundin e parë Kelmendi e kaloi pa luftë, kurse në raundin e dytë e mposhti me Wazaari dhe tre dënime për Ippon xhudisten nga Gjermania Annika Wurfel.
Në çerekfinale, xhudistja kosovare e mposhti me Ippon rusen Alesya Kuznetsova, kurse në gjysmëfinale u mposht me Ippon në vazhdime nga anglezja Chelsie Giles.
Majlinda për të bronztën nuk u ndesh me garuesen belge Charline Van Snick, pasi që kjo e fundit u lëndua në ndeshjen paraprake dhe nuk doli në tatami.
GRAND SLAM TBILISI – GJEORGJI
Nga këta garues, xhudistja Nora Gjakova arriti t’ia zbardhë fytyrën Kosovës duke e fituar medaljen e artë, Akil Gjakova zuri vendin e pestë, Laura Fazliu u rendit e shtata, ndërsa Loriana Kuka nuk arriti të vazhdojë garën pasi u eliminua që në raundin e dytë.
Nora Gjakova – kategoria deri në 57 kilogramë
Në rrugëtimin drejt medaljes së artë, Gjakova raundin e parë e kaloi pa luftë, kurse në raundin e dytë e mposhti me Ippon ukrainasen Mariia Skora. Në raundin e tretë, po ashtu me Ippon, Gjakova e mposhti xhudisten nga Austria Sabrina Filzmoser.
Në çerekfinale, xhudistja kosovare mposhti me 3 dënime për Ippon serben, Marica Perisic, njëjtë sikurse që mposhti në gjysmëfinale sllovenen Kaja Kajzer.
Gjakova siguroi medaljen e artë duke e mposhtur në finale me Wazaari xhudisten nga Gjeorgjia Eteri Liparteliani.
KAMPIONATI EVROPIAN I LISBONËS SË PORTUGALISË
Në këtë Evropian, Kosova u përfaqësua nga Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Flaka Loxha, Akil Gjakova, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka, nga të cilët arriti të mbledh dy medalje të arta, një medalje të bronztë dhe dy vende të pesta.
Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova ishin dy xhudistët që i sollën Kosovës medaljet e arta në këtë garë, Nora Gjakova solli një medalje të bronztë, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka u renditën në pozitën e pestë në kategoritë e tyre, kurse Flaka Loxha u eliminua qysh në xhiron e parë.
Distria Krasniqi – kategoria deri në 48 kilogramë
Distria Krasniqi fitoi katër ndeshje gjithsej, ku në xhiron e parë ishte e lirë, ndërsa në ndeshjen e parë fitoi me tre dënime për Ippon kundër garueses nga Italia, Francesca Giorda.
Në çerekfinale, Krasniqi e mposhti me Ippon xhudisten izraelite Shira Rishony, kurse në gjysmëfinale mposhti me tre dënime për Ippon rusen Sabina Giliazova.
Distria Krasniqi siguroi të artën pa luftë, pasi që në finale në tatami nuk u paraqit xhudistja nga Ukraina Daria Bilodid.
Nora Gjakova – kategoria deri në 57 kilogramë
Xhudistja kosovare Nora Gjakova garën drejt medaljes së bronztë e filloi pa luftë në raundin e parë, kurse në të dytin e mposhti me Ippon spanjollen Carla Mascaro Ubasart.
Në çerekfinale, Gjakova e mposhti me Ippon xhudisten nga Rusia Daria Mezhetskaia, kurse në gjysmëfinale pësoi humbje me Ippon në vazhdime nga portugezja Telma Monteiro.
Në garën e fundit për medaljen e bronztë, Gjakova e mposhti me Ippon garuesen gjeorgjiane Eteri Liparteliani.
KAMPIONATI BOTËROR NË BUDAPEST TË HUNGARISË
Në këtë Kampionat morën pjesë pesë kontinente, 118 shtete, 665 garues, 387 meshkuj, 278 femra, ku Kosova u përfaqësua nga Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Flaka Loxha, Akil Gjakova dhe Laura Fazliu.
Medalja e vetme në këtë garë u fitua nga Nora Gjakova, e cila arriti ta fitojë medaljen e bronztë.
Distria Krasniqi – kategoria deri në 48 kilogramë
Xhudistja kosovare Distria Krasniqi arriti në këtë Kampionat ta zë vendin e pestë.
Në raundin e parë, Krasniqi fitoi me Ippon pasi që nuk u paraqit në tatami garuesja vendase, hungarezja Eva Czernovicki. Në raundin e dytë xhudistja kosovare e mposhti me Wazaari në vazhdime rusen Sabina Giliazova.
Në çerekfinale, Krasniqi e mposhti me Wazaari dhe Ippon garuesen nga Spanja Laura Abelenda Martinez, kurse në gjysmëfinale u mposht me Ippon nga japonezja Natsumi Tsunoda.
Pas kësaj humbje ajo u kualifikua të ndeshej për medalje të bronztë, ku humbi me tre dënime për Ippon kundër mongolezes Urantsetseg Munkhbat.
Nora Gjakova – kategoria deri në 57 kilogramë
Nora Gjakova arriti ta fitojë medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të xhudos në Budapest.
Nora në ndeshjen e parë fitoi me Ippon kundër polakes Julia Kowalczyk, kurse në ndeshjen e dytë Gjakova mposhti me Wazaari në vazhdime garuesen nga Holanda Sanne Verhagen.
Ajo në çerekfinale mposhti me Ippon rusen Anastasiia Konkina, kurse në gjysmëfinale humbi me Wazaari dhe Ippon nga garuesja kanadeze, Jessica Klimkait.
Pas kësaj humbje ajo u kualifikua të ndeshet për medalje të bronztë ku mposhti me Wazaari serben Marica Perisic.
LOJËRAT OLIMPIKE TOKIO 2020
Në LO Tokio 2020 Kosova u përfaqësua nga 11 sportistë, ndër ta pesë me norma nga sporti i xhudos.
Distria Krasniqi, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Akil Gjakova dhe Loriana Kuka përfaqësuan shtetin tonë në këtë Olimpiadë, ku edhe arritën të bëjnë histori.
Distria Krasniqi – kategoria deri në 48 kilogramë
LO Tokio 2020 Distria Krasniqi i nisi në mënyrën më të mirë, ashtu sikurse edhe e përfundoi.
Krasniqi në raundin e parë ishte e lirë, kurse në raundin e dytë e mposhti me Ippon brazilianen Gabriela Chibana, ndërsa në çerekfinale e mposhti me Ippon edhe kinezen nga Taipei Chen-Hao Lin.
Në gjysmëfinale, Kransiqi e mposhti me Wazaari mongolen Urantsetseg Munkhbat.
Distria në finale mposhti me Wazaari japonezen, Funa Tonaki, ku u shpërblye me titullin Kampione Olimpike, hera e dytë për Kosovën, përsëri nga sporti i xhudos.
Nora Gjakova – kategoria deri në 57 kilogramë
Nora Gjakova ishte xhudistja e cila e kompletoi “Hat-trickun” e Kosovës me medalje të arta Olimpike.
Nora në raundin e parë ishte e lirë, kurse në raundin e dytë e mposhti me Wazaari holandezen Sanne Verhagen.
Në çerekfinale ajo mposhti me Wazaari dhe Ippon sllovenen Kaja Kajzer, ndërsa në gjysmëfinale Gjakova e mposhti me Wazaari japonezen, Kampionën e Botës në vitin 2018, Yoshida Tsukasa.
Në finale Gjakova e mposhti me Ippon francezen Sarah Leonie Cysique, për të u stolisur me medalje të artë.
Majlinda Kelmendi – kategoria deri në 52 kilogramë
Kampionia e parë Olimpike e Kosovës Majlinda Kelmendi, e cila ishte stolisur me medaljen e artë në Lojërat Olimpike Rio 2016, nuk arriti që edhe në LO Tokio 2020 ta bartë të njëjtin sukses.
Kelmendi u eliminua qysh në raundin e parë të kësaj Olimpiade, ku pësoi humbje me Wazaari nga hungarezja Reka Pupp.
GRAND SLAM BAKU – AZERBAJXHAN
Në këtë garë morën pjesë 5 kontinente, 29 shtete, 196 garues, 129 meshkuj dhe 67 femra. Kosovën e përfaqësoi e vetme Distria Krasniqi.
Distria Krasniqi – kategoria deri në 52 kilogramë
Në ndeshjen e parë Krasniqi e mposhti me Wazaari japonezen Nanako Tsubone, kurse në çerekfinale humbi në vazhdime me Ippon nga hungarezja Reka Pupp.
Pas kësaj humbje ajo u kualifikua të ndeshej në repesazh ku e mposhti me Ippon belgen Amber Ryheul.
Distria për të bronztën humbi në vazhdime me Ippon kundër garueses nga Rusia, Anastasia Polikarpova dhe kështu u rendit e 5-ta në këtë Grand Slam.
Pasi që edhe përfunduan zyrtarisht garat në sportin e xhudos, më 5 dhjetor u mbajt edhe “EJU GALA DINNER 2021”, ku kampionet tona Olimpike te Tokyo 2020 Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova u shpërblyen me dekoratë nga Federata Evropiane e Xhudos për rezultatin e arritur në Lojërat Olimpike.
Me dekoratë u shpërblye edhe Federata e xhudos e Kosovës për medaljet e fituara në Lojërat Olimpike.
Më 6 dhjetor HEROINA E KOSOVËS MAJLINDA KELMENDI, xhudistja jonë e artë mbyll karrierën si sportiste aktive për të vazhduar atë si trajnere.
Në cilësinë e nikoqires në këtë ceremoni presidentja Osmani, shprehu mirënjohjen më të përzemërt për kampionen e shumëfishtë në xhudo Majlinda Kelmendi dhe i ndau Urdhrin “Shotë Galica” i cili u jepet personave që kanë avokuar apo kanë bërë vepra apo akte guximi.
Po ashtu, me këtë rast foli edhe trajneri i Majlinda Kelmendit Driton Kuka.
“Më krenove mua, krenove familjen, krenove një Komb Majlindë. Kënaqësi kur Majlinda ka pushtuar Rusinë, Brazilin dhe vende tjera që nuk e kanë pranuar realitetin e quajtur Kosovë. Të jam mirënjohës deri në frymën e fundit Majlindë”, u shpreh Driton Kuka.
Ndërsa, Majlinda Kelmendi u shpreh se tani e tutje dijen dhe përvojën e saj do ta përcjell tek gjeneratat e reja, pas pensionimit si sportiste aktive. Ajo falënderoi trajnerin dhe ekipin.
“Një falënderim shumë të madh për vendin tim, për popullin tim, që keni qenë frymëzimi im. Ka qenë nder dhe privilegj shumë i madh për mua ta përfaqësoj Kosovën”, tha ajo mes lotësh.
Pas të gjitha këtyre ngjarjeve, ku xhudo e ngriti Kosovën në majat botërore, “qershia mbi tortë” ishin çmimet e më të mirëve në botë për këtë vit.
DRITON KUKA – TRAJNERI MË I MIRË NË BOTË PËR VITIN 2021
Driton Kuka është shpallur trajneri më i mirë në botë nga Federata botërore e xhudos për vitin 2021. Kuka këtë vit si trajner fitoi dy të arta olimpike në LO Tokyo 2020.
Sukseset të cilat i ka arritur Kuka me xhudistët e tij janë të pa imagjinueshme, ku si trajner në koleksionin e tij ka shumë medalje evropiane, botërore e olimpike dhe çdo fjalë për të është e tepërt.
DISTRIA KRASNIQI – XHUDISTJA MË E MIRË E VITIT 2021
Në anën tjetër, Kampionja olimpike Distria Krasniqi është shpallur xhudistja më e mirë në botë nga Federata botërore e xhudos për vitin 2021. Krasniqi këtë vit arriti suksesin më të madh në karrierën e saj si sportiste, të artën në LO Tokyo 2020.
Edhe pse Kosova tashmë nuk do ta ketë Majlinda Kelmendin si garuese, do ta ketë nga ky vit e tutje në stafin stërvitës të Toni Kukës, derisa Distria, Nora, Akili, Laura, Flaka, Erza, e shumë xhudistë të tjerë do të tentojnë t’i sjellin vendin tonë më shumë medalje dhe ta lartësojnë flamurin në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
“Besimi i klubit ndaj lojtarit i rëndësishëm” – Kalulu tregon dallimin mes Juventusit dhe Milanit
Real Madridi mund të futet në garë për Lookman, por çmimi i kërkuar mbetet problem
Zyrtare: Guardiola i qëndron besnik Man Cityt, vazhdon kontratën me kampionët anglez
Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë
Cristiano Ronaldo mund të kthehet në Evropë, trajneri i njohur tashmë e ka telefonuar
As nuk deshën të dëgjonin për Pogban - vjen refuzimi i parë nga një klub i madh në Evropë
"Besimi i klubit ndaj lojtarit i rëndësishëm" - Kalulu tregon dallimin mes Juventusit dhe Milanit
Zyrtare: Guardiola i qëndron besnik Man Cityt, vazhdon kontratën me kampionët anglez
“Nuk ishte për një klub të madh” - ish skauti i Barcelonës tregon se pse nuk e rekomandoi blerjen e Tchouamenit
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje