LAJMI I FUNDIT:

Kosova, sot anëtare e Bankës Botërore

Kosova, sot anëtare e Bankës Botërore

Përderisa të mërkurën (sot) përmbyllet procesi i votimit për anëtarësimin e vendit tonë në Bankën Botërore, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi në prononcim për Radio Dukagjinin ka theksuar se Kosova do të marrë votat e nevojshme nga po ato vende që votuan pro anëtarësimit së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Ashtu siç e kishte paralajmëruar anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi ka paralajmëruar edhe anëtarësimin në Bankën Botërore.

“Kam informacione mjaft të sakta. Kjo çështje do të kryhet me sukses duke e marrë parasysh se procesi i votimit për Fondin Monetar Ndërkombëtar ka shkuar në mënyrë jashtëzakonisht të suksesshme, të njëjtat vende do të votojnë edhe për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore”

Guvernatori Rexhepi ka theksuar se anëtarësimi në Bankën Botërore do të krijojë lehtësira në marrjen e kredive.


“Për dallim nga FMN-ja, Banka Botërore ka rol më të madh në mbështetjen e projekteve të ndryshme zhvillimore të Kosovës në mundësinë e marrjes së linjave të marrjes së kredive nga Banka Botërore për këto projekte. Pra Kosovës po i hapet një derë e re dhe e fuqishme për realizimin e projekteve të mëdha”

Rexhepi ka shtuar se anëtarësimi në Bankën Botërore, do të krijoi siguri edhe më te madhe për investitorët e huaj në Kosovë.

Procesi i votimit përmbyllet sot, ndërkohë që duhet pritur më shumë se një javë që të kumtohet rezultati definitiv. /RTV Dukagjini/