LAJMI I FUNDIT:

Kosova në FMN, Kouchner: Stabilitet për rajonin

Kosova në FMN, Kouchner: Stabilitet për rajonin

Ministri francez i Punëve të Jashtme, Bernard Kouchner përshëndet pranimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

"Duke e forcuar praninë e një shteti të ri në gjirin e komunitetit ndërkombëtar, ky pranim në FMN kontribuon për stabilitetin në rajonin e Ballkanit", shtoi ai.

Kosova do të bëhet anëtarja e 186-të e FMN-së. Bordi Ekzekutiv i FMN-së verifikoi dje votimin e Këshillit të guvernatorëve që Kosovës t’i ofrohet anëtarësimi.

Në një deklaratë, Bordi njoftoi se Kosova do të bëhet anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar kur përfaqësuesit e saj të nënshkruajnë marrëveshjen në Uashington ku ndodhen zyrat qendrore të FMN-së.


Pranimi në FMN do t’i japë Kosovës të drejtën për të marrë kredi prej miliona dollarësh të mbështetura nga ky institucion financiar.

Kuota fillestare e propozuar nga Bordi për Kosovën është rreth 88.6 milion dollarë. Secilit nga të 185 vendet anëtare që ka Fondi i caktohet një kuotë e cila bazohet kryesisht në peshën që çdo vend ze në ekonominë botërore.

Ministri i Financave i Kosovës ka deklaruar kohët e fundit se edhe pse Kosova ishte afër pranimit në FMN, nuk kishte plane të kërkonte menjëherë kredi këtij insituticioni.

Serbia dhe Rusia e kundërshtuan në mënyrë aktive kërkesën e Kosovës për anëtarësim në FMN dhe sipas gazetës The Wall Street Journal, pranimi i saj u shoqërua me debate.

Kosova e bëri kërkesën e anëtarësimit në FMN vitin e kaluar menjëherë pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë. Po vitin e kaluar Fondi Monetar e njohu shkëputjen e Kosovës nga Serbia megjithëse shteti i ri nuk është anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. /qik/