LAJMI I FUNDIT:

Kosova ka 1.8 milionë banorë, por 2.2 milionë përdorues të telefonisë mobile

Kosova ka 1.8 milionë banorë, por 2.2 milionë përdorues të telefonisë mobile
Close up of friends with circle of smart phones

Numri total i përdoruesve të telefonisë mobile në fund të tremujorit të tretë të vitit 2017 ka arritur në 2,208,191 përkatësisht për 17.73 për qind më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa krahasuar me tremujorin paraprak po të këtij viti numri i tyre është rritur për 8.45 për qind apo 172,223 më shumë.

Kështu thuhet në raportin ‘Pasqyrë e tregut të Komunikimeve Elektronike’, i cili përfshinë ecurinë e indikatorëve kryesorë të tregut, prezantuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), shkruan Telegrafi.


Ngjashëm me numrin e përdoruesve edhe penetrimi i shërbimeve të telefonisë mobile në periudhën raportuese ka shënuar rritje të lehtë në krahasim me tremujorin paraprak, ndërsa rritje më e theksuar krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar. Penetrimi i shërbimeve të telefonisë mobile tani është në nivelin 121.6 për qind të numrit të popullsisë.

Burimi: ARKEP, Indikatorët kryesor të Komunikimeve Elektronike

Në këtë periudhë raportuese, është shënuar ulje e parapaguesve për 2.30 për qind krahasuar me tremujorin paraprak dhe rritje në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar për 19.75 për qind, rritje kjo e cila nuk i atribuohet zhvillimeve në treg por përfshirjes së të dhënave të ‘MTS d.o.o.’.

Të dhënat për normën e penetrimit të telefonisë fikse në Kosovë në këtë tremujor janë 3.63 për qind. Norma e penetrimit të telefonisë fikse në vendin tonë vazhdon të jetë shumë e ulët krahasuar me vendet e rajonit, e sidomos me shtetet e Bashkimit Evropian në shtete në të cilat penetrimi sillet nga 10 deri 40 për qind.

Numri i parapaguesve apo përdoruesve të internetit me qasje brezgjerë fikse dhe mobile deri në tremujorin e tretë të vitit 2017 është 1.81 milionë dhe vërehet një rritje prej 363,773 parapagues apo 25.2 për qind në krahasim me tremujorin e dytë të 2017-së, një rritje prej 32.9 për qind me krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2016.

Deri në tremujorin e tretë të vitit 2017 janë 274,351 përdorues të numrit të linjave të internetit me qasje fikse brezgjerë. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak ka një rritje prej 15.66 për qind apo 37,153 parapagues më shumë. Ndërsa, penetrimi i internetit përmes qasjes fikse brezgjerë në internet për ekonomi familjare është 92.3 për qind, përkatësisht penetrimi i internetit sipas banorëve [për 100 banorë] rezulton të jetë 15.10 për qind.

Numri i përdoruesve të shërbimeve të internetit mobil (Mobile Broadband), apo qasja në internet përmes rrjetit mobil 3G dhe 4G vazhdimisht është duke u rritur, ky numër në periudhën raportuese ka arritur në 1,533,321 përdorues e që shënon një rritje prej 29.27 për qind krahasuar nga fillimi i vitit.

Sipas vlerësimit të numrit të popullsisë në Kosovë për vitin 2014, të prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), vendi ynë ka 1,804,944 banorë. Krahasuar me këtë, atëherë i bie që në Kosovë ka më shumë përdorues të telefonisë mobile se banorë. /Telegrafi/