LAJMI I FUNDIT:

Kosova insiston për portin e Shëngjinit

Kosova insiston për portin e Shëngjinit

Qeveria kosovare vijon të kërkojë me ngulm administrimin e Portit të Shëngjinit, si veprim optimal për të pasur dalje direkt me linjat e transportit detar.

Sikurse ndodh gjithnjë, edhe dje kur u pyet nga mediet, ministri i Ekonomisë, Ilir Meta, nuk tha asgjë konkrete rreth projektit, që diskutohet prej dy vjetësh, por thjesht shprehu angazhimin pozitiv të qeverisë shqiptare dhe vijimin e negociatave.

E kundërta ndodh me palën kosovare, e cila jep detaje të projektit dhe ecurinë e negociatave.

“Ministria e Transportit, si përgjegjëse e qeverisë së Kosovës për Portin e Shëngjinit është duke punuar në studimin e fizibilitetit, në studimin e mënyrës se si do të mund apo cilat do të jenë mënyrat më të mira për shfrytëzimin e atij porti, për nevojat e bizneseve kosovare dhe ekonomisë në përgjithësi”, tha ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lufti Zharku, raporton Top Channel..


Projekti i kthimit dhe dhënies me koncesion të Portit të Shëngjinit për Kosovën është trajtuar me pompozitet nga qeveria e Prishtinës, kurse nga pala shqiptare, deklaratat kanë qenë të vakëta, të rrethuara me mister dhe mungesë informacioni.

Deklaratat rreth projektit u bënë dje pas takimit që ministri Meta pati me Zharkun, ku ndër të tjera u diskutua edhe për rishikimin e marrëveshjes tregtare mes dy vendeve. /Telegrafi/