LAJMI I FUNDIT:

Kosova e Turqia synojnë tregtinë e lirë

Kosova e Turqia synojnë tregtinë e lirë

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Odën Tregtare Kosovare – Turke, për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në aspektin arsimor, social dhe ekonomik.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se esenca është që të bashkëpunohet në forma më të avancuara dhe jo në formën e tregtisë klasike. “Mora përkrahje nga ambasadori që janë duke punuar në përshpejtimin procesit për nënshkrimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë në mes Kosovës dhe Turqisë, dhe një marrëveshje e tillë me siguri do t’i përshpejtojë proceset ekonomike dhe nivelet e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Turqisë”, theksoi Gërxhaliu.

Sipas tij nga mungesa e nënshkrimit të kësaj marrëveshje është një rrezik për Kosovën, ngase një marrëveshje të tillë Serbia me Turqinë e ka nënshkruar para 3 javësh.

Kurse ambasadori i Turqisë në Kosovë, Husrev Unler, tha se kjo marrëveshje është e veçantë dhe rëndësishme për të dyja vendet. Duke shtuar se Turqia në çdo aspekt mundohet të mbështet Kosovën, si në aspektin e arsimit, të kulturës, atë të sigurisë dhe të ekonomisë.


Ndërkaq kryetar i Odës Tregtare Kosovare-Turke, Ahmet Mithat Milli, tha se prej themelimit të këtij institucioni marrëdhëniet me Odën Ekonomike të Kosovës kanë qenë në një vëllim të lartë.

Ndryshe, kompanitë turke tregun e Kosovës e shohin si të favorshëm, duke investuar në shumë fusha dhe duke marr projekte më madhore të Kosovës. /Telegrafi/