LAJMI I FUNDIT:

Kosova e mbuluar nga mbeturinat

Kosova e mbuluar nga mbeturinat

Kosova ende mbetet vendi më i pa pastër në rajon. Ndonëse në vendin tonë ka shumë mbeturina që ndotin ambientin, kompetencat vazhdojnë të jenë të përziera, ligji nuk implementohet si dhe përkundër kësaj, një fabrikë që bënë riciklimin e tyre nuk ekziston ende. Kështu u tha të hënën mbrëma në emisionin “ Ekonomia me Erëzën”.

Agron Bektashi, drejtor në Qendrën Rajonale të Mjedisit, pohoi se Kosova mbetet vend i rrezikuar nga ndotja e ambientit prej mbeturinave. Mbase, sipas tij ligji është mirë, por mungon implementimi i tij në praktikë.“Implementimii ligjit për menaxhimin e mbeturinave fillon nga shtëpitë tona, fillon nga rrugët tona, nga kuvendet komunale nga pjesa rurale nga qeveria e deri tek kryeministria. Por për një pjesë të mos implementimit të ligjit është barrë edhe sistemi gjyqësor”, tha ai.

Në anën tjetër, edhe përfaqësuesit e zyrës së BE-së në Kosovë bënë të ditur se rruga për integrime evropiane nuk do të jetë e lehtë për Kosovën, nëse vendi ynë nuk bënë menaxhimin më të mirë të mbeturinave. “Një prej kushteve që i duhet të plotësojë Kosovës për tu integruar në BE është mbrojtja e ambientit. Andaj për Kosovën nuk do të jetë një rrugë e gjatë për të përmbush këtë standard”, ka deklaruar Gazmend Isufi, Menaxher i Projekteve për Mjedis në zyrën e BE-së në Kosovë.


Megjithatë, përfaqësuesit e Ministrisë së Ambientit thanë se kjo Ministri bën hartimin e ligjeve dhe strategjisë të cilat janë në përputhje me legjislacionin e BE-së, ndërsa pjesa implementuese kalon në kompetenca të vet komunave por edhe te kompanitë publike në disa raste të cilat obligohen të vet-menaxhojnë mbeturinat e veta industriale. “Nga mbeturinat industriale, kryesisht nga mbeturinat që kanë mbetur në “Trepçë” nga hiri për shembull, prej mbeturinave të “Feronikelit”, “KEK”-ut, janë përdorur për industrinë e çimentos ku sot shfrytëzohen. Në “Trepçë” ka ndodhur shitja ku mbeturinat që kanë pasur metale janë eksportuar jashtë vendit. Pra, menaxhimi i këtyre mbeturinave bëhet nga vet kompanitë në fjalë”,ka thënë Enver Tahiri nga kjo Ministri.

Ukë Selimaj, drejtor i shërbimeve publike në Pejë, theksoi se menaxhimi i mbeturinave nuk është në listën e prioriteteve qeveritare, duke filluar nga ato qendrore dhe më pastaj ato lokal, gjë që bënë edhe më të vështirë implementimin e ligjit dhe përkeqëson gjendjen e ambientit. Përkundër vështirësive, Selimaj theksoi se në bazë të kompetencave dhe mundësive, kjo komunë mundohet të bëjë menaxhimin e mbeturinave në mënyrë të rregullt duke bashkëpunuar edhe me kompani private të cilat operojnë në komunën e Pejës.

Menaxhimi i mbeturinave në tërë Kosovën mbetet sfidë për institucionet e vendit. Në bazë të ekspertëve, deponitë janë zgjidhja më pafavorshme për një vend. Ajo që rekomandohet janë 3 R-të: Reduktim, Riciklim dhe Ripërdorim. Në Kosovë, legjislacioni parasheh këtë, mirëpo në praktikë vendi ynë është ende larg një vendi të pastër. /Telegrafi/