LAJMI I FUNDIT:

Kosova e gatshme për CEFTA-n

Kosova e gatshme për CEFTA-n

Kosova është e gatshme që, vitin e ardhshëm, të drejtojë CEFTA-n, pohojnë zyrtarë qeveritarë. Gjatë këtij viti, Serbia është duke kryesuar këtë mekanizëm, por autoritetet kompetente thonë se një gjë e tillë nuk do të paraqesë problem për institucionet kosovare. Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike këmbëngulin që Kosova nuk duhet ta humbasë këtë shans.

Autoritetet kompetente kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që, vitin e ardhshëm, Kosova të kryesojë me Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore, CEFTA, raporton Radio Evropa e Lirë.

Gjatë këtij viti, me këtë mekanizëm ndërkombëtar po udhëheq Serbia.

Flamur Keqa, drejtor i Departamentit të Tregtisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se, pavarësisht problemeve politike që vendi ka me Serbinë, në aspektin ekonomik dhe profesional, Kosova është e gatshme për të drejtuar CEFTA-n.


“Për momentin, të gjitha procedurat dhe procesi rreth marrjes së kryesimit të CEFTA-s nga ana e Kosovës, po shkojnë në rregull. Të gjitha gjasat janë që Kosova të marrë kryesimin e CEFTA-s për vitin 2011”, tha Keqa.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike këmbëngulin që Kosova, në asnjë mënyrë, të mos e humbasë drejtimin e CEFTA-s.

Që nga dhjetori i vitit 2008, vendet fqinje, Serbia dhe Bosnja, kanë bllokuar produktet e Kosovës, për shkak të ndërrimit të vulave të doganave, nga ato të UNMIK-ut në ato të Kosovës. Mallrat me këtë vulë nuk lejohen të kalojnë as transit nëpër këto vende. /Telegrafi/