LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe Shqipëria me treg të përbashkët ushqimor

Kosova dhe Shqipëria me treg të përbashkët ushqimor

Kosova dhe Shqipëria do të bashkëpunojnë ngushtë që ta kenë një treg të përbashkët të ushqimit dhe do të mund të kenë. Kështu u tha në një takim, ku Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi priti Ministrin e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti.

Krasniqi, ka vlerësuar që ky takim është i një rëndësie të lartë ku u bisedua për hapat e mëtutjeshëm që do të merren nga këto dy ministri, ai po ashtu, tha se raportet midis Kosovës dhe Shqipërisë duhet të jenë shembulli më i mirë i bashkëpunimit rajonal.

“Ishte një pajtim i përbashkët që bashkëpunimi në fushën e bujqësisë në sigurinë e ushqimit por edhe në fushat tjera të përgjegjësive tona duhet të avancohet edhe më tej në të ardhmen në mënyrë që të ketë një lehtësim të komunikimit, të qarkullimit dhe një ndihmesë edhe për prodhuesit, edhe për bizneset edhe për agrobizneset, dhe bizneset e tjera në fushat që ne mbulojmë. Parimisht ne të dy palët mendojmë që raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të jenë shembulli më i mirë i bashkëpunimit rajonal për çka nuk ka asnjë dyshim dhe se përkushtimi i të dy qeverive është i plotë dhe i dëshmuar tashmë edhe në periudhën e kaluar. Ne biseduam edhe për disa hapa konkret me dy delegacionet tona të cilat do t’i ndërmarrim para mbajtjes së mbledhjes së ardhshme të përbashkët të dy Qeverive që do të mbahen në Tiranë, në mënyrë që veprimet dhe objektivat tona të përbashkëta t’i konkretizojmë edhe me dokumente qeveritare të cilat më pas do të jenë mjetet më të mira për t’i realizuar këto qëllime dhe për të lehtësuar në raportet ndërmjet dy vendeve tona dhe në fushën e bujqësisë, tregtisë, importit dhe lëvizjes së produkteve bujqësore e kështu me radhë”, tha Krasniqi.


Ai po ashtu tregoi se ata mes veti kanë pajtueshmëri të plotë dhe se shpreson që deri në vizitën e ardhshme do të kenë edhe hapat konkret për realizimit e këtyre qëllimeve.

E ministri i Shqipërisë, Panariti, tha se në këtë takim u diskutua me seriozitet çuarja përpara e bashkëpunimit të suksesshëm në mes të këtyre dy qeverive në fushën e bujqësisë dhe sipas tij, ata u përqendruan më së shumti në lehtësimin e lëvizjes së lirë të mallrave në dy anët e kufirit.

“Ne tani më kemi një paket integrale të përbashkët e cila pasi mori natyrisht edhe miratimin paraprak të prodhueseve të të dyja vendeve do të formalizohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë si një paket e njehsuar tashmë e standardeve të njësisë të sigurisë në fushën e shkëmbimit të drithërave dhe të miellit. Sot unë pata rastin t’i paraqes ministrit Krasniqi edhe propozimet tona për njehsimin e standardeve edhe për artikujt e tjerë ushqimorë, duke filluar nga qumështi, nga verat, mjalti, vajo etj. dhe presim që pala kosovare, autoritet përkatëse të fushës të japin opionin e tyre në mënyrë që ne së shpejti të dalim me një paketë të përbashkët të standardeve të cilësisë së sigurisë edhe të këtyre produkteve, duke bërë një hap tjetër të vendosur për unifikimin e standardeve. Ram paraprakisht dakord që ne të njësojmë edhe dokumentet bashkëshoqëruese të mallrave të artikujve bujqësorë. Pra dokumentet të jenë unike dhe të njohura reciprokisht nga të dyja autoriteteve tona. Kjo do ta bëj të mundur kalimin pa asnjë lloj pengese të mallrave me dokumentet përkatëse, por që janë të njohura reciprokisht nga dy Qeveritë tonë”, tha Panariti.

Ai po ashtu, tha se do të punojnë që të bëhet një treg i përbashkët duke e konsideruar këtë bashkimin e vërtet të shqiptarëve. “Që të dy vendet tona duhet të punojnë për një treg të përbashkët, një treg të përbashkët dhe një hapësirë të përbashkët ekonomike. Më lejoni që të ndaj me ju që unë këtë e konsideroj bashkimin e vërtet të shqiptarëve, bashkimin ekonomik. Dy shtetet tona në respektin e sovranitetit ndaj njëri tjetrit, krijojnë një treg një hapësirë të përbashkët ekonomik , ku gjithsecili mbi bazën e avantazheve të veta konkurruese dhe krahasuese dhe gjen vendin e tij në këtë treg të përbashkët”, tha ai.

Takimi i radhës ndërmjet këtyre dy ministrive do të mbahet në Shqipëri, ku pritet që do të jenë të gatshme dokumentet për nënshkrim, në mënyrë që të mund të filloj zbatimi i këtyre qëllimeve. /Telegrafi/