LAJMI I FUNDIT:

Korrupsioni, veti gangrenoze e qarqeve të larta

Korrupsioni, veti gangrenoze e qarqeve të larta

Korrupsioni si dukuri e zymtë morale dhe penale e ndëshkueshme me ligj, është ende një dukuri e padefinuar saktë, andaj ndihma e filozofisë politike në analizimin dhe shthurjen e saj si akt etik dhe moral politik në shoqëritë demokratike bashkëkohore, do të krijojë themelet për një qasje të drejtë dhe të ndershme mbi dukurinë e korrupsionit që zakonisht i përfshinë të gjitha segmentet e jetës publike.

Filozofia është ajo që sjellë disa përkufizime mbi vlerat e kohës dhe përcakton rolin e drejtësisë e cila do të merr në dorë renditjen e masave pas cilësimit të kategorive etike dhe ligjore, që thyhen nga një subjekt në shoqërinë e dhënë.


Korrupsioni merret globalisht si pjesë e jetës politike dhe nuk shihet si element etik i përhapur në suaza familjare, edhe pse gjejmë aty-këtu sjellje të tilla. Sido që të jetë, kualifikimi i kësaj dukurie, pra i kuptimit korrupsion që përfundimisht është veti e shoqërive dhe individëve, hasë në vështirësi së pari në plan etik e moral dhe më tej në atë politik e juridik.

Përkufizimet mbi korrupsionin janë të shumënduarshme aq edhe subjektive, por esencialja është se kemi të bëjmë me shtrembërimin i veprimeve shoqërore, si në politikë, ekonomi biznes dhe marrëdhënie të tjera në të gjitha fushëveprimet e një shoqërie dhe kjo në mes dy e më tepër personave me qëllime përfituese nëpërmjet mitos e kompensimeve të ndryshme mafioze, që sjellin pasurimin e korruptuesve aktivë (dhënësit), sikur edhe për palën e korruptuesve pasivë (marrësit) ku bëjnë pjesë, përveç të mëdhenjve, edhe shumë “nevojtarë” të imët (ndryshe thënë – të dorës së dytë, por që janë gangrenë e vërtetë shoqërisë).

Në korrupsion të gjitha subjektet janë shkelës apo në kufi të shkeljes së ligjit, të moralit dhe të etikës, qofshin ata komponentë politikë, arsimorë, administrativë, sportivë, gjyqësorë e shumë profile pushtetmbajtëse e vendimmarrëse mbi një çështje ose subjekt tjetër. Dhe, e tërë kjo, për përfitime materiale dhe shpërblime të tjera nga të cilat vend të përhapur pas pasurimit ka seksi dhe nepotizmi.

Përkufizime mbi korrupsionin kanë dhënë organizata të ndryshme botërore nisur nga Transparency International, ku thuhet: "Korrupsioni përfshin keqpërdorimin e pushtetit të besuar për përfitim privat”, mandej Këshilli i Evropës që flet për “…abuzim të pushtetit me qëllim të pasurimit personal”, si dhe Instituti Ndërkombëtar për planifikim të edukimit pranë UNESCO-s dhe të tjera instanca botërore.

Nëse marrim për pikënisje një filozofi popullore që thotë se peshku kalbet (prishet) nga kryet, atëherë jemi të shtyrë të diagnostikojmë se ky përkeqësim nis me korrupsionin i cili ngel në këto qendra të “kryes” dhe nuk zbret më poshtë. Të sqaroj se kjo dukuri imorale në radhët e qytetarisë ekziston vetëm në suazat e detyrimit dhe presioneve të bëra nga ata që kanë një pushtet mbi nevojtarët e rëndomtë. Mjeku, administratori, polici, politikani… janë të parët që vjelin pasuri dhe për anomali, subjekti qytetar i rëndomtë është korruptues aktiv dhe i shumtë në numër, sepse ai propozon, kurse përfituesi i vërtetë është korruptues pasiv. Ky kategorizim praktikisht dënon në plan moral e etik “pasivin”, por juridikisht, ky “pasiv” është disi më i mbrojtur përpos tjerash, nga vet “pasivë” të niveleve të ndryshme.

Filozofikisht shikuar, kualifikimet dhe më tej sqarimet konkrete mbi korrupsionin duhet kërkuar dhe definuar në suaza të etikës publike dhe moralit individual e shoqëroro-politik, duke u përqendruar në ndershmërinë e subjektit si person dhe si faktor në jetën e sistemit politik, juridik dhe ekonomik e ku të gjithë pjesëmarrësit detyrimisht t’i përshtaten vlerave republikane si virtyt më i lartë bashkëkohor.

Në aspektin juridik në botë e sidomos në trojet tona, korrupsioni matet së pari me ndershmërinë paraprake të subjektit në fjalë dhe në këto baza, kërkohet një kualifikim final e kjo ngaqë sistemi penal së pari kërkon mbështetje në të kaluarën biografike për shqyrtimin se a ka të bëjë me korrupsion ose me ndonjë nga sinonimet (ndershmëri, drejtësi, moral…) e antonimet (pabesi, dredhi, dallavere, mashtrim…) e saj. Nga kjo vihet në përfundim se i është lënë hapësirë e madhe manovrimit që e bënë gati të pashmangshëm ose ndryshe, e mundëson korrupsionin në suazat ligjore për të (mos)justifikuar një akuzë penale ndaj subjekteve të përfshira në akt(e) jashtëligjore.

Askush nuk mund të jetë e as të ketë çfarëdo qoftë paprekshmërie para përgjegjësisë kur i ndëshkon vijat e sjelljes së etikës politiko-shoqërore dhe ligjore; punonjësit në administratë dhe vende shtetërore, zyrtarë, zyrtarë të zgjedhur, patronazh, gjer tek majat e autoriteteve shtetërore nënkuptuar këtu edhe shefin e shtetit.

Në fund, të përmend format e korrupsionit të mbrojtur nga ligjet e shteteve gjegjëse kur bëhet fjalë për “zbulime armiqësore brenda dhe jashtë entitetit politiko-gjeografik. Korruptimi i pushtetarëve të huaj për t’i mbajtur nën dominim dhe me këtë, rrokullisje në rast nevoje duke i shpalosur tradhtitë dhe lojërat e ndyra të bërë popullit të vet, “blerje” të subjekteve të dyshimta për përfitime apo mbrojtje shtetërore e të tjera akte kalkylativo-korruptive të cilat natyrisht, dënohen nga njëra palë dhe mbrohen nga pala tjetër gjer në nivele kur korrupsioni bëhet politikë luftarake dhe nuk ka qasje të mirëfillte për pa i rregulluar të gjitha marrëdhëniet gjeopolitike, strategjike dhe ekonomike në botë, por kjo tani kërkon një qasje tjetër studimi.