LAJMI I FUNDIT:

Kontrabanda zhvendoset nga veriu në Kullë

Kontrabanda zhvendoset nga veriu në Kullë

Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, ka thënë se kontrabanda në veri të Kosovës është minimizuar në masë të madhe, por me ngushtimin e rrugëve të kontrabandës në veri, ajo ka filluar të bartet dukshëm në kufirin me Malin e Zi.

Në një intervistë për të përditshmen “Kosova Sot”, Huruglica ka vlerësuar se Shërbimi Doganor ka një kontinuitet të zhvillimit profesional. Ai ka thënë se bashkëpunimi në mes të EULEX-it dhe Doganave të Kosovës ka bërë që kontrabanda në veri të vendit – në pikat kufitare 1 e 31 – të zvogëlohet për 80% krahasuar me vitin e kaluar.

“Por, ndërkohë kemi vërejtur një rritje të kontrabandës në zonën e Pejës, në kufi me Malin e Zi”, ka thënë ai. Ai ka shpjeguar se, sipas informatave që disponon Dogana, kontrabanda në Kullë zhvillohet nëpërmjet rrugëve tepër të rrezikshme malore dhe po bëhet kryesisht me kuaj dhe gomarë – ndërsa produktet e konfiskuara në këtë zonë në të shumtën e rasteve janë kafja dhe cigaret.

Megjithatë, pavarësisht këtyre zhvillimeve, Huruglica ka thënë se, “situata në kufijtë e Kosovës është e mirë, e qetë”.


Ndërkaq i pyetur rreth pasurisë së doganierëve, respektivisht nëse pasuria e tyre monitorohet, Huruglica ka thënë se pasuria e doganierëve monitorohet jo vetëm atëherë kur ata aplikojnë dhe pranohen të jenë pjesë e rregullt e këtij institucioni, por kjo bëhet në vazhdimësi gjatë karrierës së tyre nga njësitet e brendshme të Doganës.

“Varësisht nga rezultatet dhe faktet e hetimit nga njësia e standardeve profesionale do të marrim masat adekuate. Sivjet këtë e kemi bërë në mënyrë edhe më të avancuar, duke iu përshtatur praktikave më të mira evropiane”, ka thënë Huruglica. /Telegrafi/