LAJMI I FUNDIT:

Konfindustria kërkon mbikëqyrjen e tregut të karburanteve

Konfindustria kërkon mbikëqyrjen e tregut të karburanteve

Rritja e ndjeshme e çmimeve të karburanteve gjatë javëve të fundit ka detyruar biznesin që të ndërmarrë nisma për rregullimin e këtij tregu, që ka një qarkullim vjetor për 800 deri 900 milionë euro në vit.

E përditshmja Shekulli raportoi të hënën se zyra e Konfindustrias kërkon ngritjen e Entit Rregullator të Karburanteve, i cili duhet të shërbejë si vëzhgues dhe rregullator i tregut të karburanteve dhe atij të gazit.

Sipas Konfindustrias tregu i hidrokarbureve në vend nuk funksionon mirë duke sjellë edhe rritje të paargumentuar të çmimeve.

“Mbështetur në vlerësimin krahasimor të çmimeve të tregjeve vendore dhe ndërkombëtare arrihet në përfundimin, se në janar 2011 konsumatorët me pakicë të karburanteve dhe gazit në Shqipëri po përballen pothuaj me të njëjtat nivele sikundër ishin në kulmin e çmimeve në fund të vitit 2008, në pragun e krizës globale edhe pse çmimet respektive në tregjet ndërkombëtare në vitin 2011 janë pothuaj 90 për qind më të ulëta sesa në vitin 2008”, thekson kreu i kësaj shoqate, Gjergj Buxhuku.


Bursa ndërkombëtare dhe kursi i këmbimit cilësohet nga kompanitë e karburanteve si dy arsyet kryesore, që krahas zhvillimeve të brendshme, kanë çuar në shtrenjtimin e këtyre produkteve. /Telegrafi/